Nuk kanë të sosur problemet për ish-futbollistin e Tiranës Indrit Fortuzi dhe bashkëshorten e tij Jonida Fortuzi. Pas kallëzimeve penale në prokurorinë e Tiranës, tashmë është një bankë e nivelit të dytë në kryeqytet që ka hapur 4 procese gjyqësore kundër ish-futbollistit legjendar të Tiranës.

Tashmë banka ka nxjerë urdhërin e ekzekutimit ndaj Fortuzit dhe se përmbarimi është duke gjurmuar pasuritë e tij dhe bashkëshortes Jonida.Fortuzit i duhet të kthejë më shumë se 100 milionë lekë që i ka tërhequr në formën e kredisë apo overdraftit.

Ndaj bankës Fortuzi ka të paktën dy kredi dhe dy overdrafte. Kredia prej 50 mijë eurosh është tërhequr nga banka në korrik të 2012, nga vetë Fortuzi dhe dorëzane ka qënë e shoqja Junida Fortuzi. “Huamarresi Indrit Fortuzi nuk ka realizuar shlyerjen korrekte të pagesave të kësteve të Kontratës për Kredinë në mënyrën që palët kanë rënë dakort sipas kontratës.

Nga ana e Bankës janë bërë të gjitha përpjekjet për shlyerjen e kontratës, por nuk është bërë i mundur realizimi i shlyerjes së saj për 4 këste duke rezultuar debitor shtetasi Indrit Fortuzi në shumën totale 31.863, 33 Euro deri në 18 dhjetor 2015, sipas përllogaritjeve të bëra nga banka. Rasti tjetër lidhet me një kredi në maj 2014 që është tërhequr nga e njëjta bankë në shumën 950,000 lekë.

Gjatë gjykimit, nga pala kërkuese u pretendua se kredimarrësi nuk ka përmbushur kredinë sipas kontratës. Për këtë shkak nga ana e palës kërkuese, i janë bërë dhe njoftimet me shkresat përkatëse. Edhe në këtë rast Fortuzi ka humbur gjyqin dhe pasuritë në vlerën e kredisë mund t’i sekuestrohen nga zyrat e përmbarimit. Por Fortuzi e kishte bërë rrugë marrjen kredive te banka Credins. Po në vitin 2014, por kësaj here në dhjetor është lidhur kontrata e kredisë midis palëve Banka Credins sh.a, si huadhënës dhe huamarrësit Junida Fortuzi e dorëzanësve Junida Fortuzi dhe Indrit Fortuzi. Në këtë kontratë parashikohet se shuma e kredisë jepet deri në masën 20,000 euro.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)