Tiranë-Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka dalë në  një konferencë për mediat mesditën e të martës ku ka folur për ecurinë e procesit të Vettingut. Gjonaj komentoi deklaratën e ambasadës amerikane lidhur me bllokimin e ligjit për shkollën e re të magjistraturës. Gjonaj tha se rruga e Reformës në Drejtësi është një rrugë pa kthim pas. Ministrja e Drejtësisë ka  akuzuar opozitën, se kjo e fundit po shantazhon dhe kërcënon duke bllokuar procesin nga frika e Vettingut.

opozita nuk e dinte Vettingun kjo dihej botërisht. Që opozita e votoi me zor reformën dihej. Që opozita kërkon me dëshpërim kthimin pas të procesit, kjo është çdo ditë e më e qartë. Në këtë vend kush kërkon drejtësi, në një vend që drejtësia është e kapur nga politika është e qartë se s’mund të ketë kthim pas. Shantazhet, bllokimi i procesit për të kthyer pas reformën, janë akte të rënda dhe diskredituese të një opozite që e ka humbur davanë nga zgjedhja në zgjedhje. Kjo është zgjedhje fatkeqe. Vettingu s’kapet dot nga askush, s’ndalet dot. Vettingu mbrohet nga sytë e rreptë të ndërkombëtarëve, të atashuar përmes ONM-së. Deklaratat për t’u mbushur mendjen shqiptarëve se qeveria dhe Kryeministri kanë kapur edhe ndërkombëtarët, nuk çojnë askund.

Etilda Gjonaj, Ministre e Drejtësisë

Lidhur me kolapsin e Gjykatës Kushtetuese, Gjonaj është shprehur se vendi s’ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese por është pastruar “nga trupa të sëmurë”.

Ministrja e Drejtësisë ka ftuar opozitën për bashkëpunim, dhe ka garantuar qytetarët se procesi do të vazhdojë.

Nuk çojnë askund Shqipërinë e mbetur pa Gjykatë Kushtetuese. Shqipëria s’ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese por ka shpëtuar nga një trupë e sëmurë. Operacioni në trupin e njeriut ku kishin gjetur strehë kancer degradues. Ky boshllëk do të mbushet. Nuk çon askund bllokimi i ndryshimeve ligjore për shkollën e magjistraturës. Ambasada amerikane shprehu dje indinjatë. Ne i falenderojmë partnerët tanë për mbështetjen dhe garantojmë qytetarët se përpjekja e opozitës për bllokimin e shkollës së magjistraturës ishte e pashpresë dhe s’ka kthim pas. Asgjë dhe askush se bllokon dot më këtë rrugë. Asgjë nuk është jashtë parashikimeve tona, edhe vonesat. Askush s’është mbi ligjin, duke shantazhuar e kërcënuar. Vettingu s’diskutohet më por zbatohet. E ftoj opozitën të bashkëpunojë.

Etilda Gjonaj, Ministre e Drejtësisë

Deklarata e Gjonajt vjen në një kohë kur me përfundimin e sesionit parlamentar, opozita bojkotoi votimin e ligjit për magjistratët e rinj, duke bllokuar hapjen e shkollës së magjistraturës. Mazhoranca e cilësoi qëndrimin e opozitës si “shantazh” dhe “thirrje për pazare” ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha tha se PD nuk do pranojë një qëndrim fasadë në parlament, pasi sipas demokratëve shkolla e magjistraturës është kthyer në “shkollën e plepave”.