TIRANË -Kjo e hënë 19 tetori shënoi ditën më me pak incidente të rënda që prej së martës së kaluar kur nisën protestat e dhunshme në Tiranë.
Në ditën e shtatë, që prej shënimit të përplasjes së parë te Ministria e Arsimit, uniformat blu, të shpërndarë në njësi të ndryshme dhe të shoqëruar nga furgona ndoqën në çdo rrugë të Tiranës duke mos i dhënë në asnjë moment mundësinë e rigrumbullimit masiv, për të rezistuar një kohë të gjatë pasi çdo sulm neutralizohej që në nisje.
Që në mëngjes dita nisi me kontrolle policore çantave të të rinjve, për sende të paligjshme. Grumbullimi te Ministria e Arsimit nisi rreth orës 11:30, ndërsa vetëm një orë më pas teksa disa shkulnin gurë nga bulevardi për të nisur sulmin ndaj policisë, të tjerë u ofruan sanduiçë. Më pas, u hodhën gurët e parë në drejtim të policisë, të cilët ndërhynë me gaz lotsjellës.
Që nga ky moment blutë nisën shpërndarjen. Në zonën e hyrjes së rrugës së Durrësit ku kishte një numër të konsiderueshëm të rinjsh të maskuar, një paralajmërim policor me megafon për largim të fëmijëve dhe grave, dhe më pas sërish shpërndarje. Policia i ndoqi në çdo rrugë, teksa shoqërimet vijuan në disa zona të ndryshme.
Në orën 14:00 u sulmua me gurë Gjykata e Apelit në Tiranë, kur një grup të maskuarish thyen xhamat, shembën derën dhe u futën brenda. Në momentin e sulmit kishte punonjës brenda Gjykatës, ndërsa ndërhyrja ishte e menjëhershme e policisë që shpërndau vandalët dhe mori nën kontroll situatën në gjykatën e Apelit. Vetëm pak orë më pas policia njoftoi se kishte prangosur 5 të rinj, ndërsa 15 të tjerë u shpallën në kërkim.
Shpërndarja dhe ndjekja në disa rrugica bëri efekt. Për rreth një orë nuk u duk asnjë protestues, ndërsa disa të mbetur në Parkun Rinia fillouan shkuljen e disa gurëve. Por sërish pati një tentativë rigrumbullimi, edhe pse në numër më të vogël, që hasi në ndërhyrjen e menjëhershme të policisë. Autokolona të mëdha policie u dukën nga bulevardi dhe ndoqën protestuesit. Blutë vetëm marshuan me sirena të ndezura gjithë kohës.
Një orë më pas, si rrufe në qiell të hapur, rreth orës 16:00, një grup protestuesish u lejua të afrohej në shkallët e Kryeministrisë, ku ndryshe nga skenat e tjera gati si në luftë dhe ku dy ditët e fundit dhe pak orë më herët ishte rreshtuar RENEA, dallonte vetëm një rresht policësh. Për të ironizuar vendimin e qeverisë për një shpërblim 270 mijë lekë për çdo polic që ka marrë pjesë në ruajtjen e rendit në protestë, disa protestues hodhën kartëmonedha false.
Por kjo qetësi që zgjati më shumë se 2 orë nuk i kishte ‘shpërqendruar’ forcat e policisë. Rreth orës 18:20, një grup të rinjsh të maskuar ishin mbledhur rreth qendrës, me maska dhe me shkopinj në duar, disa me shkopinj bejsbolli.
Në hyrje të Rrugës së Durrësit hidhen breshëritë e fishekzjarrëve ndaj policisë dhe molotovë, ndërsa kosha mbeturinash ishin në flakë. Në këtë ditë të shtatë disa ishin pajisur edhe me lazerë, që ia drejtonin policisë për t’i verbuar me idenë t’ia bëjnë të pamundur shikimin dhe për t’i shpërqendruar.
Këtu nisi një tjetër ndjekje këmba-këmbës e njësive të ndryshme policore të ndarë në disa rrugë. Policia u fut edhe brenda ambienteve të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë në ndjekje të protestuesve. Disa prej tyre u kapën dhe u shoqëruan. Këto pamje nxitën edhe reagimin e Kishës Ortodokse e cila shprehu keqardhjen për çfarë ndodhi dhe kërkoi respektimin e vendeve të shenjta.
