Në raport me vettingun e policisë, LSI ka kërkuar disa ndryshime specifike. Amendamentët e LSI janë argumentuar dhe vijojnë si më poshtë:

ARGUMENTIMI I AMENDAMENTEVE

Në Nenin 3 të raportit të Komisionit përgjegjës, shtojmë një paragraf të ri me këtë përmbajtje:
Neni 3
Përkufizime
“24. “Trupë e Posaçme Vlerësimi”, është trupë vlerësimi, e krijuar në Komisionin Qendror të Vlerësimit dhe në Komisionin Vendor të Vlerësimit, që vlerëson punonjësit e njësive/reparteve/strukturave, përbërja apo tipologjia e punës së të cilave, nuk mund të jenë publike.”

ARGUMENTI:
Në paragrafin 4 të nenit 5 të projektligjit flitet për këto Trupa të Posaçme Vlerësimi, por pa përcaktuar saktësisht se çfarë janë. Për këtë arsye, kemi menduar që të përfshihen në nenin që përmban përkufizimet, në mënyrë që të justifikohet ekzistenca dhe funksionimi i tyre.

Paragrafi 1 dhe 2 i Nenit 7 të raportit të Komisionit përgjegjës, ndryshon si më poshtë vijon:
Neni 7
Bordi i Përzgjedhjes
"1. Për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit dhe të Sekretariatit Teknik pranë këtij Komisioni, ngrihet Bordi i Përzgjedhjes.
2. Bordi i Përzgjedhjes përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, përfaqësues të:
a) Ministrisë së Brendshme, i cili drejton bordin, Kryetar;
b) Avokatit të Populli, anëtar;
c) Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, anëtar;
ç) Shërbimit Informativ Shtetëror, anëtar;
d) Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, anëtar."

ARGUMENTI:
Sipas parashikimit të nenit 7 në projektligj, Bordi i Përzgjedhjes duket se ka në shumicën e përbërjes së tij, funksionarë të orientuar politikisht, që zgjidhen nga eprorët e tyre, pa përcaktuar kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve në projektligj.

Me qëllim për të rritur besueshmërinë e procesit të vlerësimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, si dhe për të garantuar statusin e policisë si institucion i depolitizuar, propozojmë që anëtarë të Bordit të Përzgjedhjes, të jenë dhe përfaqësues të organeve kushtetuese apo atyre të krijuara me ligj.

Anëtarët e Bordit të Përzgjedhjes duhet të plotësojnë disa kritere ligjore dhe profesionale, për të garantuar që ky organ seleksionues ka besueshmëri dhe integritet të lartë profesional e moral, për të përmbushur detyrat e veta në përputhje me qëllimin e projektligjit.

Pas nenit 7 të raportit të Komisionit përgjegjës, shtohet një nen i ri 7/1 me këtë përmbajtje:
Neni 7/1
Kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit
1. Anëtar i Bordit të Përzgjedhjes, zgjidhet shtetasi shqiptar, i cili plotëson këto kritere:
a) Ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare;
b) Ka eksperiencë pune, jo më pak se 5 vjet në profesion;
c) Nuk ka ushtruar funksione politike ose nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 3 viteve të fundit;
ç)  Ndaj tij nuk është nisur një hetim penal dhe ai nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo të një kundërvajtjeje penale me dashje;
d) Nuk ka qenë subjekt i ndalimeve të parashikuara në ligjin ”Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
dh)  Ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila nuk është parashkruar, sipas legjislacionit që rregullon marrëdhëniet e punës, në momentin e aplikimit;
e) Nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990, sipas ligjit “Për të drejtën e informimit me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.” 

ARGUMENTI:
I njëjtë me nenin 7 të raportit të Komisionit përgjegjës.
Paragrafi 3 i Nenit 15 të raportit të Komisionit përgjegjës, riformulohet si më poshtë vijon:
Neni 15
Paraqitja dhe shqyrtimi i aplikimeve për pozicionet e anëtarëve të Komisionit Qendror të Vlerësimit
"3. Në rast pamjaftueshmërie aplikimesh, Komisioni I Jashtëm i Vlerësimit përzgjedh me short, si anëtarë të Komisionit Qendror të Vlerësimit, punonjës që plotësojnë kriteret e parashikuara në nenin 14 të këtij ligji, të cilët shprehin pëlqimin e tyre paraprak, për përfshirjen e tyre në short."

