Franca humbi finalen kundër Argjentinës në Botërorin e Katarit, megjithatë në pjesën e dytë pati një ndryshim drastik të "Gjelave". Me dy gola të pësuar në pjesën e parë, Franca duket e shokuar në dhomat e zhveshjes. Në një video që po qarkullon në kanalet e komunikimit, lojtarët e Francës duken me kokën poshtë teksa vetëm Mbappe po karikon grupin.
“Është loja e jetës sonë. Kjo është vetëm çdo 4 vjet. Nuk mund të bëjmë më keq se në këtë pjesë të parë. Ne kthehemi në fushë dhe mund të përmbysim gjithçka. Djema çfarë do bëjmë në pjesën e dytë, kemi bërë një ndeshje të dështuar", thotë Mbappe mes të tjerash.
Në pjesën e dytë në fushë u duk një Francë tjetër, me Mbappe që shënoi dopietë dhe e dërgoi ndeshjen në shtesë. Franca u mposht në finale nga penalltitë, ndërsa Mbappe është lider jo vetëm në fushën e lojës.