Mirupafshim Milano! Rafael Leao është gati të marrë avionin privat drejt Stambollit dhe për herë të parë po mendon si futbollist i Galatasarayt. Ai udhëton me tre persona, Abdullah Kavukcu, zëvendëspresidentin e Galatasarayt, i cili kishte ardhur në Milano posaçërisht për të; George Gardi, këshilltarin strategjik të klubit turk dhe Antonio Leo, avokatin që e ka ndjekur Rafan që prej kohës kur ai luan në Itali dhe që ishte shumë i rëndësishëm edhe në rinovimin e kontratës së tij.
Këtë mbrëmje, Leao do të jetë në stadium për ndeshjen Galatasaray - Goztepe, në javën e tretë të kampionatit. Ai do të njohë tifozët e tij të rinj dhe do të pritet në mënyrë madhështore, sepse në Turqi nuk kursehen decibelët, sidomos për një futbollist për të cilin janë paguar 43 milionë euro. Nesër do të jetë dita e kontrolleve mjekësore dhe firmosjes së kontratës.
Fjalët e fundit për tifozët e Milanit - “Doja të isha në fushë, t’i përshëndesja tifozët dhe të ndieja energjinë e tyre. Nuk ishte e mundur, por i uroj më të mirën Milanit dhe do të vazhdoj ta ndjek nga larg. Faleminderit shumë tifozëve, që nga dita e parë jam ndier si në shtëpinë time. Nëse gazetarët dhe kritikat më kanë zemëruar? Kur bën mirë, flitet mirë për ty, kur nuk bën mirë, është e drejtë që njerëzit të flasin. Por nëse flitet për ty, kjo ndodh sepse ke diçka ndryshe”, tha ai.
Tani flitet për një kapitull të ri që sapo po hapet. Me një detaj të rëndësishëm, kontrata e Rafas me Galatasarayn do të jetë katër vjeçare. Katër vite, jo pesë. Paga, siç dihet prej muajsh, do të jetë XXL, 12 milionë euro në sezon, pothuajse dyfishi i asaj që Leao merrte te Milani.
Ai do të jetë më i pasur, do të vazhdojë të jetë babai i dy fëmijëve të tij, por njëkohësisht do të jetë edhe një njeri tjetër, me zakone që duhet t’i rindërtojë pas shtatë vitesh në Itali. Qytet i ri, jetë e re, numër i ri në fanellë.
Numrat 10 dhe 17, numrat e jetës së Rafas, te Galatasaray janë të zënë. Kështu, Leao ka zgjedhur numrin 27. Në Stamboll pritet të shiten mijëra fanella me numrin 27.









Komente
Komento