Serie A e futbollit ka mbyllur javën e 31-të. Në Bergamo, Atalanta vendase fitoi 3-1 me Romën në një ndeshje me emocione dhe katër gola. Në këtë duel për vendasit u dëmtua Berat Gjimshiti, me mbrojtësin e Kombëtares që mund të ketë humbur pjesën e mbetur të sezonit.
Dueli në "Gewiss Stadium" nisi me ritëm, teksa goli i parë u shënua në minutën e 39 nga vendasit. Asisti i Zapatës u shfrytëzua mirë nga Pasalic, që me një të majtë nga brenda zonë e ndali sferën në rrjetën e kryeqytetasve. Në pjesën e dytë u shënuan edhe tre gola, teksa sërish ishte Atalanta që me Toloi shënoi për 2-0 në të 74 minutë. Lorenzo Pellegrini në minutën e 83 shkurtoi shifrat në 2-1, teksa vetëm një minutë më vonë Atalanta gjeti golin e tretë me Kopmeiners.
Në këtë duel, mbrojtësi i Kombëtares Berat Gjimshiti doli i dëmtuar në të 73 minutë, teksa trajneri Gasperini konfirmon se lëndimi mund të jetë i rëndë.
"Mendoj se Gjimshiti mori një goditje të fortë në gishtin e madh të këmbës. Duhen testet për të provuar nëse bëhet fjalë për thjesht një goditje apo nëse kemi të bëjmë me një thyrje. Në ditët në vijim do ta shohim, por rreziku ekziston”, u shpreh Gasperini.
Pas javës së 31-të, Roma me 56 pikë mban vendin e pestë, teksa Atalanta me 52 pikë renditet në vendin e shtatë.