Violinisti Shkëlzen Doli: Jeta ime
nga Elbasani në Gjakovë e Vjenë

Violinisti Shkëlzen Doli: Jeta ime<br />nga Elbasani në Gjakovë e Vjenë
TIRANE- Iku në moshën fëminore nga Elbasani, por Shkëlzen Doli nuk mund ta harroj qyetin, ku për herë të parë ka luajtur me violinë dhe, as kujtimet e kabave përmetare, korçare apo çastet e jashtëzakonshme kur ka interpretuar Zigurin te “Njeriu me Top” pa mbushur ende 7 vjeç. 

Shkëlzen Doli ka mbërritur nga Vjena dje në Tiranë për koncertin që do të mbahet sot në orën 20.00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Mbyllja e sezonit artistik të TKOB-it me violinistin Shkëlzen Doli, sipas Ilir Kernit, drejtorit të institucionit, ka qenë “jo vetëm një nder që i bëhet Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por edhe një mënyrë për të sjellë jehonën që pati violinisti Doli gjatë koncertit të Vjenës më 1 janar 2015 me interpretimin e muzikës shqiptare me orkestrën e Filamonisë së Vjenës”.

Shkëlzen Doli mbeti i pashlyeshëm në kujtesën e publikut vjenez me interpretimin e portpurive të muzikës shqiptare. Stili dhe tingujt e rrallë u bënë vendimtare për karrierën e tij si violinist. Tashmë Doli mbetet një nga zërat solistikë më të mirë të Operës e Filarmoninë e Vjenës. Së fundmi ka themeluar edhe grupin e tij “The Philharmonics”.

Por siç shprehet edhe në këtë intervistë për “Shqiptarja.com”, Shkëlzen Doli ndihet i mbushur me nostalgji për Elbasanin, ku lindi e kaloi fëmijërinë, por  edhe për Gjakovën ku kaloi rininë e tij.
Shkëlzen Doli ishte i pranishëm dje në konferencën për shtyp me dirigjentin Geoff Westley dhe presidenten e fshatit SOS- që do t’i dhurohen të ardhurat nga biletat e koncertit. Ishin të pranishëm dhe drejtuesit e TKOB-it.

Edhe pse nuk është një shumë e madhe, ajo që mund të përftohet nga 700 vendet e TKOB-it me vlerën 1500 lekëve (dhe kjo aspak për faj të tij...), Doli lë për pak kohë projektet në Vjenë dhe vjen, siç thotë, të jap kontributin e tij e “të gëzoj zemrat e shqiptarëve”. 

Dirigjenti i koncertit, Geoff Westley, ka rrëfyer sesi është njohur me muzikën shqiptare. “Muzika shqiptare është interesante dhe unë kam kontakuar me këtë muzikë para 6-7 vjetësh, kur punoja me grupin shqiptar muzikor, kur luante në klarinetë Hekuran Xhambali. Por më shumë kontaktova me muzikën shqiptare në koncertin e këtij viti në Vjenë, ku u luajt muzikë shqiptare e për mua ishte surprizuese”, tha ndër të tjera mjeshtri i dirigjimit G. Westley.

Violinisti virtuoz Shkëlzen Doli do të interpretojë sot pjesë nga Mozart-i dhe premierën “Baresha” e Rexho Mulliqit, përpunuar për violinë dhe orkestër nga Gerti Druga. Koncerti do të shoqërohet nga orekestra e TKOB-it nën dirigjmin e Geoff Westley-t.

Doli rrëfen për lidhjet e tij me violinën, çastet nga jeta e tij, marrëdhënien me Shqipërinë e muzikën shqiptare, por edhe marrëdhëniet e tij me Operën dhe Filarmoninë e Vjenës.

Zoti Doli, çfarë projektesh keni aktualisht dhe çfarë kujtimesh sillni nga interpretimet tuaja në Filarmoninë e Vjenës?
 
- Angazhimi im në Orkestrën Filarmonike të Vjenës ka filluar që në vitin 1995. Gjatë studimeve, mbas një audicioni shumë të vështirë, fitova të drejtën për të luajtur si zëvendësues në Filarmoninë e Vjenës. Ishte një ëndërr e bukur që m’u realizua, që unë të luaja me një orkestër prestigjioze, me tradita e me dirigjentët më të njohur në botë. Unë në Vjenë kam projekte të shumta aktualisht. Filarmonia e Vjenës funksionon edhe për të bërë koncertet e saj, por edhe si orkestër e operës, dhe natyrisht që unë kam shumë projekte, duke qenë se jam pjesë e dy orkestrave e njëkohësisht. Ndërkohë kam marrë leje të vij në Tiranë dhe në fund të qershorit e me radhë më presin koncertet në Vjenë. Jam shumë i lumtur që kam nderin të luaj këtu për spektatorin dhe artdashësin shqiptar në përgjithësi.
 
