Kamerat e vendosura në burgun e sigurisë së lartë në Altiplano, kanë zbuluar pamjet e arratisjes së lordit meksikan të drogës Joaquin Guzman. E shtuna në mbrëmje ishte hera e fundit që Guzman u filmua nga kamerat e burgut, në zonën e dusheve. Ne filmimet e zhvilluara pas arratisjes së tij, shfaqen pamjet e plota të tunelit. 

Hyrja për në tunel, bëhej nga një gropë sekrete 10 metra e thellë, e fshehur në dysheme. Gjatësia e tunelit shkonte deri në 1500 m dhe përfundonte në një shtëpi në ndërtim e sipër në juglindje të burgut, në Santa Juanita. Tuneli ishte i pajisur gjithashtu me sistem ndriçimi dhe ventilimi.

18 punonjës të burgut të cilët ishin në shërbim të shtunën në mbrëmje janë marrë në pyetje nga prokuroria meksikane por nuk ka akoma asnjë konkluzion, nëse ata ndihmuan në arratisjen e Guzman.

Komisioneri meksikan i Sigurisë Kombëtare Monte Alejandro Rubido theksoi se zyrtarët e zbatimit të ligjit janë angazhuar që të gjejnë dhe të kapin të arratisurin. “Të gjitha forcat e sigurisë të shtetit janë vënë në punë në koordinim për të bërë të mundur kapjen sa më shpejtë të Joaquin Guzmanit”, deklaroj ai.