Më pas pati edhe pak incidente të tjera, ndërsa policia vijuan ndjekjen e protestuesve me autokolonë në sheshin ‘Skënderbej.’
Protesta, e cila zgjati 10 orë, u mbyll sërish te Kryeministria, ku sërish ishin mbledhur një numër protestuesish por pa maska dhe paqësisht. Vallet në bulevard ishin ato që e mbyllën edhe këtë ditë të shtatë tensionesh.
Gurët e hedhur gjatë ditës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kanë nisur të pastrohen me ekskavator, pas përfundimit të ditës së shtatë të protestës.
Mes bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, i cili është i mbuluar nga gurët e shkulur nga trotuaret që protestuesit i flakën drejt efektivëve, dy vajza ia kanë marrë valles.
Në këtë moment, protestuesit duken të shpërndarë dhe ka vetëm disa grupe të vogla të mbetura.
310 persona janë lënduar që prej nisjes së protestave të dhunshme në 13 tetor e deri më sot, sipas përditësimit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga totali i të lënduarve, 191 prej tyre janë punonjës të Policisë së Shtetit, 88 protestues dhe 31 kalimtarë.
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur gjatë ditës së sotme katër kalimtarë për të marrë ndihmë mjekësore.
Njëri prej tyre, përfaqësues i medias ndërkombëtare, është larguar nga spitali pas trajtimit, në gjendje jashtë rrezikut për jetën dhe me këshillën e mjekut.
Një tjetër kalimtar është larguar pasi ka marrë trajtimin, ndërsa dy të tjerë vijojnë të qëndrojnë në këtë spital, ku po kryejnë ekzaminimet e nevojshme.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur tre persona për ndihmë mjekësore: një efektiv policie, një protestues i mitur dhe një përfaqësues i medias.
Sipas njoftimit, të tre personat e paraqitur në QSUT janë në gjendje shëndetësore stabël.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
PËRDITËSIM mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve gjatë protestës së datës 19.10.2026, ora 21:00
Spitali Universitar i Traumës:
Në Spitalin Universitar të Traumës sot janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore 4 kalimtarë.
Njëri prej tyre, përfaqësues i medias ndërkombëtare, pas marrjes së shërbimit mjekësor ka lënë ambientet e spitalit, në gjendje jashtë rrezikut për jetën dhe me këshillën e mjekut.
Aktualisht, në SUT ndodhen 2 kalimtarë, të cilët po i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme.
Një kalimtar i lënduar gjatë protestës është larguar pasi ka marrë trajtimin.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”:
Ditën e sotme janë paraqitur 3 qytetarë për të marrë ndihmë mjekësore, nga të cilët:
•1 efektiv policie
•1 protestues (i mitur)
•1 përfaqësues i medias
Aktualisht, të gjithë janë gjendje shëndetësore stabël.
Total të lënduar që prej 13 tetorit: 310
* 191 punonjës të Policisë;
* 88 protestues,
* 31 kalimtarë.
Urgjenca Kombëtare ka sqaruar një informacion të rremë të shpërndarë në rrjetet sociale se një ambulancë transporton drejt Parkut ‘Rinia’ punonjës civilë. Urgjenca kërkon që qytetarët mos të bien pre e manipulimeve pasi targa i përket qendrës dhe autoambulanca transporton vetëm pacientë.
“Vazhdon manipulimi nga faqet false në rrjetet sociale. Kjo targë është e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. Nuk është e vërtetë, çfarë shkruajnë. Ne trajtojmë dhe transportojmë vetëm pacientë. Lutemi mos u mashtroni nga këto rrjete”, thuhet në reagim.

Sulmet ndaj pronës publike e private nga protestuesit kanë shkatërruar edhe një motor, i cili ndodhet te ura krah Parkut ‘Rinia’.
Një grup protestuesish, të udhëhequr nga vajza e gra, janë përplasur me forcat Shqiponja pranë Parkut ‘Rinia’. Këto të fundit janë përpjekur t’i largojnë për t’i nxjerrë në trotuar, por mes tyre ka pasur tensione.
Protestuesit kanë në duar edhe pije e ushqime të vogla të ndryshme.
Disa persona i thonë policisë “mos i shtyj vajzat.” Forcat e policisë janë tërhequr, ndërsa protestuesit thërrasin edhe “hiqini kapelet.”
