BRITANI - Një femër është filmuar duke hyrë në një supermarket hipur mbi një kalë dhe blen një kanaçe të Pepsit. Ajo ishte filmuar nga miqtë e saj duke shkuar për në supermarket, kurse policia e quajti një gjë të tillë "qesharake dhe pa kuptim".

Inky Ralph 21 vjeç, tha se veprimi i saj ishte diçka argëtuese dhe i padëmshëm. "Ishte diçka që askush tjetër nuk e kishte bërë më parë. Ishte vetëm një argëtim i parrezikshëm. Për të gjithë ishte diçka qesharake. Nuk e kuptoj sa shpejt është përhapur video dhe sa njerëz e kanë parë atë.

Më kanë dërguar mesazhe që nga Australia dhe njerëzit më kanë quajtur mua një legjendë", tha 21-vjeçarja.  Kryeinspektori i policisë tha se rasti është duke u hetuar se çfarë vepre penale mund të jetë kryer.

"Policia mori një njoftim për disa femra që ishin futur në supermarket, njëra prej tyre kishte hipur mbi kalë. Pretendohet se ato kanë kërcënuar një anëtar të stafit. Zyrtarët kanë marrë pamjet e sigurisë së supermarketit si dhe videon që qarkullon në mediat sociale", tha kryeinspektori Sue Robinson.

Nga ana tjetër, edhe zëdhënësit e supermarketit ku ndodhi incidenti thanë se presin zbardhjen e ngjarjes nga policia.

(v.gj/shqiptarja.com)