ITALI - Milani nuk ka mundur dot t'i afrohet Interit që mban kreun e Serie A, me këta të fundit që u ndalën 1-1 nga Atalanta në 'San Siro'. Kuqezinjtë e Max Allegrit u mposhtën 1-0 nga Lazio mbrëmjen e të dielës në 'Olimpico', sfidë e cila vlente për raundin e 29-të në kampionat.

Bardhekaltrit e Sarrit ishin më kërkues, teksa në minutën e 24-t goditën traun e portës. Vetëm dy minuta më vonë, Marusic dha një pasim të gjatë për Isaksen, i cili përfitoi nga gafa e Estupinan, kontrolloi bukur topin dhe me të majtën nuk e pati të vështirë të 'thyente' portierin Maignan.

Paçka rasteve që u paraqitën gjatë ndeshjes, rezultati mbeti i pandryshuar dhe Lazio siguroi tri pikë të arta përballë Milanit. Te kuqezinjtë nuk munguan nervat, kjo pasi trajneri Allegri vendosi të zëvendësonte Rafa Leaon në minutën e 66-të dhe në vend të tij hodhi në fushë Fullkrug, ndërsa portugezi nuk e pranoi këtë gjë dhe protestoi ashpër, aq sa as përqafimi i Allegrit nuk ishte i mjaftueshëm për ta qetësuar. Për këtë reagim të sulmuesit edhe drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, u filmua i tërbuar në tribunë. Tare vinte si një ish i Lazion në 'Olimpico'.

Lazio kështu siguron fitoren e dytë radhazi dhe me 40 pikë ngjitet në vendin e nëntë, ndërsa Milani me 60 pikë mbetet në pozitën e dytë, tetë pikë pas Interit kryesues.

Gjithashtu të dielën Como përmbysi 2-1 Romën, duke marrë fitoren e katërt radhazi për t'u ngjitur në vendin e katërt me 54 pikë dhe lënë pas Juven dhe Romën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:25
Allegri 'i jep trofeun' Interit: Të jemi realistë, ne duam Championsin! Leao? Asnjë çështje me të

1773649640_massimilianoallegrirafaelleao.JPG

Milanit i mjafton një vend mes katër skuadrave më të mira në Serie A për këtë sezon. Këtë e ka cilësuar sërish Massimiliano Allegri, trajneri i Milanit, pas humbjes 1-0 që ekipi i tij pësoi 1-0 nga Lazio në 'Olimpico'. Asnjë çëshje 'Leao' pas përplasjes me sulmuesin i cili nuk pranoi zëvendësimin në pjesën e dytë.

"E dinim vështirësinë e ndeshjes. Duhej të ishim më të rregullt në pjesën e parë për të shmangur golin që pësuam. Pastaj gabuam shumë teknikisht, duke i dhënë shumë hapësira në fushë të hapur Lazios që luan më vertikalisht. Gola të tillë nuk duhen pësuar.

Në pjesën e dytë ata ranë fizikisht dhe ne bëmë më mirë, por nuk mjaftoi. Ky është futbolli, duhet të rikthehemi menjëherë.

Për objektivin sezonal? Shumë flisnin për titullin, por duhet të jemi realistë dhe të mendojmë për objektivin e Championsit, përndryshe rrezikojmë të shkatërrojmë atë që kemi ndërtuar në 6 muaj.

Debati me Rafael Leaon? Ishte nervoz sepse pati situata ku mund të ishte shërbyer më mirë. Janë gjëra që ndodhin gjatë një sfide", tha trajneri i Milanit mes të tjerash.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 14 Mars, 23:51

    18 vite nga Gërdeci, a besoni se do ndëshkohen përgjegjësit e vërtetë?