Pas sulmeve të vazhdueshme me gurë, molotovë e fishekzjarrë ndaj Policisë, efektivët në ambientet e jashtme të ‘Operas’ në Sheshin Skënderbej në Tiranë kanë tentuar të shoqërojnë një të mitur, por nuk ia kanë dalë.
Ishin disa qytetarë, kryesisht gra, që nuk lejuan efektivët që të shoqëronin të miturin. Njëra prej grave i bërtet efektivit dhe i bën thirrje që të largohet.

Kartëmonedhat false janë një tjetër mjet që protestuesit po i përdorin për të ironizuar shpërblimin prej 2900 eurosh që kryeministri Rama u premtoi sot policëve.
Një kartëmonedhë që mban shifrën e 2500 eurove që sigurisht një prerje e tillë nuk ekziston, përçon edhe një mesazh: “Ndal dhunën ndaj të miturve.”
Automjetet e policisë kanë hyrë brenda sheshit “Skënderbej” pasi u janë vënë pas protestuesve. Efektivët iu drejtuan edhe kafeneve pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, ku patën edhe debate me një qytetare, por motivi mbetet i paqartë.
Një grua e pranishme në protestë, e cila ka pretenduar se ka punuar për 5 vite në Policinë e Shtetit, ka deklaruar se efektivët që janë në vijën e frontit duke u përballur me protestuesit, nuk do i marrin nga 2500 euro, siç premtoi sot kryeministri Edi Rama.
Duke folur për eksperiencën e saj në Polici, ajo tha se gjatë 5 viteve nuk kishte marrë kurrë orët shtesë që kishte punuar.
“Nuk keni kushte. Atë që ju premtoj sot, harrojeni se keni për ta marrë. Kam punuar orë shtesë 12 orë, kurrë nuk i kam parë orët shtesë. Kam punuar në Policinë e Shtetit për 5 vite. Asnjëherë nuk i kam parë orët shtesë. O e di unë, o s’e di asnjë. Nuk është polici kjo, janë militantët e partisë”, tha mes të tjerash protestuesja.
Një prej protestuesve nuk është ndjerë mirë dhe ka humbur ndjenjat në zonën e Tajvanit në Tiranë.
Disa persona të pranishëm aty, por edhe disa mjekë që kanë shkuar me auto-ambulancë, i kanë ardhur në ndihmë.
Dega e bankës së nivelit të dytë përballë ‘Ushtarit të Panjohur’, që u sulmua katër ditë më parë nga protestuesit, është rrethuar nga veshje metalike.
Veç rrethimit, janë marrë edhe masa të tjera për këtë filial bankar pasi ka edhe punonjës të sigurimit privat që ruajnë perimetrin.
Gjatë sulmit, protestuesit shkatërruan fasadën, bankomatin dhe hynë brenda e nxorrën dokumente nga banka, të cilat i hodhën në rrugë.
Një situatë ka ndodhur mes protestuesve, të cilët kanë ndjekur e sulmuar një tjetër duke menduar se ishte polic civil. Janë sulmuar dy persona.
Pas sulmeve të vazhdueshme me gurë, fishekzjarrë e molotovë, efektivët e Policisë janë vënë në ndjekje të disa protestuesve.
Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, efektivët kanë arritur të kapin një prej protestuesve, të cilin e kanë qëlluar me shkopa gome.
Protestuesit i janë afruar Medresesë te “Rruga e Dibrës” ku janë përplasur me policinë duke i sulmuar me sende të forta, ndërsa kundëreagimi ishte ujë e gaz lotsjellës. Protestuesit po shfrytëzojnë rrugicat e shumta të kësaj zone për t’u shpërndarë e fshehur.
Gjatë marshimit të tyre në “Rrugën e Dibrës”, protestuesit po djegin disa kosha të tjerë mbeturinash.
Një i moshuar ka rënë pa ndjenja gjatë protestës së sotme, në Rrugën e Barrikadave në Tiranë.
Nuk dihen ende shkaqet që kanë çuar në humbjen e ndjenjave të të moshuarit. Gjatë minutave të fundit janë shënuar përplasje të forta mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë.
Protestuesit kanë sulmuar me gurë, fishekzjarrë dhe molotovë drejt efektivëve, ndërkohë që këta të fundit u janë kundërpërgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës.
Situatë kaosi dhe frike në kryqëzimin e 9 Katsheve ku turma të mëdha protestuesish janë drejtuar për në bulevard duke lëshuar kapsolla rrugës. Siç duket edhe nga pamjet ata po lëvizin në grup, janë të veshur me rroba të zeza me kapuçë të zinj e me maska dhe të armatosur me kapsolla e gurë.
