Shqipëria përfitoi 228 milionë euro më pak nga eksportet gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024. Shifrat e INSTAT tregojnë se përgjatë 12 muajve eksportet e mallrave arritën në 3 miliardë 460 milionë euro, me rënie prej 6.1% krahasuar me vitin paraardhës kur ishin në vlerën 3 miliardë e 688 milionë euro.
Vjet sipas raportit kemi eksportuar më pak materiale ndërtimi që ranë me -4.5% dhe më pak lëndë djegëse -1.3%. Kurse më shumë shitje kemi pasur tek grupi i ushqimeve me rritje prej 0.7% dhe tek makineritë dhe pjesët e këmbimit +0.6%.
Shkaku kryesor i kësaj rënie të eksporteve 3- vjeçare tashmë mbeten zhvlerësimi i valutave, sidomos i euros, i cili i ka bërë më të lira produktet shqiptare në tregjet e huaja, por edhe rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Sektori më i goditur nga tkurrja e euros mbetet ai i manifakturës, pasi i ka të gjitha shpenzimet në lekë, ndërsa fitimin që e marr nga bizneset e huaja me të cilët ka edhe kontratat, e ka në euro, pra merr më pak lekë.
Prej 2023-shit kur nisi rënia e fortë e eksporteve e deri më tani euro është zhvlerësuar me gati 20.4%, nga 117 lekë në janar të 2023-shit në 96.5 lekë tani.
Ndërsa importet e mallrave zbritën në vlerën 8 miliardë e 872 milionë euro duke u ulur me 0,8%, krahasuar me 2024-ën. Ndikimi më i madh negativ ka ardhur nga ulja e importeve të makinerive e pjesëve të këmbimit me 1.2% si dhe kemi blerë më pak materiale ndërtimi e metale, me 0.8%. Kurse pozitivisht ka ndikuar importi i energjisë e lëndëve djegëse si dhe të ushqimeve e duhanit.
Tek importet vjet Banka e Shqipërisë e ka theksuar disa herë që çmimet e produkteve që po blihen jashtë janë më të ulëta, çka është reflektuar edhe në vlerën totale të importeve të 2025-ës
Shtetet me të cilat Shqipëria ka pasur shkëmbimet më të mëdha të mallrave janë Italia, Kina, Greqia dhe Turqia. Në vlerë, bizneset shqiptare i kanë shitur 1.4 miliardë euro italianëve dhe në vend të dytë është Kosova drejt së cilës kemi shitur mallra me vlerë 336 milionë euro.
Ndërsa për të blerë, kryeson përsëri Italia me 1.8 miliardë euro, ndjekur nga Kina nga e cila kemi blerë mbi 1.1 miliardë euro mallra dhe më pas është Turqia dhe Greqia.
Komente










Jo mor jo ska lidhje euro por ka lidhje hilet qe bejne prodhuesit e pa ngopur.
Përgjigju