Videot e separatistëve në Ukrainë për evakuim “emergjent” ishin incizuar më herët

Videot e separatistëve në Ukrainë për evakuim “emergjent” ishin incizuar më herët

Pamje nga video dhe data e regjistrimit

Videot e separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës, duke urdhëruar evakuimin “emergjent” që u postuan më 18 shkurt, në fakt ishin incizuar më 16 shkurt, thuhet në një analizë të Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë, që ka analizuar të dhënat e marra nga aplikacioni i mesazheve Telegram.

Në një video të postuar online dhe në Telegram më 18 shkurt, Denis Pushilin, lideri de-fakto i rajonit të okupuar nga separatistët, Donetsk, pretendoi se është rritur numri i personelit ushtarak ukrainas dhe i armëve përgjatë vijës së kontaktit.

Ai urdhëroi evakuimin, duke pretenduar se presidenti ukrainas Volodymir Zelenskiy shumë shpejt do të jepte urdhrin për “pushtimin e territorit” në rajonet Donetsk dhe Luhansk, që kontrollohen nga separatistët.

Lideri i rajonit Luhansk, që po ashtu kontrollohet nga separatistët, bëri një thirrje të ngjashme.

Por, një hulumtim i Shërbimit rus të REL-it ka gjetur se videot ishin bërë më 16 shkurt, duke lënë të kuptohet se evakuimi ishte i planifikuar më parë.

Zyrtarët ukrainas menjëherë kishin hedhur poshtë pretendimet se kanë plane për të nisur ndonjë operacion ushtarak në lindje të Ukrainës.

“Ukraina nuk ka plane për veprime të tilla në Donbas”, kishte thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për zgjidhjen e konfliktit vetëm në mënyrë diplomatike”, shkroi ai në Twitter më 18 shkurt.

Liderët separatistë në lindje të Ukrainës po ashtu pretenduan se rajonet ruse pranë ishin të gatshme të pranonin qytetarët që do të evakuoheshin.

Por, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se nuk ka asnjë informacion për këtë situatë dhe nuk e di nëse liderët separatistë ishin koordinuar me Rusinë, raportoi Interfax.

Më vonë, zyrtarët rusë thanë se po përgatiteshin kampe për ata që do të vinin nga rajonet lindore ukrainase dhe presidenti rus, Vladimir Putin, tha se do t’i japë secilit qytetarë nga 10,000 rubla apo 130 dollarë. Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se separatistët që kontrollojnë Donetskun dhe Luhanskun po përgatiten që të krijojnë një pretekst që Moska ta pushtojë Ukrainën.

Rusia ka grumbulluar trupa në kufijtë veriorë, lindorë dhe juglindorë të Ukrainës, gjë që ka nxitur frikën se Kremlini po përgatitet që ta pushojë Ukrainën./ REL

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave