Besoj se pasuria është art dhe kush arrin ta bëjë atë përmirëson botën. Të gjithë meritojnë të jenë të pasur, por jo të gjithë e arrijnë. Unë uroj që historia e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të mos jetë një histori grabitjeje pasurie të tjerëve, por fryt i zotësisë në një vend të lirë. Kështu do të ndjehemi të gjithë më mirë.
Por meqë disa të dhëna në media dolën, e disa pamje treguan vilën model “Shampanjë” në një fshat në periferi të Tiranës, do të doja të jepja opinionin tim të lirë për perceptimin e një kategorie të veçantë të pasurish në Shqipëri.
Eshtë hera e dytë në jetën time që shoh një fshat mes gjelbërimit, në kodrat e buta në Farkë të Tiranës, që ndërtohet, konceptohet duke zhdukur gjelbërimin e duke ngritur rreth e rrotull mure të lartë betoni e duke u rrethuar me vila të tjera gjigande, sikur kërkohet një mbrojtje prej një rreziku. Për mua, që mbush me vazo e lule çdo cep të ballkonit në qytet, më duket e pabesueshme që ka njerëz që synojnë të mbushin me tulla, beton e llaç, çdo cep të një fshati në mes të gjelbërimit.
Eshtë hera e dytë, pasi herën e parë, fshatra të tillë, pashë vetëm në kolonitë e hebrenjve të ndërtuara në tokat e palestinezëve. Familjet e kolonëve izraelitë fshatrat e tyre i kanë ngritur me mure të lartë dhe me shumë çemento për shkak të konfliktit mes dy popujve në ato anë të Lindjes së Mesme dhe rreziqeve të shpërthimeve kamikaze. Nuk e di se pse të pasurit e rinj shqiptarë kanë bërë të njëjtën gjë këtu në Shqipëri.
Pastaj përmasat. Familje me nga 3, 4, 5 apo 6 anëtarë në shtëpi me mbi 1000 metra katrorë deri në 3000 metra katrorë? Nuk di si t’ua tregoj se këto modele shtëpish, në modë sidomos në kohën e kolonive, të pushtimeve të mëdha dhe të pasurive të mëdha, bëheshin nga familje të mëdha, në shtete me sipërfaqe të mëdha, ku të afërm, miq, nëse do të vinin të takonin, i duhej patjetër të qëndronin disa ditë e kështu, mysafirët të kishin apartamentet e tyre komode brenda vilës.
Si t’ua shpjegoj se deri në 200-300 metra katrorë është një hapësirë superdinjitoze banimi edhe për superaktorë, super të pasur dhe në botë. Një mbesë e dinastisë së modës Fendi jeton e lumtur në një apartament 40 metra katrorë në Paris edhe pse mundësinë financiare e ka për të pasur shumë metra katrorë në dispozicion. Yjet e Hollivudit njëri pas tjetrit po i shesin supervilat e tyre për të banuar në apartamente që respektojnë natyrën dhe vilat gjigande po blihen nga pasanikë rusë apo të modelit të pasanikëve të rinj të tjerë të lindjes.
Para disa kohësh një dokumentar i televizionit gjerman Arte tregonte se një milioner norvegjez jetonte i lumtur në një apartament prej 100 metra katrorë me të birin dhe nënën e moshuar, përkundër vilës prej 3000 metra katrorë të homologut shqiptar.
Do të doja që Shqipëria të ishte një vend i drejtë, ku njerëzit punëtorë të shpërbleheshin mirë për mundimet e sakrificat e tyre dhe kur të grumbullonin pasuri, të mos detyroheshin të jetonin në fshatra të trishtë betoni si të kolonëvë hebrej. Ose të ndryshonin shijet e ndërthurjes së arkitekturës me natyrën.