Kryqëzimi është i mbuluar me tym dhe shpërthime të herë pas hershme dëgjohen në sfond.
Protestuesit e dhunshëm kanë nisur sulmin me breshëri fishekzjarrësh në drejtim të efektivëve të Policisë.
Ata janë pozicionuar pranë Sheshit Skënderbej, ku zona është kthyer në një ‘skenë lufte’.
Nga ana tjetër, efektivët e Policisë, të ndodhur në një pozitë të vështirë u janë përgjigjur protestuesve duke hedhur ujë drejt tyre.
Forcat Speciale RENEA kanë zbarkuar në zonën pranë Kryeministrisë, drejt së cilës po marshojnë një grup i dhunshëm protestuesish, të cilët kanë nisur sulmet me gurë e fishekzjarrë drejt efektivëve të Policisë.
Ndërkohë pranë Ministrisë së Brendshme, ku janë kryer disa sulme nga ana e protestuesve, janë pozicionuar gjithashtu 2 autobotë uji, disa automjete policie dhe efektivë të shumtë, që po kujdesen për mbarëvajtjen e situatës.
Një protestues ka zgjedhur të rrijë pa maskë ndërsa zona rreth Ministrisë së Brendshme është mbuluar nga gazi lotsjellës. Pranë i afrohet një tjetër, me maskë kundërgaz dhe me ujë fiziologjik në dorë që ia hedh te sytë për ta lehtësuar.
Pas kësaj, protestuesi vendoset sërish para efektivëve.
Protestuesit ndodhen në dy anët e rrugës te Ministria e Brendshme duke sulmuar policinë, si dhe po përdorin lazer me qëllimin për t’i shpërqendruar efektivët. Përdorimin e lazerit e kishin lajmëruar edhe nëpër rrjete sociale, si mjet për të hutuar policët.
Protestuesit i janë drejtuar bllokut të ministrive duke lënë pas bulevardin “Dëshmorët e Kombit.” Ata po vendosin zjarre në rrugë dhe po hedhin fishekzjarrë.
Policia po tenton t’i shpërndajë duke ndërhyrë menjëherë me gaz lotsjellës.
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, është filmuar mes protestuesve ditën e sotme, në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë.
Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, duket momenti kur Korreshi po marshon bashkë me turmën në drejtim të Kryeministrisë.
Kujtojmë se Korreshi ka marrë pjesë gjatë këtyre ditëve edhe në protestat e tjera që janë zhvilluar dhe nuk është përzënë nga protestuesit, siç ka ndodhur me deputetë të tjerë të PD-së.
Protestuesi i maskuar që ‘flet’ vetëm me gjeste, tashmë i është afruar kordonit të policisë te kryeministria duke u bërë shenja me puthje e zemra. Më pas, drejton grushtin në shenjë përshëndetjeje dhe i afrohet një efektivi duke e takuar, e më pas i dërgon puthje.
5 protestues janë vënë në pranga për sulmet ndaj Gjykatës së Apelit, ndërsa 15 të tjerë janë në kërkim. 5 të arrestuarit, Ardit Plaku, Sebastian Rizvani, Lefter Deda, Pashk Paluca, janë të moshave 20-37 vjeç. Në pranga edhe një i mitur 16 vjeç.
Policia i ka sekuestruar të miturit edhe disa lëndë piroteknike. Gjatë sulmit, protestuesit thyen e shkatërruan xhamat, si dhe shkaktuan disa dëme brenda ambienteve të gjykatës.
Njoftimi i policisë:
Dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e godinës së Gjykatës së Apelit, vihen në pranga 5 shtetas, shpallen në kërkim 15 të tjerë.
Sekuestrohet një sasi lëndësh piroteknike.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera përgjatë tubimit të sotëm, te Gjykata e Apelit, u identifikuan 20 shtetas që dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e këtij institucioni.
Në vijim, u arrestuan 5 prej tyre, konkretisht shtetasit: A. P., 37 vjeç, S. R., 32 vjeç, L. D., 20 vjeç, P. P., 24 vjeç dhe një i mitur 16 vjeç.
16-vjeçarit, gjatë kontrollit, iu gjetën lëndë piroteknike.
