VIDEO/ Titulli i 20-të, tifozët e Interit 'djegin' Duomon! Festë e madhe në Milano dhe qytete të tjera

Interi është kampioni i freskët i Italisë. Fitorja 1-2 në derbin me Milanin zyrtarizoi edhe titullin e 20-të në Serie A për zikaltërit, që e shijuan më shumë duke fituar në një ndeshje kundër "kushërinjve".

Gëzimi ka qenë i madh te lojtarët, që pasi festuan në fushë me tifozët, e sportuan gjithçka në dhomat e zhveshjes ku nuk mungoi shampanja. Kampion për herë të parë me Interin është edhe Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares.

Nga "San Siro" festa e tifozëve u spostua në sheshin historik Duomo. Tifozët e gdhinë në rrugë, teksa nuk mungoi as gëzimi dhe organizimet në qytetet e tjera të Italisë dhe jo vetëm.

Lojtarët kanë qenë prezent dhe janë bashkuar në gëzimin e titullit të 20-të, që do të thotë edhe yllin e dytë në fanellë. Ky sukses është i pari për shumë lojtarë, përfshi këtu edhe trajnerin Simone Inzaghi.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:02
VIDEO/Zikaltërit i ‘vënë flakën’ Tiranës, mbi 1 mijë tifozë të Interit festë te Amfiteatri për titullin kampion

 

Titulli i 20 i Interi, që korespondon me yllin e dytë në fanellë, u festua shumë dhe gjatë edhe në Tiranë. Më shumë se mijë zikaltër ishin të mbledhur në Amfiteatrin e Tiranës ku ndoqën sëbashku derbin e fituar 2-1 kundër Milanit, që solli edhe sigurinë matematikore për titullin kampion.

Ky organizim u bë falë Inter Club Albanias, që është edhe nga Inter Clubet më të mëdha pjesë e klubit zikaltër. Për këta tifozë, kjo ditë do mbetet e veçantë, pasi sëbashku patën mundësinë që për herë të parë të gëzonin titullin kampion në një ndeshje derbi.

Ora 13:21
VIDEO/ Asllani dhe Calhanoglu festojnë titullin në rrjetet sociale, turku: Ça bone zemra


Kristjan Asllani dhe Hakan Calhanoglu janë zgjuar vonë këtë të martë, kjo pas festës për titullin e 20-të kampion të Interit në Serie A. Dy mesfushorët zikaltër e kanë zhvendosur festën në kanalet e komunikimit.

Turku Calhanoglu nuk ka ngurruar të provojë shqipen, me Asllanin që tregon se ai e kupton gjuhën. "Ça bone zemra", dëgjohet turku, apo edhe "Urime shqipe", duke lexuar komentet e ndjekësve.

VIDEO E BISEDËS MES ASLLANIT DHE CALHANOGLU

Ora 12:41
Kapiteni legjendar i prekur, Javier Zanetti: Ky Inter bëri të lumtur miliona tifozë anembanë botës


Pas sigurimit të titullit të 20-të kampion në Serie A nga Interi, për mediet foli edhe kapiteni legjendar Javier Zanetti. Ish-mbrojtësi që tanimë ka një rol drejtuesi në klub tregoi se ky është një moment i veçantë për yllin e dytë në fanellë, çka gëzoi miliona zikaltër anembanë botës.

"Është një mbrëmje e mrekullueshme, i gjithë ambienti i Interit e priste këtë moment. Ne fituam titullin në një mbrëmje të rëndësishme, këta djem në fitimin e këtij kampionati bënë diçka të jashtëzakonshme, fituan yllin e dytë.

Që në fillim të gjithë donin të luanin një sezon të rëndësishëm dhe ne ishim të vetëdijshëm që ishim një ekip i fortë. Kampionati është i merituar. Sidomos në momente të vështira, se besimi në kulturën e punës nuk duhet të dyshohet, në kohë të vështira duhet të besosh edhe më shumë në të, ky ekip ka vlera të rëndësishme sidomos nga pikëpamja njerëzore.

Inzaghi? I jashtëzakonshëm në radhë të parë si njeri. Dhe më pas shumë i mirë në menaxhimin e momenteve të vështira, ai beson në punë. Mendoj se as që e kupton atë që ka bërë, por ka bërë të lumtur miliona tifozë të Interit anembanë botës", tha legjenda Javier Zanetti.

