Vetullat, sytë dhe 16 Marsi

Vetullat, sytë dhe 16 Marsi

Në dy dekadat e fundit, kryetarët e partive opozitare u kanë bërë thirrje jo rrallë përkrahësve të tyre në gjithë Shqipërinë, që të mblidhen në bulevardin e Tiranës, “për të rrëzuar qeverinë”. Këtë javë, është radha e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, që ta përsërisin këtë refren.

Pas pjesëmarrjes befasisht të ulët në protestën e 5 marsit para Kuvendit, Basha e Kryemadhi kanë mobilizuar vartësit e tyre, duke i shpërndarë në të gjitha rrethet, në mënyrë që të sjellin sa më shumë përkrahës me autobusë dhe furgonë në Tiranë. Synimi është që të mbushet bulevardi plot në 16 mars. Dhe motoja “do ta rrëzojmë qeverinë” mendohet se do të shërbejë për të disatën herë në dy dekadat e fundit, për të joshur sa më shumë përkrahës…

Duke gjykuar nga mbushja e bulevardit në 16 shkurt, gjasat janë që ai do të mbushet përsëri në 16 mars. Por pyetja është se çfarë do të ndodhë pasi ai të mbushet plot. Le të analizojmë tre skenarët e mundshëm.

Skenari 1 – Protestë paqësore

Pas mbledhjes së dhjetëra mijë protestuesve nga të gjitha anët e Shqipërisë, dhe pas disa fjalimeve plot mllef kundër kryeministrit Rama, protesta shpërndahet, duke deklaruar se “kryeministri ka rënë moralisht, përderisa e gjithë Shqipëria është ngritur në protestë”. Kanceleritë perëndimore përgëzojnë drejtuesit e protestës për zhvillimin e saj paqësor, ndërkohë që protestuesit shkojnë tek autobusët dhe furgonët e tyre, e kthehen nga kanë ardhur.

Brenda një muaji këta protestues e kanë bërë dy herë këtë pelegrinazh, me shpresën se Edi Rama do të largohet. Por të nesërmen ai kthehet përsëri i qetë në zyrë, dhe vazhdon me sarkazmat e tij ndaj opozitës. A do t’i përgjigjeshin më thirrjes së Bashës e Kryemadhit këta protestues të zhgënjyer për t’u rikthyer përsëri në Tiranë për një protestë të tretë? Një pjesë e tyre ndoshta jo…

Duke dashur të tregojnë forcën e tyre me grumbullimin e sa më shumë njerëzve në bulevard më 16 mars, Basha e Kryemadhi përgatisin kështu terrenin për protesta anemike në prill e në maj.

Në raste të tilla përdorim shprehjen “Shkoi për të vënë vetulla, por nxori sytë”…

Skenari 2 – Protestë e dhunshme e pasuksesshme

Në mënyrë të ngjashme me protestën e 16 shkurtit, në protestën e 16 marsit mund të mbushet bulevardi plot, dhe militantët më aktivë mund të mësyjnë drejt dyerve të kryeministrisë. Por policia, e pajisur me gaz lotsjellës dhe me tuba që shpërndajnë ujë me presion të fortë, arrin t’i zmbrapsë sulmuesit. Ndërkohë, janë thyer xhama dhe prishet skela e ndërtuar para kryeministrisë, si dhe digjen goma para saj. Këto pamje bëjnë xhiron e mediave ndërkombëtare, ndërkohë që kanceleritë perëndimore dënojnë dhunën.

Të nesërmen fillon nga e para përplasja televizive e palëve, duke interpretuar ndryshe (sipas interesit) deklaratat e zyrtarëve dhe mediave perëndimore, ndërkohë që protestuesit e kthyer në shtëpi i bëjnë pyetje vetes: “A ia vlejti vajtja në protestë?” Dhe një pjesë e tyre mund të vendosin të mos rikthehen më në protestën e radhës, kur Basha e Kryemadhi të bëjnë përsëri thirrje “për të rrëzuar qeverinë”.

Në raste të tilla përdorim shprehjen “Shkoi për të vënë vetulla, por nxori sytë”…

Skenari 3 – Protestë e dhunshme e suksesshme

Duke patur parasysh përvojën e protestës së 14 shtatorit 1998 (kur kryeministri Nano ia mbathi për në Maqedoni i veshur tebdil, dhe vendin e tij e zuri socialisti Majko), Basha e Kryemadhi mund të përgatisin një detashment të organizuar mirë, për të pushtuar kryeministrinë. Le të supozojmë se ky detashment arrin ta përballojë kundërsulmin e policisë dhe futet brenda, duke i hapur rrugën turmës që të shkojë në zyrën e Ramës.