Gjithashtu, u shpallën kërkim 15 shtetas të tjerë. Punohet për kapjen e tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Një protestues i maskuar, i cili ka fituar famë në rrjetet sociale për shkak të gjesteve të tij me duar duke mos thënë asnjë fjalë, ka bërë një tjetër komunikim përmes ‘gjuhës’ së tij të veçantë.
Protestuesi, i cili përdor edhe maska me shkrime e syze për ski, bën formën e zemrës me duar dhe dërgon puthje. Në dorë mban edhe një shkop.
Një efektiv i Forcave Operacionale i është përgjigjur me shkop gome një protestuesi, i cili mes ulërimash pretendonte se nuk ka lidhje me sulmet e protestuesve. I riu, të cilin efektivi nuk e lëshonte nga duart, ishte pa maskë.
Djali: S’kam bërë gjë! Nuk isha o vëlla! Nuk isha në protestë unë!
Një vajzë duke filmuar: Mos, mos, mos! Lëre, çfarë po i bën? Pse e dhunon? Arrestoje, s’ke të drejtë ta dhunosh!
Djali: Më lër mo burrë!
Një efektiv u ka shpërndarë shishe uji disa protestuesve të maskuar. Mësohet se efektivi është shefi i Rendit në Elbasan, Fabjan Muça. Videoja është postuar nga Taulant Balla, i cili shkruan:
“E kanë hak rritjen e pagës”, duke iu referuar premtimit të kryeministrit Rama se nga 1 janari, policët do të kenë rritje të konsiderueshme page dhe 2500 euro shpërblim për policët në frontin e sulmeve.
Një grup i vogël protestuesish kanë mbetur në sheshin para kryeministrisë. Pamjet me dron tregojnë disa protestues të shpërndarë nëpër bulevardin “Dëshmorët e Kombit.” Protestuesve u janë bashkuar edhe Arlind Qori e Agron Shehaj.
Vihet re se ka mungesë të protestuesve të maskuar, ndërsa deri tani ka pasur shoqërime të herëpashershme nga policia.
Një efektiv policie ka mbetur i lënduar nga sulmi me gurë te Blloku i Ministrive. Mësohet se efektivi ka pësuar lëndim në kokë.
Policia ka nisur shoqërimet e protestuesve, të cilët kishin nisur me sulmet te Blloku i Ministrive.
Një i ri u ka shpëtuar nga duart efektivëve të policisë te Blloku i Ministrive, teksa po shoqërohej pas sulmeve të protestuesve. Ndërsa policët po përpiqeshin ta shoqëronin, protestues të tjerë i kanë rrethuar për të penguar ndërhyrjen. Në këtë moment, i riu ka arritur të shkëputet nga efektivët dhe ia ka mbathur me vrap.
“Kam qenë me duart lart”, dëgjohet të thotë një tjetër protestues gjatë shoqërimit nga policia. Në ato moment, te turma mbërriti edhe deputeti i PD, Saimir Korreshi.
Pas heqjes së pllakave të gurit te Ministria e Arsimit, protestuesit janë zhvedosur te parku 'Rinia'.
Nga pamjet që Report Tv solli live, shihet se protestuesit kanë nisur sërish të furnizohen me gurë për sulme të tjera ndaj policisë.
Një gazetar grek është plagosur gjatë përplasjeve të sotme mes protestuesve dhe policisë në Rrugën e Durrësit. Dyshohet që gazetari të jetë goditur nga një prej gurëve të lëshuar në drejtim të policisë.
Ai është marrë nga shërbimi i urgjencës, dhe është dërguar të Trauma. Sipas burimeve nga spitali, gazetari ka dëmtime në vesh, por është koshient dhe komunikon.
Shkatërrim dhe xhama të thyer në ambientet e Gjykatës së Apelit, pas sulmit nga protestuesit e maskuar. Pamjet nga brenda godinës tregojnë dëmet e shkaktuara, pasi një grup të rinjsh me maska sulmuan ambientet e gjykatës, brenda së cilës ishin edhe punonjës.
Protestuesit kanë sulmuar edhe godinën e Gjykatës së Apelit, duke thyer dhe shkatërruar xhamat, ndërsa një pjesë e tyre kanë arritur të futen brenda ambienteve të gjykatës.
Protesta në Tiranë është në ditën e 7-të të saj. Pasi tentoi të pengonte policinë të shkonin drejt protestuesve të tjerë, vajza nuk është ndalur me kaq.
Këtë herë ajo ka dalë para makinës që hedh ujë për shpërndarjen e proptestuesve.
