Duhen akoma shumë vite, shumë viktima, shumë ndërgjegje, shumë ndjenjë të drejte dhe detyre që t’i shërbejmë njëri-tjetrit siç duhet. Deri tani, respekti i treguar, më shumë se respekt, në të shumtën e rasteve, është një servilizëm i detyruar nga frika ose nga bakshishet nën dorë. Dhe derisa t’ju kenë frikë, do t’ju shërbejnë! Do të ishte iluzion që në Shqipërinë e sotme të kishim të kundërtën. Sikur ky mendim e veprim shumëfishohet, sikur jemi pasqyrë e njëri-tjetrit. Sikur, kush është viktimë në një fushë, bëhet xhelat kur radha i takon. Prej vitesh tashmë ky është një rreth vicioz.

Nuk mund të mohojmë edhe ekzistencën e mijëra djemve e vajzave, burrave dhe grave që shërbejnë me shpirt e me pasion në cdo fushë të jetës ku punojnë. Këta njerëz të mirë të gjithë i dalloni, i dallojmë: Janë të buzëqeshur, plot dritë e të papërtuar. Ekzistenca e tyre është bërë prej pune e mirësie. Por edhe pse mijëra, ende nuk janë shumë, nuk janë mjaftueshëm, nuk janë e përgjithshmja.

E derisa e përgjithshmja të mbushet me dritën, diellin, lulet, zogjtë që cdo qënie njerëzore meriton të ketë, sidomos në periudhën e vështirë të sëmundjes, hallit dhe të nevojës, ju, ne, të gjithë, duhet të jemi të frikshëm. Dhe frika futet me një mjet në duart e kujtdo: telefoni celular, mesazhet, filmimet, shpërndarja e tyre në rrjet, media, e kudo që kemi akses për të denoncuar shantazuesit, gjobëvënësit, shfrytëzuesit në kohë sëmundjesh, halli, e zie.

Mbani atë telefon fort në dorë, regjistroni e denonconi të paudhët që ju zënë prita të turpshme rrugës. E vërteta, dhimbja, e gjen rrugën vetë pastaj për të dalë.