Si lindi ideja e kësaj kontrate që të jepnit një koncert në Tiranë dhe të ardhurat e biletave të shkojnë tek fëmijët e fshatit SOS?
 
-Teatri i Operës në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë ka marrëdhënie shumë të mira me operën dhe ata kontribuuan ta kthenin koncertin në një koncert humanitar. E ka organizuar Ambasada Austriake me TKOB e drejtuesit e fshatit SOS, ashtu siç u bë edhe me Eno Peçin pak muaj më parë.

Po ideja e lojës premierë në violinë të “Bareshës” si erdhi?
 
-Unë përpiqem që në çdo koncert, sipas rastit, të fus edhe ndonjë perlë të muzikës shqiptare dhe kësaj radhe zgjodha “Bareshën e e Rexho Mulliqit. Por unë kam në në plan që në të tardhmen të ketë një koncert të tillë që të ketë vetëm portpuri shqiptare.
 
Ndonjëherë ngatërrohet vendlindja juaj mes Elbasanit, ku keni lindur dhe Gjakovës ku u rritët. A mund të na tregoni si e keni përjetuar ju udhëtimin tuaj si violinist nga Elbasani, Gjakova, student në Novi Sadi, instrumentist në Vjenë. Pjesë e cilës tradite ndihemi aktualisht?
 
-Unë jam shqiptar që kam lindur në Elbasan me baba nga Gjakova dhe nënën nga Përmeti. Kur u kthyem sërish në Kosovë, Gjakova u bë qyteti ku jam rritur dhe aty kam kujtimet e fëmijërisë e të rinisë sime. Por, edhe pse ika në moshë të re, unë kam nostalgji dhe kujtoj muzikën e këtij qyteti. Madje, unë në Elbasan luajta për herë të parë në violinë dhe nuk kam si ta harroj.  
 
Si ikët me familjen nga Elbasani në Gjakovë para viteve ’90? Dihej që në kohën e diktaturës nuk lejohej dalja nga kufijtë e Shqipërisë?
 
-Po, po, ashtu ka qenë, por aty nga vitet ’80, siç kam dëgjuar nga disa politikanë, është bërë një shkrirje e marrëdhënineve që këtë e shfrytëzoi babai im. Pra, në atë periudhë të shkurtër kur u lejua, disa familje erdhën e disa ikën, sipas rastit. Unë kam qenë atëherë në Shqipëri. Madje në Shqipëri ka lindur edhe vëllai im, tre vjeç më i madh nga unë. Pra, pas 15 vjetësh të qëndrimit të babait tim në Shqipëri, u kthyem në Kosovë; unë vëllai dhe prindërit. Rikthimi i babait tim në Gjakovë ka ardhur nga malli dhe pendesa e ikjes së tij nga shtëpia në moshë aq të re. 
 
Arratisja e babait tuaj në moshën 17-vjeçare nga Kosova, ishte shkak i ndonjë përndjekjeje politike?
 
-Jo thjesht iku. Ashtu e mendoi, e iku...
 
 
Noshta për shkak të ndonjë grindjeje?!
 
-Po, grindja ishte shkak (Hesht më tej).  
 
Çfarë lidhjesh keni pasur e keni me muzikën popullore shqiptare?
 
-Për mua si muzikant muzika poullore, arti i popullit tim është burim frymëzimi e pasioni. Kanë qenë mbështetje themelore. Babai im është gjakovar dhe nëse ke dëgjuar për gjakovarët thuhet “në çdo tre vetë, dy janë këngëtarë”. Pra, mua më vinte natyrshëm mënyra e të ndjerit dhe të kuptuarit e interpretuarit të zhanreve të larmishme muzikore.

Populli ynë ka larmi muzikore. Këngët shqiptare janë me të vërtetë të bukura, por në rastin tim ndikon edhe nostalgjia që më shtyn t‘i dëgjoj shpesh. Nga ato më vjen natyrshëm edhe marrëdhënia me muzikën e të gjitha trevave shqiptare. Ndaj edhe tingujt që vinin nga Filarmonia e Vjenës, kanë qenë një pasion i madh dhe kanë influencuar edhe në jetën time artistike. Unë i jam mirënjohës popullit, se prej kësaj muzike janë nxitur fillimet e mia si violinist drejt një perfeksioni muzikor, drejt një ndjeshmërie të veçantë të interpretimit muzikor.
shkelzen doli

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë, dorëzohen 21 kuti votimi në KZAZ e numërimit!! Kanë mbetur edhe 15 të tjera

Zgjedhjet në Himarë, dorëzohen 21 kuti votimi në KZAZ e numërimit!! Kanë mbetur edhe 15 të tjera