Ora 10:28
Juventusi uron Interin, ish-presidenti Agnelli ironizon zikaltërit: 16 maj 1982


Interi siguroi dje titullin e 20-të në Serie A. Të shumta kanë qenë urimet për këtë sukses, duke mos munguar as nga Juventusi. "Urime Interit për fitimin e titullit", shkruajnë bardhezinjtë.

Me këtë mendim nuk është pajtuar ish-presidenti i "Zonjës". Andrea Agnelli i ka kujtuar Interit se Juventusi e ka siguruar titullin e 20-të në vitin e largët 1982, pikërisht më 16 maj. Në një postim me numra romak, Agnelli ka thumbuar zikaltërit.

Me numra romakë, "16 maj 1982". Domethënë, dita kur Juventusi fitoi kampionatin e 20-të. Suksesi 1-0 në Catanzaro me një gol nga penalltia të Brady 15 minuta nga fundi, për të fituar titullin e sezonit 1981-82 me një pikë avantazh ndaj Fiorentinës.

 

Ora 10:14
Simone Inzaghi: E jashtëzakonshme, ia dedikoj familjes


Trajneri i Interit, Simone Inzaghi është i lumtur për titullin e parë kampion në histori. Ai i siguroi Interit "Scudetton" e 20-të dhe yllin e dytë në fanellë, teksa emri i tij do shkruhet me gërma të arta në historinë e Serie A. Për familjen, ky ishte dedikimi i trajnerit.

"Është një arritje e jashtëzakonshme, ne bëmë diçka të pabesueshme dhe është e drejtë ta ndajmë atë me sa më shumë njerëz të jetë e mundur. Ka kaq shumë protagonistë të këtij suksesi, në radhë të parë lojtarët, por edhe drejtorët dhe presidenti Steven Zhang, pasi çdo gjë që na nevojitej gjatë këtij rrugëtimi na u sigurua.

Është e qartë se mendimet e mia shkojnë edhe te familja ime, gruaja ime Gaia, fëmijët e mi, prindërit e mi. Kufizimi im është se shpesh nuk mund ta lë punën time dhe prirem ta sjell me vete në shtëpi, por ato ishin thelbësore për mua", tha ai.

Ora 09:35
Lautaro në lot: Një ëndërr, tani s'e mendoj rinovimin


Kapiteni i Interit, Lautaro Martinez foli pas zyrtarizimit të titullit të 20-të kampion në Serie A. Një ëndërr, kështu e quan argjentinasi kampion bote që kërkon të shijojë gjithçka dhe nuk e ke mendjen te rinovimi. Për DANZ ai u pa në lot.

Çfarë më emocionon mua? Më vjen të qaj sepse është një ëndërr. Vuajtëm dhe punuam shumë, e merituam këtë gëzim. Ia dedikoj familjes sime, shokëve të skuadrës dhe fansave.

Çfarë do t’i thuash familjes?

Janë gjëja më e bukur që më ka dhënë jeta. Ky është dyfishi i lumturisë.

E keni pritur ndonjëherë një Scudetto si kjo?

U thashë djemve, ne ishim në një situatë që nuk e kishim përjetuar më parë dhe duhej ta përfitonim.

Çfarë vlere ka ky titull si kapiten?

Shumë, është një vlerë e jashtëzakonshme.

Si ishte udhëtimi me Inzaghin?

I bukur, ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Që kur erdha kam fituar shumë me këtë klub, duhet të vazhdojmë kështu.

Tashmë fansat presin firmën për rinovimin. Si është situata?

Le të shpresojmë, sot dua ta shijoj këtë festë. Kemi punuar shumë që nga vera, kemi ndryshuar 12 lojtarë dhe e meritojmë. Tani dua të festoj", tha ai.

Ora 09:25
Kristjan Asllani shijon titullin me Interin: Ende s'e kam kuptuar që e siguruam trofeun


Një "tullë" në suksesin e 20-të të Interit në Serie A e vendosi edhe Kristjan Asllani. Mesfushori i Kombëtares pas ndeshjes është shprehur i lumtur për këtë sukses.

"Jemi shumë të lumtur, nuk ka fjalë që e përshkruan. Si tifoz i Interit, nuk mund të kërkoja asgjë më të mirë. Jemi të lumtur, edhe sot ishim larg shtëpisë, por kishte shumë tifozë.

Ndoshta ende nuk e kam kuptuar që e kemi fituar këtë kampionat, do të shohim nesër në mëngjes. Fitorja në derbi ndoshta ka edhe më shumë rëndësi. Ne e donim titullin, ia dolëm. Tani le të vazhdojmë”, deklaroi Asllani.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025