Në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Shkollën e Magjistraturës, drejtuesit e institucioneve të drejtësisë u përcollën kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë mesazhe për pavarësi, integritet dhe përgjegjësi. Përballë magjistratëve të ardhshëm, Presidenti Bajram Begaj, drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi dhe kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi vunë theksin te përgjegjësia që sjell pushteti për të dhënë drejtësi.
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi, u kërkoi magjistratëve të ardhshëm të mos ndikohen nga pushteti apo presioni publik dhe të kenë kurajën për të qenë të drejtë edhe kur vendimet e tyre nuk do të mirëpriten.
“Të jeni të drejtë, të pavarur, të mos ndikoheni nga zhurmat publike, nga pushteti. Të qenit i drejtë është elementi më i vështirë i integritetit të magjistratit, por duhet ta bëni edhe atëherë kur vendimi juaj nuk do të shërbehet. Nëse nuk arrini të kapërceni vështirësinë për të qenë të drejtë, jini të ndershëm për të ndërruar profesion. Një gjyqtar nuk fshihet pas sistemit, është ai që mishëron sistemin”, tha Rakipi.
Presidenti Bajram Begaj e lidhi përgjegjësinë e brezit të ri të magjistratëve me rezultatet e reformës në drejtësi. Kreu i shtetit veçoi SPAK-un dhe GJKKO-në, duke thënë se i dhanë fund pandëshkueshmërisë. Por sipas Begajt, suksesi i reformës varet edhe nga gjyqtarët dhe prokurorët që duhet të mbrojnë pavarësinë e sistemit.
“Reforma në drejtësi ishte një nga ndërhyrjet më thelbësore në historinë e institucioneve të vendit tonë. Procesi i vettingut ka përfunduar, institucionet e drejtësisë janë reformuar, ndërsa SPAK, bashkë me GJKKO, kanë krijuar një realitet të ri në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Reforma s’mund të ketë sukses nëse gjyqtarët dhe prokurorët nuk e mbrojnë atë”, tha Begaj.
Për kreun e Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, drejtësia nuk është privilegj, por një e drejtë e çdo qytetari.
“Për ju që do të bëheni gjyqtarë, pavarësia nuk është privilegj, por garanci e qytetarit. Ajo dëshmohet veçanërisht kur vendimi i drejtë nuk është vendimi më i lehtë, më popullor apo më i përshtatshëm. Për ju që do të bëheni prokurorë, autoriteti që ju jep ligji duhet të shoqërohet me objektivitet dhe përgjegjësi. Fuqia e akuzës nuk qëndron te ashpërsia e saj, por te drejtësia e saj. Pavarësisht profilit që keni zgjedhur, ka diçka që ju bashkon të gjithëve: do t’i shërbeni së drejtës dhe, përmes saj, qytetarit”, tha Sadushi.
Lajmi në përditësim…..








Komente
Komento