Të shumëpunësuar
Pas një investigimi të vogël që "Shqiptarja.com" mundi të bënte në faqen e internetit të secilit prej universiteteve private, arritëm të zbulojmë një pjesë të emrave të zyrtarëve të lartë, që përveç funksioneve publike, japin edhe leksione në universitetet private. Në këtë listë, e cila sigurisht mund të jetë shumë më e gjatë, pasi jo të gjithë universitetet private e kanë të publikuar stafin e tyre akademik, madje në një pjesë të madhe të tyre nuk ekziston fare kategoria e stafit akademik, nuk mungojnë emra shumë të njohur për publikun shqiptar. Në këtë listë që shoqëron shkrimin, sigurisht që nuk kemi futur një listë tjetër të gjatë me pedagogë të universitetit publik, mjekë apo shefa shërbimesh në QSUT, specialistë të thjeshtë që punojnë nëpër ministri apo institucione të tjera shtetërore, por kemi tentuar të bëjmë një listë vetëm me personazhe që mbajnë poste politike.
Kështu duket se vajza e kryeministrit të vendit, Argita Berisha është një lektore mjaft e kërkuar nga privatët, pasi ajo aktualisht jep leksione në tre universitete private. Më konkretisht emri i Argita Malltezit (Berisha) figuron si pjesë e stafit akademik seniorë te universiteti Europian i Tiranës, ajo është gjithashtu edhe pedagoge e jashtme te departamenti i Shkencave Juridike pranë universitetit "Kristal", por Argita Berisha gjen kohë të japë leksione edhe për studentët e drejtësisë të universitetit "Luarasi". Ndërkohë që bashkëshorti i saj, Jamarbër Malltezi është pedagog i brendshëm tek departamenti i Arkitekturës i universitetit "Kristal". Duket se të apasionuar pas leksioneve në universitetet private janë edhe ata që punojnë në sistemin e drejtësisë. Kështu në UET, pjesë e stafit akademik është edhe Xhezair Zaganjori, anëtar i gjykatës kushtetuese si dhe Ardian Nuni, gjyqtar në gjykatën e Lartë, që të dy si pedagogë seniorë. Ndërsa tek universiteti privat "Luarasi", japin leksione Ardian Dvorani, anëtar i Gjykatës së Lartë; Sokol Berberi dhe Vladimir Kristo që të dy anëtarë të gjykatës Kushtetuese. Në listën e gjatë të stafit akademik të UET-së, përveç shumë emrave të njohur të specialistëve të fushave të ndryshme, por që punojnë në sistemin publik, bie në sy edhe emri i deputetit të PD-së, Mark Marku. Ndërsa Glori Husi, këshilltari i kryeministrit për çështjet politike, është pedagog i jashtëm në departamentin e shkencave Juridike të "Kristal" dhe po në të njëjtin universitet jap leksione edhe Iva Zajmi, zëvendësministre e Brendshme, në departamentin e shkencave Politiko-Administrative si dhe Apollon Baçe, drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës në departamentin e Arkitekturës. Tek universiteti "Polis" jep leksione Olsi Lafe, drejtor i trashëgimisë kulturore te ministria e Kulturës, ndërsa deputeti i PD-së, Tritan Shehu është zëvendësrektor i universitetit "Zoja e Këshillit të Mirë".
Edhe në këtë rast ne po i referohemi ligjit për konfliktin e interesit, i cili përcakton qartë kufizimet e titullarëve të çdo lloj kategorie. Në nenin 27 e në vijim ai përcakton të gjitha nivelet e zyrtarëve kur përbëjnë konflikt interesi. "Kryeministri, zëvendëskryeministri, ministri dhe zv.ministri:
a) nuk mund të jenë drejtues ose anëtarë të organeve drejtuese në organizata fitimprurëse dhe jofitimprurëse, sindikata ose organizata profesionale dhe çdo organizate tjetër, përjashtuar organizatat politike dhe shtetërore, si dhe në rastet kur një pozicion i tillë diktohet për shkak të funksionit; nuk mund të ushtrojnë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, si dhe profesione të lira të avokatisë, noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën "a" të këtij neni, si dhe nuk mund të jenë të punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër; nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj", - thuhet në këtë nen. Besojmë se të gjithë këta zyrtarë që e kanë emrin në listën që shoqëron këtë shkrim e dinë shumë mirë këtë fakt, por kanë vendosur të mos e respektojnë.
LISTA E ZYRTAREVE PEDAGOGE NE UNIVERSITETET PRIVATE
Universiteti “Kristal”
Argita Malltezi (vajza e kryeministrit Berisha)
Glori Husi (këshilltar politik i kryeministrit Berisha)
Iva Zajmi (zv.ministre e Brendshme)
Jamarbër Malltezi (dhëndri i Berishës)
Apollon Baçe (drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës)
Universiteti Evropian i Tiranës
Xhezair Zaganjori (anëtar i gjykatës kushtetuese)
Mark Marku (deputet i PD-së)
Argita Malltezi (vajza e kryeministrit Berisha)
Ardian Nuni (Gjyqtar në gjykatën e Lartë)
ma shto edhe kete te UET
Universiteti “Polis”
Olsi Lafe (Drejtor i trashëgimisë kulturore në MTKRS)
Universiteti “Luarasi”
Argita Malltezi (vajza e kryeministrit Berisha)
Ardian Dvorani (anëtar i Gjykatës së Lartë)
Sokol Berberi (anëtar i gjykatës Kushtetuese)
Vladimir Kristo (anëtar i gjykatës Kushtetuese)
“Zoja e Këshillit të Mirë”
Tritan Shehu (Deputet i PD-së)
(im/jd/shqiptarja.com)