Apolonia U-19 ka fituar 3-1 kundër moshatarëve të Astana në ndeshjen e kthimit play-off në Uefa Youth League. Dueli i zhvilluar pasditen e së mërkurës në stadiumin "Loni Papuçiu" në Fier ka folur për skuadrën e trajnerit Bledar Borova, që në ndeshjen e parë në Kazakistan barazuan 1-1.
Sfida është hapur që në minutën e 14 nga 19 vjeçarët tanë, që kaluan në epërsi me Maksutin. Pjesa e parë është mbyllur me avantazhin minimal të Apolonisë, ndërsa në të 60 minutë ka qenë sërish kapiteni Maksuti që do shënonte dopietën personale dhe të dytin për Apoloninë. Dominimi i bardhjeshilëve është vënë re edhe në minutën e 72, kur Kurti do çonte shifrat në 3-0. Në të 77 minutë, goli i Zhumabekov do shkurtonte shifrat për miqtë, që në fund rezultoi sa për statistikë.
Me fitoren e përgjithshme 4-2, Apolonia U-19 kalon në turin e radhës play-off, aty ku e pret skuadra e Hajduk Split. Për të parën herë në histori një skuadër nga Shqipëria ia del të shkojë në këtë fazë të moshave, duke tentuar tanimë që të kalojë në grupe. Ndeshjet e radhës luhen në 26 tetor dhe e kthimit në 2 nëntor.