HUNGARI- Një këngëtare hungareze e quajtur Boggie ka publikuar videon e këngës së saj më të re të kënduar në frëngjisht, “Nouveau parfum” apo “Parfumi i ri”. Duket diçka normale publikimi i një video, por i veçantë është fakti që në këtë video këngëtarja këndon dhe ndërkohë një program kompjuterik rregullon imazhin e saj.
 
Video është vërtet diçka e veçantë dhe krijuese, dhe tregon se si rregullohet imazhi i një personi duke përdorur “Photoshop” apo programe të tjera në modifikimin e çdo pjesë të fytyrës së një personi, duke bërë që çdo defekt të bëhet i padukshëm.

Zakonisht, imazhi i një artisti shihet si perfekt dhe i paprekshëm, por qëllimi i videos së këngëtares hungareze Boggie, është që të tregojë se si një bukuri natyrale me disa modifikime kompjuterike, kthehet në bukurinë e një ylli të skenës dhe një personi të famshëm. Ajo gjithashtu ironizon edhe transformimin e modeleve që mbushin kopertinat e revistave në të gjithë botën.
 
Kjo video në shumë pak kohë nga publikimi i saj në platformën “Youtube”, ka arritur më shumë se 2 milionë klikime.
 
Boggie është emri i artit i këngëtares Csemer Boglárka, një këngëtare hungareze e cila ka gjetur një formë shumë të veçantë për t’u bërë e famshme.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)