Vidhet energjia e Fierzës, 90%
e konçensioneve s'kanë nisu

Vidhet energjia e Fierzës, 90%<br />e konçensioneve s'kanë nisu
TIRANE - Pajtim Bello, me një përvojë të gjatë si ekspert i energjetikës dhe ish-zv.ministër në disa qeveri të majta, thekson se sistemi aktual i furnizimit me energji në vend tregon që Shqipëria është “i sëmuri elektroenergjetik i rajonit” dhe jo një “superfuqi elektroenergjetike”, siç ka trumbetuar Sali Berisha për tetë vite rrjesht
 
Zoti Bello, Banka Botërore së fundmi tha se sektori elektroenergjetik shqiptar kërcënohet nga një krizë, që mund të ketë pasoja. Në ç'nivel dhe në ç'forma shprehet aktualisht kjo krizë?
Vonë, por, më mirë vonë se kurrë, edhe Banka Botërore foli pa doreza për gjendjen e sektorit elektroenergjetik shqiptar (SESH). SESH tashmë është në krizë. Duhet të biem dakord se, me krizë të SESH, nuk nënkuptohet fakti që energjia elektrike mungon apo jo në një periudhë të caktuar. Nëse qeverisjet kanë një perceptim të tillë, gabojnë rëndë. Shpesh kam dëgjuar qeveritarë të ndryshëm të deklarojnë se kemi realizuar një furnizim të pandërprerë me energji elektrike, madje dhe të venë në dukje një “sakrificë të madhe” që qeveria na paska bërë, duke shpenzuar fonde nga buxheti i shtetit për të blerë apo importuar energji elektrike!...

Është perceptimi më banal që mund të ketë një qeveri për SESH dhe, fatkeqësisht, kështu ka ndodhur deri sot. Unë kam thënë se SESH lëngon prej vitesh në një krizë komplekse. Dukuritë e kësaj krize duken në këto aspekte:
- Nevojat e vendit për energji elektrike në masën 30-40% plotësohen nga importi, pra SESH manifeston pamundësi të balancimit kërkesë-ofertë me burime vendase. Kjo ndodh kur, sipas propagandës së qeverisë ‘Berisha’, vendi ynë duhet të ishte eksportues me ndikim të ndjeshëm në rajon

- Brenda operatorëve të SESH është krijuar një zinxhir borxhesh në shuma qindra milionë euro, borxhe këto, që e kanë zhytur të gjithë SESH në një krizë financiare të rëndë

- SESH subvencionohet nga buxheti i shtetit në shuma të mëdha për të blerë apo importuar energji elektrike

- Humbjet teknike dhe joteknike në transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike për 7-mujorin e vitit 2013 luhaten në kufirin 50% të sasisë së energjisë elektrike të hedhur në sistem, ose rreth 1.9 miliardë kilovatorë
- Operatorët e SESH janë në borxhe ndaj bankave të ndryshme në shuma të mëdha, aq sa disa prej tyre rrezikojnë të sekuestrohen si pengje prej bankave

- Është i vetmi sistem elektrik në rajon, ku vjedhja e energjisë elektrike është në përmasa të mëdha, katastrofike. Për shtatë muajt e këtij viti, vjedhjet e energjisë elektrike janë rreth 31% ose - e thënë shkoqur - 1.25 miliardë kilovatorë, sasi kjo, e barbartë me prodhimin e energjisë elektrike të pritshëm nga HEC-i Fierzë për një vit!...

- Efiçienca e përdorimit të energjisë elektrike është mjaft e ulët dhe energjia e shpërdoruar nga ky nivel i ulët i efiçiencës është rreth 20%, shifër kjo shumë e lartë, që mund ta konsiderojmë një shpërdorim me përmasa të mëdha të pasurisë më të çmuar
- Shërbimi ndaj klientëve është në një nivel mjaft të ulët; mund të themi që le për të dëshiruar, si në aspektin e detyrimeve të kontratave të shërbimit, edhe në përmbushjen e standardeve për cilësinë të energjisë elektrike të furnizuar
Siç e shikoni, SESH është “i sëmuri i rajonit elektroenergjetik” dhe jo një “superfuqi elektroenergjetike”, që ka trumbetuar Sali Berisha për tetë vite rrjesht.

Për çfarë pasojash bëhet fjalë dhe si mund të përballen, në afat të shkurtër dhe afat të gjatë?
Bëhet fjalë për një kolaps financiar e tekniko-operacional dhe mosrealizim të objektivave të zhvillimit të vetë SESH. Kjo do të thotë që zhvillimi i ekonomisë shqiptare të goditet rëndë në pikën më nevralgjike të saj. Ndërkohë, ky kolaps do të cenojë ndjeshëm edhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Kjo do të jetë pasoja më e rëndë, me të cilën do të përballemi të gjithë dhe këtë grackë e ka ngritur Sali Berisha me kujdes, me plan, vendosmëri dhe zell, natyrisht jo i vetëm.