Policia ka ndjekur ‘këmba-këmbës’ protestuesit, të cilët janë zhvendosur drejt bulevardit, ku kanë vijuar përplasjet me efektivët.
Në mesin e tensioneve në qendër të Tiranës, një protestuese ka tentuar të pengojnë policinë që të shkojnë drejt protestuesve.
Uniformat blu kanë vijuar rrugën, pavarësisht provokimeve të vajzës.
Policia e Shtetit u fut për herë në parë në universitet, me argumentin se po garanton procesin akademik. Kjo skenë u xhirua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës nw Universitetin e Vlorës.
Ndërhyrja policore erdhi me kërkesë të administratorit Grigor Dede, pasi një grup protestuesisht u bënë thirrje studenteve për bojkot.
6 protestues u shoqëruan në komisariat, ndërsa rektorja Aurela Saliaj u distancua duke deklaruar se nuk ka kërkuar ndërhyrje policore.
Në sqarimin zyrtar, policia jep këtë version të ngjarjes:
"Në lidhje me disa video të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqen punonjës të Policisë në ambientet e brendshme të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, sqarojmë se:
Rreth orës 11:51, administratori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, ka njoftuar Sallën Operative të DVP Vlorë për praninë e një grupi prej 30–40 personash, të moshave të ndryshme, të cilët po pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor, në katin e parë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në ambientet e fakultetit dhe kanë ndërhyrë për normalizimin e situatës, duke nxjerrë jashtë godinës personat që pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor dhe studentët të ndiqnin leksionet në auditore.
Në vijim të veprimeve, janë shoqëruar në ambientet e Policisë 6 shtetas, të dyshuar si organizatorë të këtij grupimi.
Policia vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit"
Policia kishte marrë masa për të shmangur një tjetër sulm ndaj selisë së PS, së cilës një ditë më parë protestuesit i thyen derën kryesore. Në momentin që protestuesit nisën marshimin, policia krijoi kordon sigurie te selia e PS.
Pas sulmeve me gurë policia ka shpërndarë protestuesit me ujë me presion te 'rruga e Durrësit'.
Policia ka bërë thirrje që gratë dhe fëmijët të largohen, pasi do të hedhin gaz lotsjellës.
Protestuesit kanë rinisur sulmet me gurë e fishekzjarrë ndaj efektivëve të policisë para Ministrisë së Arsimit, ndërsa ato janë përgjigjur me gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.
Para se të nisnin sulmet me gurë ndaj policisë, një protestues i maskuar u ka ofruar sanduiçë efektivëve të vendosur para Ministrisë së Arsimit. Nga pamjet, protestuesi që u afrohet policëve duket qartazi se është i mitur.
Protestuesit e maskuar kanë nisur sërish aktet e dhunës para Ministrisë së Arsimit, duke shkulur pllakat e trotuarit, të cilat i përdorin për të sulmuar efektivët e policisë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor 31 të lënduar:
21 efektivë, 5 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese e medias (1 shtrim).
Aktualisht në Spitalin e Traumës janë 2 protestues që po plotësohen me ekzaminime dhe konsulta. Ministria bën me dije se nga data 13 tetor e në vijim, numri i personave të shtruar në spital dhe që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14 që janë 5 efektivë, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese e medias.
Raportohet se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” gjatë ditës së djeshme janë paraqitur 5 të lënduar: 2 efektivë policie dhe 3 protestues.
Ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu gjatë vizitës në Spitalin Universitar të Traumës, falënderoi ekipet mjekësore për përkushtimin në trajtimin e të lënduarve.
Ajo u bëri thirrje prindërve dhe profesionistëve që të dëgjojnë shqetësimet e të miturve, ku sipas saj ata kanë nevojë për praninë, kujdesin dhe mbrojtjen e tyre .
“U bëj thirrje prindërve, kujdestarëve, punonjësve socialë dhe të gjithë profesionistëve që të flasin me fëmijët dhe të rinjtë, t’i dëgjojnë dhe të kuptojnë shqetësimet e tyre. Fëmijët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por kanë nevojë edhe për praninë, kujdesin dhe mbrojtjen tonë”, theksoi ministrja
Spahiu theksoi se shërbimet sociale dhe psikologët janë në dispozicion të të miturve që kanë nevojë për mbështetje si dhe u bëri thirrje qytetarëve të verifikojnë informacionet përpara se t’i shpërndajnë dhe të mbështeten te burimet zyrtare, për të shmangur përhapjen e lajmeve të rreme dhe shtimin e tensioneve.