ARGUMENTI:
Me qëllim garantimin e pavarësisë e organit të vlerësimit dhe me qëllim shmangien e abuzimeve apo favorizimeve të paligjshme në këtë proces, sugjerojmë që paragrafi 3 i nenit 15 të formulohet në mënyrën e paraqitur në raport.
Paragrafi 3 i Nenit 20 të raportit të Komisionit përgjegjës, riformulohet si më poshtë vijon:
Neni 20
Paraqitje dhe shqyrtimi i aplikimeve për pozicionet e anëtarëve të Komisionit Vendor të Vlerësimit
"3. Në rast pamjaftueshmërie aplikimesh, Komisioni Qendror i Vlerësimit përzgjedh me short, si anëtarë të Komisionit Vendor të Vlerësimit, punonjës që plotësojnë kriteret e parashikuara në nenin 19 të këtij ligji, të cilët shprehin pëlqimin e tyre paraprak, për përfshirjen e tyre në short."

ARGUMENTI:
I njëjti arsyetim si për nenin 15.
Në paragrafin 3 të Nenit 23 të raportit të Komisionit përgjegjës, pas togfjalëshit "vijohet me votimin ndërmjet", shtojmë togfjalëshin "2 (dy) ose më shumë":

ARGUMENTI:
Duhet përcaktuar se mes sa kandidatëve do të vijojë votimi I tretë, pasi mbetet e paqartë nëse votimi do të bëhet mes 2 apo 3 apo më shumë kandidatëve. Ne propozojmë të përcaktohet në ligj, për të mos krijuar konfuzion në praktikë.
Në pararafin 1 të Nenit 24 të projektligjit, togfjalëshi “me marrjen e detyrës”, ndryshon në “Kusht për marrjen e detyrës”.

ARGUMENTI:
Nënshkrimi I deklaratës pas marrjes së detyrës, nuk I shërben procesit, aq më tepër që projektligji nuk parashikon se çfarë ndodh në rastet kur, pas marrjes së detyrës, anëtari deklaron ekzistencën e lidhjeve familjare, frekuentimin e vazhdueshëm ose ekzistencën e mosmarrëveshjeve gjyqësore apo administrative, ndërmjet tij dhe punonjësve që I nënshtrohen procesit të vlerësimit. Kjo, pavarësisht që nuk është parashikuar në projektligj, me logjikë juridike, përkthehet në dorëheqje të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit, çka do të na kthente procesin për zëvendësimin e anëtarit edhe një herë nga e para. Për të shmangur këtë moment krejtësisht të panevojshëm, që na kushton kohë, kemi menduar që kandidatët për anëtarë të Komisioneve të Vlerësimit, t'a nënshkruajnë këtë deklaratë përpara marrjes së detyrës.

Paragrafi 2 i Nenit 27 të raportit të Komisionit përgjegjës, ndryshon si më poshtë vijon:
Neni 27
Procedurat për shkarkimin e anëtarëve të komisioneve të vlerësimit
"2. Hetimi disiplinor mund të fillojë me kërkesë të çdo anëtari të komisionit të vlerësimit dhe çdo anëtari të sekretariatit teknik pranë komisionit të vlerësimit."

ARGUMENTI:
Nisja e një hetimi disiplinor duhet të jetë e drejtë edhe e anëtarit të Sekretariatit Teknik pranë Komisionit të Vlerësimit, me qëllim shtimin e një elementi sigurie, në mbarëvajtjen e procesit.
Në Nenin 36 të raportit të Komisionit përgjegjës, pas fjalëve "Shërbimit Informativ të Shtetit"shtojmë fjalët "Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit".

ARGUMENTI:
Që procesi i kontrollit të figurës të jetë sa më i besueshëm dhe i plotë, është e nevojshme që komisionet e vlerësimit, të bashkëpunojnë edhe me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Pika “b”, e paragrafit 6, të Nenit 33 të raportit të Komisionit përgjegjës, riformulohet si më poshtë:
Neni 33
Procedura e vlerësimit të pasurisë
"b) ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasurinë, kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të."

