Sarandë- Ndërron jetë një tjetër person nga i ftohti që ka përfshirë Shqipërinë ditët e fundit duke e çuar bilancin në 9 të personave që kanë vdekur nga moti i keq dhe aksidentet.
 
Sot në qytetin e Sarandës është gjetur i pajetë 61 vjeçari Zhevahir Telo, babai i dy fëmijë.
 
Ai punonte në portin e Sarandës, ndërsa sipas familjarëve është gjetur i pajetë mëngjesin e sotëm në hyrje të banesës së tij.
 
Nga veprimet e para hetimore, në trupin e viktimës nuk vërehen shenja dhune apo dëmtime të tjera, ndërsa shkak kryesor i vdekjes ka qenë i ftohti.
 
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të vdekjes.
 
Kujtojmë që pak ditë më parë në Sarandë ndërroi jetë një tjetër i moshuar për shkak të të ftohtit.
 
Në datën 8 Janar, po në Sarandë, ndërroi jetë Leonard Beqiri 54-vjeç si pasojë e motit të keq.

Dje një fëmijë 12-vjeçar në Tiranë ka humbur jetën pasi u thye akulli i liqenit të Kasharit ku ai po luante bashkë me motrën e tij.

Në Durrës kanë ndërruar jetë nga i ftohti dy persona, në 7 Janar, Arben Sulo 38 vjeç dhe dje Shpresa Muça 68- vjeç.

Dje një bari 40- vjeçar ra në liqenin e Petovës. Hajredin Xhelo tentoi të kalonte rezervuarin i cili kishte ngrirë, por në ato momente akulli është thyer e për pasojë bariu nga fshati Petovë ka rënë në ujë.
 
Në Gjirokastër para 6 ditësh ndërroi jetë Vasil Kaçi 64-vjeç, pasi aksidentalisht rrëshqiti, teksa kishte hipur të rregullonte depozitën, pasi kishte ngrirë nga ngricat.

Në qarkun e Korcës kanë ndërruar jetë dy persona nga i ftohti. Në Pogradec ndërroi jetë Anastas Shuke, i cili jetonte i vetëm është gjetur i pajetë nga disa të afërm.
 
Ndërsa në Korçë  ne 10 janar Ilia Lifo u gjet i pajetë në një ndërtesë të braktisur në zonën e ish Poligonit të Bonifikimit në Korçë të cilën e kishte përshtatur si banesë dhe jetonte i vetëm.



dy.b/shqiptarja.com