RUMANI - Sulejman Demollari u rikthye mes emocioneve të forta fundjavën që lamë pas në stadiumin e Dinamos së Bukureshtit, klubin ku shkroi një nga kapitujt më të rëndësishëm të karrierës së tij. Ish-lojtari i kombëtares shqiptare ishte i ftuari special i klubit rumun dhe u prit me duartrokitje nga tifozët në stadium, përpara sfidës së fituar kundër CFR Cluj në kampionat.

Në një atmosferë festive, Demollari mori pjesë në ceremoninë para ndeshjes, duke shkelmuar topin në mënyrë simbolike. Vizita e tij lidhet edhe me realizimin e një dokumentari për jetën dhe karrierën e tij, ndërsa prania në stadium riktheu kujtimet e viteve të arta.

“Rikthehem në Rumani pas shumë vitesh. Ishte një emocion i madh për mua. Kam kaluar vite të arta këtu dhe vazhdoj ende t’i ndjek ndeshjet e Dinamos. Tifozët më kanë respektuar gjithmonë dhe unë kam një admirim për ta”, u shpreh ish-mesfushori i cili nuk mundi t'i mbante lotët në intervistën pas ndeshjes.

Demollari mbetet një figurë historike për klubin rumun, pasi ishte ndër lojtarët e parë të huaj që la gjurmë të thella në futbollin vendas. Gjatë katër sezoneve me Dinamon e Bukureshtit në fillimin e viteve '90-të, ai realizoi 36 gola në 100 ndeshje dhe fitoi titullin kampion, duke u vlerësuar si një nga të huajt më të suksesshëm që ka veshur fanellën e skuadrës.