Vëzhgim/ Vera nis me rritjen e çmimit të karburanteve

/ATSH, Nini Mano/ - Çmimi i karburanteve ka pësuar rritje të shpejtë në dy javët e fundit, çka paraflet për fenomenin e njëjtë që u shfaq vjet në sezonin e verës.
Nga një vëzhgim i kryer nga ATSH, rezulton se nga 158-160 lek/ litër në këtë fillimvit, çmimi i karburanteve është rritur me 25 lekë më shtrenjtë, ose 14% më shumë, një rritje që po ecën drejt çmimit rekord 190 lek/litër, aq sa ishte vjet.
Në javën e fundit çmimi i naftës e kapërceu nivelin 180 lek/litër naftë dhe 184 lekë/litër benzinë, duke regjistruar rritjen e 4-t nga fillimviti, ku në prill, rritja u rrit dy herë brenda muajit.
Ndërsa kontrollet po përhapen në të gjithë vendin në pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve, vërehet se ndryshe nga vitet e tjera, grosistët po mbajnë çmime fikse në akse të ndryshme kombëtare.
Sipas një vëzhgimi nga Tirana drejt Korçës, ky fenomen tashmë është i përgjithshëm në gjithë pikat e tregtimit të karburanteve dhe ndryshe nga më parë, kur çmimet varionin sipas kërkesë-ofertës.
Sipas shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, shtrenjtimi lidhet tërësisht me rritjen e çmimit në tregjet ndërkombëtare, ku nafta u tregtua rreth 66 usd/fuçi në fundjavë me rritje ditore 4.2%, me rritjen e dollarit amerikan forcimi i dollarit, që këmbehet me 130 lekë, nga rreth 108-110 lekë të njëjtën periudhë të një viti më parë si dhe taksat e qarkullimit dhe rritja e TVSH-së.
Edhe se në bursat botërore çmimi mbetet larg rekordeve të një viti më parë, kur arriti 120 Usd/fuçi, tregu shqiptar i karburanteve vazhdon avazin e vjetër: rritjen e çmimeve në sezonin veror.
Rritja e menjëhershme e çmimit të naftës këto ditë ka bërë që të reagojë Autoriteti i Konkurrencës, që vijon një monitorim të vazhdueshëm. Sipas këtij institucioni, po mblidhen të dhëna dhe raportime nga tregu grosist për çmimin dhe kohën që kalon zhdoganimi i karburanteve nëpër Doganat, deri në reflektimin e çmimit të tyre në pikat e shitjes me pakicë.
Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar që Ministria e Energjisë dhe Industrisë të ngrejë Njësinë e Mbikqyrjes së çmimit, si mënyra që do të shmangë abuzimet me naftën, duke formalizuar 100% tregun e karburanteve.
Në vendet e rajonit janë Entet Rregullatore që kontrollojnë dhe nxjerrin çdo ditë çmimet për shitjen e karburanteve.
Në Shqipëri edhe pse shpesh është pranuar nevoja e një enti të tillë, nuk ka ende hapa konkrete për një institucion të tillë shtetëror që të ushtrojë kontrollin e vet duke shmangur plotësisht abuzimet e mëdha në një treg, që llogarit fitim vjetor prej mbi 100 milionë usd.
Ndërkaq, aksioni në fushën e karburanteve ka përfshirë së fundi tregun e shumicës të karburanteve  dhe punonjësit e tatimeve dhe doganave, që kanë lejuar evazion në këtë treg. Burime të ministrisë së Zhvillimit Ekonomik bëjnë të ditur se aksioni synon vendosjen e konkurrencës së barabartë në një treg, që ndër vite është lejuar të vjedhë shtetin dhe konsumatorin.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja