Vedat Muriqi, sulmuesi i Kosovës ka shënuar golin e shtatë në La Ligan spanjolle të futbollit. Mallorca e tij ia doli të fitonte 1-2 kundër Getafes në Madrid, kjo për raundin e 38-të dhe të fundit të kampionatit.
Ishte Getafe që shënoi golin e avantazhit me nisjen e pjesës së dytë, teksa trajneri Aguirre vendosi të hidhte në fushë Muriqin. Shqiptari nuk zhgënjeu dhe shënoi golin e barazimit në minutën e 90-të, para se Maffeo të shënonte në minutën 90+3 dhe Mallorca të merrte tri pikë, për ta mbyllur sezonin në pozitën e 14-të me 40 pikë.