Ministri i Brendshëm i Kosovës ka publikuar videon e dy shqiptarëve të dhunuar sot në veri të Mitrovicës.
Në video duket momenti kur të rinj me kapele i afrohen një grupi. Disa prej tyre arrijnë të largohen, ndërsa njëri kapet nga ata që ministri Xhelal Sveçla i quan pjesë e milicisë fashiste dhe ushtron dhunë brutale në sheshin e Mitrovicës.
"Milicia fashiste vazhdon të sulmojë qytetarët e pafajshëm në veri të vendit tonë.
Dy qytetarë shqiptarë janë sulmuar brutalisht në sheshin e Mitrovicës së Veriut nga milicia fashiste e orkestruar dhe dirigjuar nga Beogradi.
Ky akt dhune dhe huliganesk duhet të dënohet ashpërsisht. Përgjegjësit kriminelë shumë shpejt do të vihen para drejtësisë. Këta milicë nuk do të mund ta minojnë rendin juridik dhe kushtetues të Republikës", shkruan Sveçla.
Shqiptari i dhunuar nga serbët
Edhe policia e Kososvës ka dhënë detaje lidhur me sulmin në hyrje të sheshit në veri të Mitrovicës.
“Më datë 01.06.2023, në Mitrovicë Veri janë sulmuar dy qytetar meshkuj kosovarë, të cilët kanë qenë duke qëndruar në hyrje të sheshit në Mitrovicë Veri. Viktimat janë sulmuar nga një grup kriminelësh të cilët kanë qenë të maskuar dhe të organizuar për sulmin e kryer.
Njësitet policore kanë intervenuar menjëherë për të parandaluar sulmin, përderisa personat e dyshuar kanë ikur në drejtime të ndryshme të qytetit të Mitrovicës Veri. Si pasojë e sulmeve dy viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor.
Aktet e tilla kriminale, nuk i shërbejnë sigurisë dhe qetësisë publike, iu shërbejnë vetëm individëve apo grupeve të caktuara kriminale, andaj Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saja policore, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve në nivel vendi” thuhet në njoftimin e policisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin kalimet nëpër territorin e Serbisë.
“MPJD, gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përgjatë kalimit të tyre nëpër Serbi, dhe po merret nga afër me rastet nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Beograd”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ajo ftoi qytetarët që të shfrytëzojnë rrugë alternative të udhëtimit
Prej 26 majit situata në veri të Mitrovicës është e tensionuar, pasi protestuesit serbë kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Kryetarët shqiptarë u detyruan të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit me maska e edhe ata pa maska ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. U lënduan 30 ushtarë të KFOR, u dëmtuan dhe makinat e mediave.
Shqiptari i dhunuar nga serbët
Lajmi kryesor: