Përkujtimi i kryengritjes së Ilindentit në Krushevë është shoqëruar me thirrje ofenduese ndaj shqiptarëve. Ashtu sikur vitet e shkuara, edhe këtë vit përkujtimi i “Meçkin Kamen” në Krushevë, nuk kaloi pa incidente nacionaliste dhe thirrjet “Shqiptari i mirë, shqiptar i vdekur”.

Thirrjet u bënë në momentin që përfaqësues qeveritar vendosën kurora me lule pranë përmendore së kryengritësve të Ilindenit. Thirrjet anti-shqiptare ndodhën përpara syve të presidentit Gjorgje Ivanov.

Ivanov doli para qytetarëve me një fjalim të ashpër kundër pushtetit. Ai kundërshtoi ashpër marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, e cila sipas Ivanovit, e ridefinon shtetin dhe e nënshtron atë ndaj Greqisë si dhe e fshin identitetin dhe historinë maqedonase. 

Të nderuar bashkëqytetarë, treguesi më i madh për vlerat e një populli është konsensusi rreth asaj që nuk është në shitje. Emrin e kemi të madh. Do të duan të na marrin, parashikoi Bllazhe Koneski. A me Marrëveshjen e dëmshme greke, ne vetë vullnetarisht do ta japim emrin?! Çështja e emrit dhe identitetit është më e vjetër se secila Kushtetutë, se secila Qeveri, se secili President. Madje është më e vjetër se shteti. Asnjë individ, nga asnjë gjeneratë nuk ka të drejtë të bëjë tregti me këtë emër dhe me këtë identitet. 

Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë

Presidenca nuk distancohet, Qeveria: Hetim thirrjeve për urrejtje!
Ndonëse Presidenca e Maqedonisë as nuk u distancua nga thirrjet, e jo më t'i dënonte, një gjë të tillë e bëri Qeveria. Ekzekutivi i Zoran Zaev i dënoi thirrjet e manifestuara raciste në ditën e shënimit të 2 gushtit.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë i dënon thirrjet për urrejtje dhe dhunë, që janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe u bën thirrje institucioneve kompetente t’i hetojnë këto dukuri dhe të marrin masa adekuate. Ilindeni është ditë për bashkim dhe jo ndarje. 

Thuhet në komunikatën e Qeverisë