ARGUMENTI:
Formulimi ekzistues lë të hapur mundësinë, që punonjësit të penalizohen edhe në rastet kur burimet nuk mund të justifikohen, për shkak të situatës së informalitetit në ekonomi, i cili ka pasur ndikim gjatë viteve. Ky standard i vendosur me vendosjen e “dyfishit” si kriter, për të caktuar pragun mbi të cilin punonjësit penalizohen, është tashmë pranuar gjatë procesit të reformës në drejtësi, për sa i përket rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në pikën "g", të paragrafit 1, të Nenit 37 të raportit të Komisionit përgjegjës, përpara fjalës "anëtar", shtojmë togfjalëshin "person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm".

ARGUMENTI:
Shtesa bëhet me qëllim saktësimin dhe unifikimin e terminologjisë, sipas formulimit të ligjit "Për të drejtën e informimit  mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë".
Neni 39 i raportit të Komisionit përgjegjës, ndryshon si më poshtë:
Neni 39
Rrethana rënduese në kontrollin e figurës
“Rrethanat rënduese, që merren parasysh në rastet kur formulari i deklarimit nuk është i plotë dhe i besueshëm, janë kur:
Punonjësi nuk pasqyron në formular kontakte, që janë konstatuar nga prova, informacione të besueshme apo të dhëna të tjera; ka të dhëna të tjera për një përfitim, veprim ose pasojë nga kontakti, që krijojnë bindjen e arsyeshme dhe të bazuar se informacioni i marrë, është shpjegimi i vetëm i mundshëm.”

ARGUMENTI:
Pikat "a", "b" dhe "c" kanë pak a shumë të njëjtën përmbajtje, prandaj kemi gjykuar të integrohen në një pikë të vetme. Gjithashtu në pikën "ç" kemi propozuar të zëvendësojmë fjalën "dyshim" me fjalën "bindje", sepse vlerësojmë se nuk është e saktë, pasi nga dyshimet nuk mund te nxirren asnjëherë konkluzione kategorike. Parimi i mosdiskrimimit dhe konkluzioneve të bazuara në prova, është një nga parimet e procedimit administrativ dhe një parashikim i tillë, është në kundërshtim me rregullat e logjikës, si dhe është e pashmangshme që një parashikim i tillë në ligj, nuk do të sjellë asnjëherë një rezultat objektiv dhe konkluzion të sigurtë dhe të shëndoshë.

Pas paragrafit 2, të Nenit 44 të raportit të Komisionit përgjegjës, shtojmë një paragraf 3, me përmbajtje si më poshtë vijon:
Neni 44
Burimet për vlerësimin e aftësive profesionale
"3. Objekt I vlerësimit të aftësive profesionale janë edhe:
Arsimi I punonjësit, subjekt i këtij ligji;
Ecuria disiplinore e tij;
Ecuria në karrierë dhe procesi i fitimit të gradës, sipas legjislacionit në fuqi."

ARGUMENTI:
Këto 3 burime të reja, janë më se të domosdoshme, për arsye të rëndësisë së tyre, jo vetëm për vlerësimin e aftësive profesionale, por dëshmojnë edhe për integritetin e punonjësit subjekt të këtij ligji, si dhe për seriozitetin e strukturave vendimmarrëse brenda institucioneve.

Paragrafi 4 i Nenit 45 të raportit të Komisionit përgjegjës, riformulohet si më poshtë:
Neni 45
Procedura për vlerësimin e aftësisë profesionale
“4. Publiku ka të drejtë të vërë në dispozicion informacione të cilat denononcojnë sjellje jo profesionale dhe jo etike të punonjësit, gjatë apo jashtë ushtrimit të detyrës prej tij. Të gjitha denoncimet apo raportimet e publikut, shqyrtohen nga trupa e vlerësimit dhe përfshihen prej saj në raportin përfundimtar të arsyetuar, të vlerësimit të aftësive profesionale.”

ARGUMENTI:
Ne vlerësojmë se publiku ka aftësinë dhe aktualisht me teknologjinë e zhvilluar, ka mundësinë të bëjë një raportim të sjelljeve jo etike dhe atyre jo profesionale të punonjësit.
Në paragrafin 1 të Nenit 48 të raportit të Komisionit përgjegjës, pas fjalëve “adresën elektronike”, shtojmë fjalën “zyrtare”.

