Prej rikthimit të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, nisur nga ekperienca e tij, pritej që kjo forcë politike të kalonte një proces transformimi për t’u kthyer në një alternativë reale qeverisëse.

Megjithatë, zhvillimet e dy viteve të fundit duket se po tregojnë një drejtim të kundërt.

PD jo vetëm që nuk po transformohet, por po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një strukturë e mbyllur, e dominuar nga besnikëri personale edhe nga ndikime familjare.

Pse?

Argumenti i parë është mënyra se si u ndërtuan listat e deputetëve.

Në vend që procesi i kompozimit të listave të shërbente për të hapur partinë drejt figurave të reja kontribuese dhe përfaqësuese të elektoratit opozitar, listat u dominuan pothuajse tërësisht nga figura të njohura si besnike të familjes Berisha.

Kjo përcolli mesazhin se Partia Demokratike është një strukturë ku besnikëria ndaj liderit vlen më shumë sesa kontributi dhe vizioni politik.

Argumenti i dytë lidhet me mënyrën se si po merren aktualisht vendimet për drejtimin e strukturave lokale.

Sipas shumë zhvillimeve të fundit në parti, vendimet për kandidimet (lexo: emërimet) e kryetarëve të degëve nuk po kalojnë përmes proceseve të hapura politike, por po ndikohen nga deputetë që shihen vashdimisht në shoqerinë e Shkëlzen Berishës.

Kjo krijon perceptimin e një partie ku qendrat reale të vendimit nuk janë institucionet formale, por rrjetet familjare.

Një shembull tjetër domethënës është mënyra se si po trajtohet rasti i Ervin Salianjit dhe foltoreve të tij.

Në çdo demokraci funksionale, një parti që kërkon të kthehet në alternativë qeverisëse do të bënte maksimumin për të mbështetur dhe promovuar një figurë që është përballur me presione dhe dënime qeveritare për të mbrojtur kauza opozitare.

Por në rastin e PD-së po ndodh e kundërta.

Salianji po trajtohet si problem dhe jo si aset politik. Kjo sepse ai perceptohet si një figurë që sfidon kontrollin absolut të lidershipit dhe që mund të frikësojë projektin e kthimit të PD-së në një pronë të kontrolluar nga familja Berisha.

Edhe protestat më të fundit të PD-së nuk janë për të rrëzuar qeverinë, por për të kontrolluar çelësat e shtëpisë.

Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë po krijohet ideja se Partia Demokratike rrezikon të shndërrohet në një “muze politik”.

Themi  kështu sepse partia po ruan simbolet dhe historinë e saj, por nuk prodhon më energji politike për të ardhmen

Problemi bëhet edhe më i madh kur marrim në konsideratë se sfidat ekonomike dhe emigracioni masiv dëshmojnë krizën e besimit ndaj politikës.

Kjo e bën të domosdoshme që opozita të transformohet në alternativë serioze qeverisëse.

Por, partia familjare projektohet për të ruajtur ekuilibrat brënda saj dhe jo për të ofruar zgjidhje për problemet që shoqëria has.

Nga sa më lart është e qartë se kjo situatë e Partisë Demokratike i shërben edhe kryeministrit Edi Rama sepse një opozitë e dobët është në interes të një qeverie autokrate.

Procesi që i riktheu Berishës kontrollin mbi vulën e partisë, dakortësia për kodin zgjedhor që mundësoi kontrollin e Berishës mbi listat e deputetëve, si edhe raportet e njohura publike mes biznesmenëve pranë familjes Berisha dhe lejeve të ndërtimit të dhëna nga qeveria, ushqejnë dyshimet se sistemi politik shqiptar është më shumë një ekuilibër interesash sesa një përballje reale alternativash.

Nëse kjo prirje vazhdon, rreziku më i madh nuk është thjesht dobësimi i Partisë Demokratike.

Rreziku është që Shqipëria të mbetet pa një opozitë të fortë dhe konkurruese.

Dhe pa konkurrencë reale politike, demokracia gradualisht shndërrohet në një formalitet.

Për këtë arsye, pyetja që shtrohet sot është nëse partia Demokratike do të bëjë beteja politike kundër pushtetit apo do të vashdojë me beteja politike për kontrollin e trashëgimisë.

Pra, pyetja reale është nëse kjo parti do të arrijë të rilindë si një forcë politike e hapur dhe moderne, apo do të mbetet peng i së shkuarës së saj, një muze politik që kujton historinë, ruan dhe mbron trashgiminë, por nuk ndërton dot të ardhmen.