MEKSIKË - Gjatë ndeshjes së futbollit mes Alebrijes Oaxaca dhe Dorados në Meksikë, një ndërprerje e papritur solli të qeshura dhe befasi tek shikuesit. Një qen bëri 'hyrje madhështore' në fushë, duke ndërprerë duelin.
Rezultati ishte 4-0 në favor të Alebrijes Oaxaca kur katër putroshi u fut në fushë. Objektivi kryesor i qenit? Topi, të cilin portieri i Dorados, Hernan Mendoza, sapo e kishte marrë në dorë.
Pasi nuk u ndal dot nga siguria dhe lojtarët, qeni me topin në gojë nisi të 'driblonte' këdo i dilte para. Skena ishte gazmore sa edhe gjyqtari i katërt, duke ruajtur profesionalizmin e tij, tregoi tre minuta shtesë mes kaosit të vazhdueshëm të shkaktuar nga qeni.