ANGLI - Chelsea fitoi të shtunën 3-2 kundër West Hamit në derbin e Londrës, me sfidën e 'Stamford Bridge' që pa përmbysje, pesë gola, sherr masiv dhe një karton të kuq.

Emocionet e ndeshjes së raundit të 24-t në Premier League nisën pas shtatë minutash lojë, atëherë kur Bowen kaloi në epërsi West Hamin. Miqtë do shënonin edhe golin e dytë me Summerville brenda pjesës së parë, duke shokuar Chelsean.

Nisja e fraksionit të dytë pa në fushë një Chelsea më kërkues, gjë që u shpërblye në minutën e 57-të me golin e Joao Pedro. Më pas duhej goli i Cucurellas që rezultati të barazohej 2-2, teksa kishte shumë minuta lojë.

Shtesa e ndeshjes ishte për ata me zemër të fortë, kjo pasi në minutën 90+2 Enzo Fernandez shënoi golin e tretë dhe të përmbysjes së Chelseas, ndërsa në fushë ndodhi një përleshje.

Adama Traore i West Ham goditi Cucurellan, me këtë të fundit që përfundoi në tokë. Aty reagoi Joao Pedro, por mbrojtësi Todibo e kapi për fyti sulmuesin e Chelseat dhe situata u bë e vështirë për t'u menaxhuar.

Pas disa minutave gjakrat u shuan dhe arbitri i tregoi kartonin e kuq Todibo, kjo pas konsultës me VAR.

Me tre fitore radhazi Chelsea ngjitet në vendin e katërt me 40 pikë, ndërsa West Ham mbetet në pozitën e 18-të me vetëm 20 pikë.