Virusi i Nilit Perëndimor, pse
rrezikohet edhe Shqipëria

Virusi i Nilit Perëndimor, pse<br />rrezikohet edhe Shqipëria
Në lajmet e javës së fundit, Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë deklaroi se ethet e virusit të Nilit Perëndimor kanë prekur edhe Shqipërinë. Numërohen rreth 5 raste të dyshuara në vendin tonë që priten ende të konfirmohen. Duket se kriza ekonomike evropiane ka shfaqur pasojat e saj edhe në shëndetësi. Shumë emigrantë Shqiptarë rikthehen në vendin e tyre duke mbartur me vete ''kartelat klinike'' të vendeve nga vijnë. Dy vite më parë Ministria e Shëndetësisë greke shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ku Virusi i Nilit Perëndimor numëroi 11 të vdekur, 150 të tjerë në gjendje të rëndë dhe rreth 15 000 të infektuar. Pas valës së infeksionit në Bukuresht të vitit 1996, në Rusi në 1999, pastaj në Hungari në 2008 e Austri tashmë duket se po përhapet edhe në vende të tjera të Evropës. Dinamika e lëvizjeve demografike po zgjon nga gjumi sëmundje të ndryshme që po vihen re vetëm vitet e fundit.

Gjithashtu është rritur ndjeshëm edhe lëvizja e tregut të punës me vendet aziatike apo procesi i integrimit të kontinentit afrikan me misionet e shumta nga vendet e Evropës. Një vend në zhvillim si Shqipëria është pjesë e këtyre valëvitjeve e/imigruese që reflektohen edhe në hartën epidemiologjike të sëmundjeve të vendit. Për të gjithë ata persona që për arsye të ndryshme janë të detyruar të udhëtojnë në vende endemike të shumë infeksioneve si Azi, Afrikë, Lindje e Mesme etj është rreptësisht e këshillueshme të informohen dhe të marrin të gjitha masat preventive dhe kuruese përpara se të nisen.

Para pak ditësh Shoqata e Infektiologëve në Shqipëri bëri të ditur ekzistencën e 7 rasteve të reja me Malarie në Shqipëri, e cila mendohet të jetë importuar nga vendet fqinje si Italia e Greqia. Gjithsesi autoritetet shëndetësore deklarojnë se situara është nën kontroll dhe sygjerojnë përforcim të kontrollove në pikat doganore. Deri para viteve 70' Shqipëria ka qënë një zonë endemike e Malaries duke patur parasysh gjeografinë e saj kënetore sidomos në Lezhe, Lushnjë, Vlorë etj.

Hipoteza: Shkaktarë ndryshimet klimaterike, ne SHBA 4 te vdekur

Epidemia e Virusit të Nilit Perënsimor të verës së këtij viti në Sh.B.A qe një nga më të këqijat të kaluara ndonjëherë. Në kontinentin e largët u rregjistruan rreth 1118 raste të reja të sëmundjes duke shënuar 41 vdekje. Që kur u zbulua në vitin 1999, është hera e parë që vërehet një epidemi e tillë mbarëbotërore.
Punonjësit e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Sëmundjeve në Amerikë u shprehën se kjo epidemi është një nga më kërcënueset që ka parë njerëzimi nga ky virus.''Nuk e dimë ende çfarë e shpërtheu këtë epidemi. Supozojmë se ndryshimet klimaterike luajnë një rol të rëndësishëm: tani pranvera e vera vijnë më shpejtë e dimri është më i butë. Temperaturat e larta dhe luhatjet shi-thatësirë krijojnë kushte ideale të cilat kanë impakt biologjik te mushkonjat transmetuese. Duke qënë së dimri është më i butë dhe pranvera vjen më shpejtë, cikli i jetës së mushkonjave rritet. Normalisht ato do të kishin ''vdekur në dimër. Kjo u lejon të riprodhohen me shpejtësi në pranverën që pritet. Koha e ngrohtë e përshpejton akoma më shumë këtë proces''
Teksasi qe një nga shtetet më të prekura. Aty thatësira është shumë më e lartë se vendet e tjera të Amerikës. Ekspertët epidemiologë shpjegojnë se në këto modele klimaterike edhe uji është më i ndotur duke stimuluar krijimin e ambjenteve ushqyese për mushkonjat.
Alarm për profesionistët e Shëndetit Publik përbën edhe fakti që këto sezone thatësire mund të përbëjnë një faktor precipitues për shfaqjen edhe të mushkonjave vektore të sëmundjeve të tjera. Nuk do të ishte aspak çudi. Akoma më pak edhe ndonjë epidemi e re e malaries. Nuk është e vështirë të parashikosh këto ndryshime kur tashmë është studiuar fare mirë lidhja që ekziston midis cikli biologjik të mushkonjve dhe motit. Sëmundja transmetohet te njerëzit nëpërmjet pickimit të mushkonjave të infektuara. Këto të fundit e marrin virusin kur ushqehen me zogj të infektuar nga i njëjti virus.

Profili i virusit
Virusi i Nilit Perëndimor është një virus i cili transmetohet te njerëzit nëpërmjet pickimit të mushkonjave. Ato përbëjnë të vetmin vektor të sëmundjes dhe e marrin virusin nga ushqyerja me zogjtë e infektuar. Virusi nuk transmetohet nga njeriu te njeriu apo nga zogjtë te njeriu. Simptomat e tij variojnë nga të lehta ( shpesh nuk dallohen fare) deri në të rënda ku përfshihen infeksionet e rënda të trurit si encefaliti (inflamacion i trurit), meningiti (inflamacion i meningeve dhe i palcës kurrizore). Sëmundja që shkakton virusi quhet Encefaliti i Nilit Perëndimor. 80% e të infektuarve nuk paraqesin simptoma ndërsa 20% prezantojnë një formë të sëmundjes me simptoma të ngjashme me gripin apo të ashtëquajturat Ethet e Nilit Perëndimor. Disa nga simptomat përfshijnë dhimbje koke, dhibje të përgjithshme trupi, të vjella, zmadhim i gjendrave limfatike. Simptomat mund të zgjasin disa ditë apo javë. Risku më i lartë qëndron në atë 1 në 150 persona që zhvillon formën neurologjike të sëmundjes të manifestuar si meningit, encefalit, paraliza, koma apo edhe vdekje. Këto raste janë më të shpeshta në moshat mbi 50 vjeç. Si edhe në sëmundjet e tjera infektive, fëmijët dhe të moshuarit me sistem imunitar të dobësuar përbëjnë më të rrezikuarit. I vetmi parandalim i mundshëm është veshja e rrobave me mëngë të gjata dhe shmangia e orëve kur mushkonjat mund të pickojnë siç janë muzgu dhe mëngjesi i hershëm. Aplikimi i insekticidëve në formën e kremrave apo sprajve është i këshillueshëm gjithashtu. Ata janë në gjendje të ndalojnë deri në 90-100% reaksionet e pickimit. Sezoni tipikisht përfundon në Tetor.

Cili është trajtimi?
Nuk ka një trajtim specifik për infeksionin. Në rastet kur simptomat janë të moderuara mund të përdoren medikamente për të reduktuar temperaturën apo dhimbjet. Kujdes përdorimin e Aspirinës në fëmijët e vegjël pasi paraqet risk për zhvillimin e sindromës Reye. Në rastet kur infeksioni paraqet klinikën e tij më të rëndë kërkohet mbikqyrja mjekësore në spital.

(Shkrimi u publikua ne suplementin ALMEDICUS, gazeta Shqiptarja.com, 11 tetor 2012)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat