Rey Manaj, ky është emri që përflitet më së shumti në Superligën turke të futbollit. Sulmuesi ka gjetur golin e 17-të sezonal me ekipin e tij Sivasspor, duke bërë që të jetë ndër emrat që po konsiderohet nga trajneri Sylvinho për në Euro 2024.
Edhe këtë të shtunë 26-vjeçari nuk zhgënjeu, por shënoi golin e 13-të në Superligë. Sivasspori i tij barazoi 1-1 kundër Hatayspor dhe Manajt iu deshën vetëm 18 minuta lojë për të tundur rrjetën.
Lushnjari lëshoi një "predhë" nga goditja e dënimit në hyrje të zonës, me portierin Kardesler që nuk kishte asnjë mundësi për ta ndalur. Gol i radhës dhe shkëlqim për Manajn, që veç 13 golave në elitën turke ka shënuar edhe katër në Kupë.