LONDËR - Vetëm një ditë pas zhgënjimit në finalen e Champions League ndaj Paris Saint Germain, Arsenali ka lënë pas humbjen evropiane dhe është përqendruar te festimi i një suksesi historik në kampionat.

“Topçinjtë” zhvilluan të dielën paradën zyrtare për fitimin e titullit të Premier League, duke rikthyer trofeun në Londrën Veriore pas një pritjeje prej 22 vitesh. Festa mblodhi një numër rekord tifozësh, të cilët mbushën rrugët kryesore të kryeqytetit anglez për të përshëndetur skuadrën kampione.

Sipas raportimeve të 'The Guardian', afro 1 milion tifozë morën pjesë në festimet që zgjatën rreth dy orë e gjysmë. Lojtarët dhe stafi teknik udhëtuan me autobus me çati të hapur, ndërsa rrugët e Londrës u mbushën me flamuj të kuq, këngë festive dhe fishekzjarrë. Itinerari i skuadrës zgjati për tetë kilometra, duke mos munguar incidentet sporadike.

Atmosfera arriti kulmin në qendër të qytetit, ku mijëra mbështetës festuan së bashku një prej momenteve më të rëndësishme në historinë moderne të klubit. Pavarësisht humbjes në finalen e Champions League në Budapest, tifozët e Arsenalit e kthyen ditën në një festë të madhe, duke vlerësuar sezonin e suksesshëm të skuadrës.

Titulli i sezonit që sapo u mbyll ishte i 14-ti në historinë e Arsenalit dhe i pari që prej vitit 2004, duke i dhënë fund një pritjeje të gjatë për një nga klubet më të mëdha të futbollit anglez.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 1 Qershor, 11:02

    Jeni me Edi Ramën për zhvillimin e Zvërnecit?