Përballja me këtë katastrofë kërkon punë, programim, vendosmëri politike e qytetare, fonde financiare nga buxheti i shtetit dhe shëmbjen e një tradite të keqe të sjelljes ndaj burimeve të energjisë, në tërësi dhe të atyre elektrike, në veçanti. Pra, duhet një ndërmarrje e fuqishme institucionale, politike e shoqërore, duke siguruar edhe një përkrahje të institucioneve ndërkombëtare, të cilët janë donatorë të SESH. Në këtë kuadër, janë shumë masa e veprime, që mund dhe duhet te formatizohen në dokumente të rëndësishëm të Parlamentit, të qeverisë, të ministrive, institucioneve apo agjencive shtetërore, të njësive të qeverisjes vendore, të operatorëve të SESH etj. dhe ndërmarrja e një fushate për edukimin publik për të ndryshuar rrënjësisht qendrimin ndaj kësaj pasurie - të paçmuar e strategjike - për jetën dhe zhvillimin.

Ju besoni se qeveria e re do t’i ndërmarë këto masa e veprime?
Qeveria e re e merr SESH në një gjendje “koma”, pra, si të thuash, po ballafaqohet me një situatë emergjente, siç paralajmërori edhe Banka Botërore. Por, nga ana tjetër, programi i kësaj qeverie parasheh një sërë masash e veprimesh afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Gjithashtu, qeverisjes së re nuk i mungon vullneti dhe vendosmëria për t’u përballur me këtë realitet të vështirë. Besimi im dhe i shqiptarëve është shprehur më 23 qershor dhe ky besim, me siguri, do të materializohet shumë shpejt.

A ishte privatizimi i HEC-eve hapi i duhur për të zgjidhur problemet e prodhimit të energjisë në vend?
Jam shprehur edhe më parë se privatizimi i HEC-ve nuk është hapi i duhur për të zgjidhur problemet e SESH. Përkundrazi, me situatën e krijuar dhe me modelin e tregut që funksionon aktualisht, privatizimi vetëm sa e rëndon edhe më tej situatën e SESH. Çdo privatizim, si edhe privatizimi i bërë për HEC-et e kaskadës së lumit Mat dhe lumit Bistricë, dobëson fuqinë e prodhuesit publik të energjisë elektrike. Ky prodhues mban peshën kryesore në furnizimin me energji elektrike të vendit, në balancimin e çmimeve të energjisë elektrike në shitjen me shumicës dhe me pakicë, përballon politika sociale të shtetit ndaj konsumatorëve familjarë, subvencionon çmimin e energjisë elektrike për prodhuesit e rinj privatë të energjisë elektrike etj. Çdo privatizim krijon çrregullime në SESH dhe ngarkesë në buxhetin e shtetit, si përballues i fundit me gjithshka që ndodh brenda këtij sistemi.

Dhënia "me aksion" e koncensioneve për HEC-e vendore a është pozitive apo negative?
Në ushtrimin e procedurave koncensionare, nuk ka vend për aksione, ashtu siç ngjau me këtë qeveri në ikje. Vetë ky nxitim dhe intensitet procedurash kompromenton gjithshka që ka ndodhur në këtë hark kohor kaq të shkurtër. Kur mbi 90% e HEC-ve, të dhëna me koncension, nuk kanë hyrë në fazat e zbatimit, nuk asnjë arsye për ngutje. Por, ajo që të shkon ndërmend, është të analizosh përse këto koncensione nuk po zbatohen?! Nga çdo këndvështrimi, ky aksion procedurial për dhënie koncensionesh, privatizimesh, të pronës publike apo dhëniesh me qira, është negativ dhe me pasoja.

Janë dhënë një numër i madh lejesh për HEC-e eolike, biomase; në ç'fazë janë punimet për to? Mund të anulohen nëse nuk është bërë investimi sipas afateve?
Ekziston një problem i madh, që është krijuar nga dhënia e një numri të madh koncensionesh e lejesh për shfrytëzimin e burimeve energjetike dhe mosrealizimi i këtyre kontratave. Mosrealizimi vjen nga një numër faktorësh, që nisin që në procedurat që ka zhvilluar kjo qeveri në ikje, procedura këto, që kanë “futur në kurth” shumë investitorë, kanë bllokuar vënien në shfrytëzim të burimeve energjetike dhe kanë krijuar probleme financiare midis investitorëve e bankave etj. Ka një problematikë, që prek të gjithë spektrin dhe numrin e kontratave koncensionare, por, gjithsesi, çdo kontratë koncensionare është një çështje juridike më vete. Kështu që problemet mund të shikohen tërësisht dhe rast pas rasti dhe vendimet do të merreshin rast pas rasti.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë