Pas nënshkrimit të marrëveshjes për targat me Serbinë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është goditur ditën e sotme me qershi nga Partia Socialdemokrate.

“Kryeministri po i përdorë diskutimet me qytetarë si platformë për t’i ikur temës kryesore, koncesionit. Ai është i interesuar që tema e mbrëmshme të harrohet sa më shpejt, sepse prapa pranimit të djeshëm për çështjen minore, si puna e targave, fshihej çështja madhore, pranimi i Asociacionit. Ato data e afate ishin për ta ushqyer imazhin prej rezistenti, i cili i dështoi. Kryeministri i hëngri fjalët e tij. Secilën. Bash sikur fabula me qershi. E dëmin po e hajnë qytetarët e vendit, pa dallim. z. Kryeministër, qershizat janë veç për juve”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga PSD.

Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga Albin kurti, i cili u largua nga rojet e sigurisë menjëherë pas sulmit.

Pas më shumë se 6 orësh në negociata, dy kryenegociatorët e Serbisë dhe Kosovës ranë dakord për zbatimin e një marrëveshjeje, me ndihmë të shefit të diplomacisë së BE-së, Borrell. Marrëveshja përmban ndalimin e lëshimit të targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës nga ana e Serbisë. Nga ana tjetër, Kosova do të ndërpresë ndalimin e automjeteve serbe në kufi duke mos i detyruar për të kryer riregjistrim të mjeteve. Marrëveshja është pritur mirë edhe nga Shtetet e Bashkuara, sipas të cilave, dakordësia shmangu përshkallëzimin e tensioneve.