Nga ajo zyrë, Basha i rithekson kancelerive perëndimore, se synimi i tij nuk është të marrë pushtetin me dhunë, por të zbojë Ramën nga qeveria. Duke iu përmbajtur refrenit të derisotëm, ai i bën thirrje PS-së që të krijojnë një qeveri të përbashkët kalimtare deri në zgjedhje, me një kryeministër të saj, të pranuar nga opozita (Majko përsëri?) Në këtë rast do të thuhej se misioni u përmbush, apo jo?

Le ta supozojmë për një minutë se gjithçka shkon sipas këtij skenari, duke presupozuar se Rama do të largohej i turpëruar nga politika (sipas ithtarëve të dhunës, po i zaptoi populli zyrën një politikani, ai nuk ka më fytyrë të mbetet në politikë). Skenari i propozuar nga opozita parashikon zgjedhje të parakohshme të mbikëqyrura një kryeministër socialist i përkohshëm, i cili nuk ka gjasa të kandidojë për kreun e PS-së (pra, nuk do të jetë i interesuar personalisht për deformimin e rezultatit të zgjedhjeve).

Sidoqoftë, opozita nuk mund të përcaktojë se kush do të jetë kandidati afatgjatë i PS-së për kryeministër. Gjasat janë që ky kandidat të jetë Erion Veliaj, si politikani socialist me kuotat më të larta në elektoratin e majtë.

Po a do ta ketë më të lehtë opozita t’i fitojë zgjedhjet e parakohshme përballë Veliajt? Ky i fundit, në një sondazh kombëtar të para disa muajve, më rezultonte me 10 pikë më lart se Rama. Dhe kjo epërsi vinte nga përkrahja që kishte tek elektorati gri (përveç atij socialist). Duke dalë në televizor me përurime të përditshme të punëve të bashkisë së tij (disa dhe jo shumë të rëndësishme), dhe duke iu shmangur konfrontimeve të forta me mediat apo shigjetimeve abrazive të kundërshtarëve, ai duket se ka qenë i suksesshëm në fitimin e simpatisë së votuesve të thjeshtë gri, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.

Nga një sondazh tjetër, më rezultonte se rreth 1.3 milionë banorë në moshë për votim janë ultra të vendosur të votojnë për partitë aktuale. Dhe këto të fundit (në qoftë se nuk shfaqet një parti e re) të gjithë betejën politike e bëjnë për rreth 300 mijë votues të vakët (të majtë, të djathtë e gri), sepse në dy zgjedhjet e fundit numri i pjesëmarrësve ka qenë rreth 1.6 milionë. Duke iu referuar paragrafit të mësipërm, mund të thuhet se Veliaj do ta ketë goxha më të lehtë betejën elektorale ndër votuesit e vakët.

Në qoftë se bën vaki që Basha të garojë përballë Veliajt për kryeministër në të ardhmen e afërt, mund të thuhet me plot gojë se “shkoi për të vënë vetulla, por nxori sytë”…

Epilog

Në botën demokratike apo gjysmë demokratike, protestat shkaktojnë zgjedhje të parakohshme, kur dhjetëra apo qindra mijë qytetarë të revoltuar mbushin pa pushim sheshet ditë e natë, pa patur nevojë t’i sjellin në protestë partitë me autobusë e furgonë. Në mungesë të një situate të tillë, drejtuesit e opozitës shqiptare, si dhe ata që i kanë nxitur t’i futen kursit aktual, duhet të fillojnë të mendojnë qysh sot për zgjedhjet lokale. Konkretisht, ç’do të bëjnë në qoftë se kanceleritë perëndimore deklarojnë se do t’i njohin zgjedhjet lokale, edhe nëse në to përballen kandidatë të pavarur kundër atyre socialistë?/ TEMA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Robi: 11/03/2019 20:04

    Ne rreshtin e pare si gjitmone Muli Geringu, Strazua me Patllake, Kejdi Dhembcakallja dhe Epshurr Brahimkari dhe sharebajgat e leshitdhise

    Përgjigju
  • Hinglateri: 11/03/2019 16:34

    As vetulla as syte.....Monika e Lulush bibilushi te nxjerrin hirin nga... se ju ka hyre thelle e po ju cahet suma

    Përgjigju
  • Populli: 11/03/2019 16:03

    As vetullat e as syte por Lulit e Monikes i ka plasur cipa.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë