Rey Manaj, ky është emri që po trazon ambientin e Kombëtares në sulm. Lushnjari është rikthyer ai i dikurshmi dhe pasi ka lënë pas dëmtimin është "vrastar" para portës.
Sulmuesi e ka treguar këtë gjë edhe sot, me Sivassporin e tij që fitoi 1-0 kundër Besiktasit, në javën e 23-të në elitën e futbollit turk. Manajt iu deshën vetëm gjashtë minuta lojë.
Një e majtë nga jashtë zone mori trajektore të çuditshme, duke bërë që Destanoglu në portë mos e kontrollonte dot sferën. Ky gol i mjaftoi Sivassporit të merrte tri pikë kundër skuadrës së Fernando Santos dhe Milot Rashicës.
Trajnerit portugez duket se shqiptarët i janë kthyer në makth, teksa e lanë jashtë Euro 2024 me Poloninë, nga ku më pas erdhi edhe shkarkimi. Manaj në këtë duel është vlerësuar si më i miri me notën 7.8, teksa ky ishte goli numër 15 këtë sezon.