PS nuk do të pranojë tërheqjen e firmave nga PD për 7 kandidatët që mbështeti për Avokatin e Popullit. Burime për gazetaren e Report TV, Esiona Konomi bëjnë me dije se socialistët thonë se tërheqja e firmave është jashtë afatit dhe emrat do të shkojnë për votim në seancën e së enjtes që vjen.
Një ditë më parë PD njoftoi papritur tërheqjen e firmave të të gjithë deputetëve për kandidaturat që do t’i përcilleshin seancës për votim, me argumentin se nënshkrimet janë dhënë para se kandidatët të kalonin filtrin e Komisionit të Ligjeve.
26 kandidatët që shprehën interesin për këtë post morën fillimisht "Ok" nga Komisioni i Ligjeve, ndërsa afati i mbështetjes me 28 firma deputetësh, emrat që do t'i kalonin seancës plenare për votim, skadoi të martën.
Socialistët nuk mbështetën me firmë asnjë prej kandidatëve, ndërsa theksuan se do të votonin, siç kërkon tradita parlametare një nga emrat që do të propozonte opozita. Kjo e fundit mbështeti 7 kandidatë, por që më pas njoftoi papritur tërheqjen e firmave.
Më herët, burimet thanë se socialistët kishin refuzuar formulën e propozuar nga PD për zgjedhjen e avokatit. Nga 6 emra të zgjedhur nga PD, socialistët duhet të zgjidhnin vetëm 3. Nga këta 3 emra, opozita do të zgjidhte vetëm një emër për t'ia paraqitur seancës plenare për votim. Megjithatë zyrtarisht grupi i PS thotë se nuk do të komentojë asnjë propozim që nuk e kanë marrë ende në formë zyrtare.
Komente