ARGUMENTI:
Ky ndryshim bëhet me qëllim të dallojmë rastet e veçanta të njoftimeve apo komunikimeve nga ato të zakonshme.
Në pikën “d” të Nenit 61 të raportit të Komisionit përgjegjës, hiqen fjalët “për shkak të kontakteve të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar”.

ARGUMENTI:
Gjykojmë që ky togfjalësh, e kufizon rrezen e shkaqeve që mund të cënojnë figurën e punonjësit dhe përjashton mundësinë e ekzistencës së shkaqeve të tjera të rënda, që cënojnë figurën e tij.

Pas nenit 62 të raportit të Komisionit përgjegjës, shtojmë një nen të ri 62/1, me përmbajtje si më poshtë vijon:
Neni 62/1
Trajnimi paraprak i anëtarëve të Komisioneve të Vlerësimit
"1. Anëtarët e Komisioneve të vlerësimit dhe sekretariateve teknike pranë tyre, përpara fillimit të detyrës, i nënshtrohen një procesi trajnimi që kryhet në bashkëpunim me institucionet e parashikuara në këtë ligj dhe misionet ndërkombëtare, që asistojnë Ministrinë e Brendshme.
2. Anëtari i komisionit të vlerësimit dhe sekretariatit teknik, i nënshtrohet trajnimit vetëm një herë, pavarësisht pjesëmarrjes në më shumë se një komision vlerësimi."

ARGUMENTI:
Meqënëse vlerësimi kalimtar i punonjësve subjekt të ligjit është një proces sa delikat, aq edhe specifik, është parë e nevojshme, që anëtarët e Komisioneve të Vlerësimit dhe të sekretariateve teknike prane këtyre komisioneve, përpara fillimit të detyrës, t'i nënshtrohen një procesi trajnues, i cili synon t'i aftësojë edhe më shumë në kryerjen e detyrave të tyre.

Pas paragrafit 4 të Nenit 63, shtohet një paragraf i ri 4.1., me përmbajtje respektive si më poshtë vijon:
"4.1. Punonjësit, që parashikohen në paragrafin 1 të nenit 6, plotësojnë formularët, shtojcë e këtij ligji, çdo vit. Formularët dorëzohen në njësinë e burimeve njerëzore të institucionit përkatës, e cila i mban në ruajtje dhe i përcjell pranë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave , për vlerësimin periodik."

ARGUMENTI:
Me qëllim monitorimin e integritetit të drejtuesve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së, si dhe për të pasur një bazë më të mirë të dhënash, kontroll dhe verifikim më të mirë në rastet e zhvillimit të vlerësimit periodik ndaj tyre, është parë e arsyeshme që kjo kategori punonjësish, të deklarojnë çdo vit.

Pas nenit 66 të raportit të Komisionit përgjegjës, shtohet një nen i ri 67, me përmbajtje si më poshtë vijon:
Neni 67
Nënkomisioni
"Për ndjekjen dhe mbikqyrjen e zbatimit të këtij ligji, në përbërje të Komisionit të Përhershëm për çështjet e sigurisë kombëtare në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, krijohet një nënkomision, i cili oranizohet dhe funksionon sipas parashikimeve ligjore për nënkomisionet."

ARGUMENTI:
Krijimi i këtij nënkomisioni, do të shërbejë si një mekanizëm kontrolli për zbatimin e ligjit, funksion i Kuvendit, që i shërben interesit publik në procesin e vlerësimit kalimtar për Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe SHÇBA-në, pasi është garanci për zbatimin e drejtë të ligjit nga organet përkatëse.

Në paragrafin e dytë, të Deklaratës I, të Shtojcës 2 , togfjalëshi “përjashtimin nga institucioni ku ushtroj detyrën”, zëvendësohet me togfjalëshin “përjashtimin nga detyra”.

Në paragrafin e fundit, të Deklaratës II, të Shtojcës 2, togfjalëshi "lirimin nga policia", zëvendësohet me togfjalëshin "përjashtimin nga detyra"

ARGUMENTI:
Ne gjykojmë që mosplotësimi i saktë dhe me vërtetësi i deklaratës për kontrollin e figurës, duhet të sjellë përjashtimin nga detyra.

 

d.gj/ Shqiptarja.com