Ministrja ka bërë me dije gjithashtu se sipas të dhënave të strukturave shëndetësore, gjatë protestave të 13–18 tetorit 2026 janë raportuar 303 persona të dëmtuar: 190 punonjës policie, 87 protestues dhe 26 kalimtarë.
Në ditën e shtatë të protestës, protestuesit janë grumbulluar te Ministria e Arsimit.
Pas akteve të dhunës, protestuesit të maskuar si çdo ditë shihen duke kërcyer dhe kënduar.
Protestuesit kanë marshuar edhe në Rubik dhe Kurbin, të cilët kanë bllokuar rrugën hyrëse pranë urës në Rubik, që lidh qytetin me Rrugën e Kombit.
Situata është përshkallëzuar pranë Bashkisë Kurbin, e cila është sulmuar me gurë dhe molotovë.
Protestuesit janë shfaqur pa maska, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar.
Një grup protestuesish në Lezhë dhe në Mirditë kanë marshuar në qytet me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen!”, ndërsa në terren janë angazhuar forca të shumta policie.
Gjatë marshimit, protestuesit në Lezhë kanë tentuar të futen në sheshin “Gjergj Kastrioti”, ku ndodhet edhe Bashkia, por janë penguar nga forcat e Policisë. Disa prej tyre dëmtuan sinjalistikën rrugore, dëmtuan kosha mbeturinash dhe ndezën zjarre në mes të qytetit.
Ndërkohë në Mirditë protesta është zhvendosur në Rrugën e Kombit në Rubik të cilët shihen duke djegur goma në rrugë.
-
Sufllaqe per te tere ereeee
Përgjigju -
Ju thafshin duarte kty qe po shkaterrojne trotuaret mundin dhe djersen e ketij populli,kur te mbare e gjithe kjo fotot e vidiot i kan ti bejne llogarit sa kushton per sistemimin e tyre tja mbajne leket tek pagat e prinderve e atyre qe jane pune ne pagat e tyre dhe studenteve ti heqin bursen
Përgjigju -
Mjaftonte FNSH që të vinte për pak minuta e i kapte aty brenda të gjithë këta trima. Dhe gjykata i kishte me filmime të gjithë. Nuk e di pse nuk rri e gatshme FNSH për të bërë të tilla ndërhyrje
Përgjigju -
Epo Sala e tha mbreme qe do te sulmonte gjykatat e komiserjatrt e policise,ja e mbajti fjalen bravo gjithmone fiton ai ne beteja per shjaterrim ai mund te shkoi deri aty tju vrase e fajin e merni po ju,bravo Saliut
Përgjigju -
Ku është policia,përse nuk i rrethuan dhe ti kapnin brënd këta vandale të shitur....është turp për policinë që në mes të ditës nuk vepron në këto ngjarje flagrante...
Përgjigju -
Sot do vdesin njerez.
Përgjigju -
Duhen urgjentisht blerje me dhjetra autobote ujehedhese,autoblinda policie sic i ka policia e Kosoves,pajisje speciale per policet dhe shtim te numrit te poliveve ne radhet e policise se shtetit.Policet po lodhen dhe kan nevoj per forca te tjera qe ti nderrojne kunder rrugecerve.
Përgjigju-
Ti furnizojme me sufllaqe
-
-
Dhuna e përdorur nga rrugaçëria e atyre që thonë janë student dhe që po thyejnë banka e biznese policia duhet ti përgjigjet me dhunë ekstreme se po të ish në pushtet vrasësi Sali non grata do tju përgjigjej me vrasje si në 21 janar ku vrau 4 të pa fajshëm...
Përgjigju-
Bravo ti vlen per opinionist, merr mamin bashke me motren dhe hajde te shprehesh dhe ti fjalen tende.
-
-
Ed,shume i gabuar qendrimi sot. I deklarove lufte rinise. Elisa dil ne kry te kryengritjes...merr situaten ne dore.
Përgjigju-
Sepse jemi rrace qe i perulemi gjithkujt or teeeejjjjj
-
Ca Elisa thua ti. Ata sbejne dot nje hap pa folur Edi. Njesoj si te Pd. Po sfoli Sala te gjithe rrine kokeulur.
-










Komente
Komento