Riad, Arabia Saudite - "SuperMario", kjo do ishte nofka perfekte për Mario Mitajn, mbrojtësin e Kombëtares që shkëlqeu sërish në Arabinë Saudite edhe pse në fushë kishte emra si Cristiano Ronaldo, Karim Benzema, Sadio Mane, N'Golo Kante, Joao Felix apo Kingsley Coman.
Al Ittihad fitoi 1-2 kundër Al Nassr në 1/8 e Kupës së Mbretit, në një ndeshje që e largoi sërish Cristiano Ronaldon nga trofeu, si një tjetër 'mallkim' në aventurën e tij arabe.
Përballja mes 25 mijë spektatorëve nisi e vrullshme dhe miqtë e Al Ittihad kaluan në epërsi pas 15 minutave lojë me Karim Benzema. Në minutën e 30-të Angelo vendosi ekuilibrat momentalë, por fundi i fraksionit të parë kishte rezervuar surpriza.
Mario Mitaj, mbrojtësi i Kombëtares, dhuroi një pasim fantastik për Aouar dhe ky i fundit nuk gaboi duke shënuar golin që i dha të drejtën Al Ittihad të kalonte më tej. Një paraqitje monumentale për Mario Mitaj, që ishte "Njeriu i Ndeshjes" dhe "SofaScore" e vlerësoi me notën më të lartë, 8,4.
Komente







