Deputeti i PS-se, Paulin Sterkaj, duke folur sot ne Kuvend
TIRANË, 5 Mars/ATSH/.- Kuvendi rinisi punimet e seancës plenare, ndërsa deputetët e opozitës vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë para foltores, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta, pas akuzave të deputetit Tom Doshi, se ka paguar vrasjen e tij dhe të deputetit Mëhill Fufi.
Me rifillimin e seancës e mori fjalën deputeti socialist i qarkut të Shkodrës, Paulin Sterkaj, i cili ftoi kolegët e opozitës që të qetësohen dhe të lejojnë prokurorinë të vijojë hetimet për të zbardhur çështjen 'Doshi'.
Sterkaj në fjalën e tij tha se deputeti Doshi, i cili tashmë e ka bërë publike çështjen e tij, po vazhdon bashkëpunimin me drejtësinë deri në përfundimin e hetimeve.
Ai ftoi opozitën të mos e politizojë këtë çështjen dhe ta lërë prokurorinë të hetojë për zbardhjen e saj. Gjithashtu, Sterkaj akuzoi ish-drejtorin e KESH-t, Dritan Prifti, ish-deputet i LSI-së, si të përfshirë në këtë çështje, duke e përdorur deputetin Doshi.
"Ky paska qënë një bashkëpunim i ish-drejtorit të KESH-t për të menazhuar paret e shqiptarëve, ndërkohë që Dritan Prifti na ka dalë më i pasuri në Shqipëri", tha Sterkaj. Ai i kërkoi parlamentit të marrë nismën për të kontrolluar pasurinë e këtyre ish-drejtuesve që kanë në poste të rëndësishme. /a.s/f.n/