Zoti Doda, ju keni drejtuar dikasterin e Industrisë dhe Energjetikësë gjatë mazhorancës socialiste. Keni qenë në dijeni të një dokumenti nga specialistët e naftës e të gazit, që të informonte lidhur me praninë e rezervave të hidrokarbureve nën detin Jon?
Po, kam qenë në dijeni. Në fakt, të gjithë qeveritë shqiptare të pas vitit 1990 kanë patur në dispozicion të dhëna nga shoqëri të huaja, që kanë kryer kërkime në detin Jon, në zonën Jon-5, sipas ndarjes gjeologjike. Sipas këtyre të dhënave, shtresa e pasur me gaz natyror dhe naftë, që e ka "kokën" në pjesën jugore të territorit shqiptar, në Delvinë, shtrihet poshtë detit në këtë pellg, duke u zgjatur drejt Italisë. Ajo ndodhet në një hapësirë detare midis Shqipërisë, Greqisë e Italisë. Rezultatet për Delvinën i kemi ditur me kohë, por aty shtresa është shumë e thellë, duhet shpuar në 6 mijë metra. Nën det nuk i kemi patur mjetet për të shfrytëzuar këtë pasuri. Por, askush nuk mund të thotë sot se nuk kam patur dijeni për ekzistencën e rezervave, që para se të nënshkruhej marrëveshja shqiptaro-greke për kufirin detar, që u deklarua e pavlefshme nga Kushtetuesja.
Po lidhur me sasinë e këtyre rezervave, a keni qenë në dijeni gjatë kohës që ishit ministër?
Ju, me profesion gjeolog, madje edhe me titullin doktor i shkencave në këtë fushë, duhet ta mbani mend këtë detaj... Jo, nuk më kujtohet të më ketë rënë në dorë dokumenti konkret lidhur me sasinë, që u është kaluar pa dyshim kryeministrave apo homologëve të mi, por kam arsye të besoj se llogaritjet janë bërë nga specialistët shqiptarë në fushën e naftës, njeri prej të cilëve është ing. Maksim Shuli.
Pra, e gjykoni si të saktë shifrën e ofruar prej tij, në një raport të paraqitur në qeverinë shqiptare në vitin 1999, sipas të cilit vlerësohen në 500 miliardë metra kub gaz dhe 160 milionë ton naftë rezervat në këtë pellg naftëmbajtës?
Si specialist, do të them se këto shifra gjithnjë janë të përafërta, pasi fjala është për vlerësime, duke u nisur nga përpunimi i të dhënave nga sondat e kërkimeve që përcaktojnë kufijtë e shtresave dhe strukturën e tyre nën tokë apo nën det. Gjatë shfrytëzimit, mund të dalin shifra më të ulta, ashtu sikurse mund të dalin edhe rezerva më të mëdha akoma. Por, mua më duket si i besueshëm vlerësimi i bërë nga Shuli, sipas të cilit vlera aktuale në treg e pasurive që shtrihen në këtë zonë duhet të llogaritet në rreth 400 miliardë dollarë amerikanë. Fjala është për një pasuri që u përket të tre shteteve, jo vetëm Shqipërisë. Për shfrytëzimin e saj kërkohet mirëkuptim dhe marrëveshje midis tyre, në bazë të ligjeve ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet në këtë rast. Grekët kanë nisur nga kërkimet në zonën e Jonit Verior, në hapësirën detare nën juridiksionin e tyre.
Çfarë do të sugjeronit për qeverinë shqiptare dhe që ajo nuk e ka bërë akoma?
Që përpara se të nisnin kërkimet, kur qeveria greke shpalli zyrtarisht garën për kërkime në zonat, që ishin të parcaktuara dhe janë ato pranë ishullit të Kretës dhe pranë ishullit të Korfuzit, qeveria jonë duhet të kishte kishte dërguar një letër zyrtare, me anë të së cilës të paralajmëronte Greqinë që, në rradhë të parë, të mos bënte asnjë veprim në ujrat tona.
Po pikërisht këtu është problemi: a jemi të sigurtë për kufirin e ujrave tona, kur ende nuk ka një ndarje zyrtare të kufijve?
Që nga viti 1944 të dy palët e kanë ditur mirë se ku ka qenë kufiri i përbashkët. Me Italinë ky ka qenë një problem i zgjidhur në rrugë zyrtare. Greqia imponoi një marrëveshje, të cilën Berisha- Basha e nënshkruan pa u menduar gjatë. Aq më tepër kur nuk është përcaktuar qartë kufiri, qeveria duhej të kishte bërë presion për të saktësuar të drejtën e grekëve për të kryer aktivitet kërkimi në Jon. Nga ana tjetër, u duhej sqaruar atyre se nuk mund të ishim dakord që ata të shfrytëzonin në mënyrë të njanshme një pasuri që rezulton e përbashkët. Me rastin e fillimit të kërkimeve, duhej të bëhej urgjentisht një notë proteste, gjë që qeveria jonë nuk e bëri.
Ndoshta, në momentin kur pritet dhënia e statusit kandidat, një votë kundër nga Greqia do të "hidhte në erë" procesin...
Nuk na duhet një votë për në Bashkimin Evropian me çmimin e shitjes së pasurive kombëtare. Nuk ma merr mendja se Brukseli do të ishte dakord që Shqipërisë t'i bëheshin pazare të tilla nga një anëtar i BE-së, t'i vendoseshin kushte për kandidim, që të cenonin sovranitetin e saj në përfitim të një tjetri.
Të vijmë tek projekti i gazjellësit Transadriatik. A ishit në dijeni të një projekti të tillë kur ishit ministër?
Përveç naftësjellësit AMBO, që ishte një projekt amerikan që duhej të kalonte nëpër Shqipëri, por nuk u realizua, projekti i një tubacioni që të sillte gaz natyror nga Azerbajxhani ka qenë i herëshëm. Harta dhe studime për këtë projekt kam parë që në kohën kur ministër ka qenë Ylli Bufi, ndërkohë që në vitin 2004 kemi organizuar një konferencë ndërkombëtare lidhur me kalimin e gazsjellësit. Veç shumë kompanive të interesuara, ftuam edhe zyrtarë të Italisë dhe Greqisë. Italianët thanë se projekti u interesonte dhe kërkuan fizibilitetin, të cilin ne ja besuam konsulentit EGL (amerikano-zviceran). Grekët, të sigurtë se gazsjellësi do të kalonte nga territori i tyre, nuk bënë asnjë hap më tej. Sipas studimit, Shqipëria vetë do të kishte nevojë për 1.5 miliardë metra kub gaz në vit, ndërkohë që do të kishte përfitime të mëdha edhe nga tranziti. Veç kësaj, që atëhere janë thënë të gjitha ato që dëgjojmë sot, për përdorimin e ish-minierave të kripës në Dumre si depozita për gazin. Po kështu, strategjia e re e energjisë, që gjoja Berisha e bëri nga e para, nuk ishte tjetër, veç një kopjim i strategjisë së bërë në kohën tonë, me ca rregullime çmimesh. Ajo u përgatit në bashkëpunim me kompaninë gjermane EON dhe asistencën e Bashkimit Evropian.
(ad.ti/shqiptarja.com)