TIRANË - Qentë e rrugës prej kohësh janë kthyer një një problem të madh për qytetarët e Tiranës. Në qendër të kryeqytetit pothuajse çdo ditë turma qensh lëvizin nëpër këmbët e qytetarëve.

Në videon e publikuar nga Nisma #Thurje, një qytetarë ka filmuar turmën me mbi 10 qen të cilët lëvizin nëpër rrugët e qendrës së Tiranës.

Qytetari i shqetësuar i bën thirrje kryetarit të bashkisë të marrë masa urgjente për largimin e qenëve të rrugës. Lëvizja e tyre nëpër rrugët e kryeqytetit sipas tij përveçse e turpshme është edhe e frikshme.

“Eshte nje mesazh konkret drejtuar Kryetarit te Bashkise. E kam filmuar në mes të Tiranës dhe është përvecse e turpshme edhe e frikshme. E ke të pamundur të lëvizesh dhe të mendosh që po flitet për qendrën e Kryeqytetit. Duhen marrë masa urgjent”, - shkruan qytetari .
 
Ndërkohë pak ditë më parë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka premtuar se të gjithë qentë e rrugës do të strehohen në kapanonet e administruara nga ky institucion, çka do të bëjë që makthi i kryeqytetasve nga qentë e rrugës të marrë fund.