Në fjalën e saj në Kuvend, Ina Zhupa ironizoi platformën ‘Pasqyra e Flamingos’ duke u shprehur se gjithçka është propagandë pasi ka ende dokumente të papublikuara. Më tej tha se s’ka nevojë për takimet e ‘Pranisë Besnike’ kur dëgjimi i qytetarëve është detyra parësore e çdo deputeti.
Ajo i tha mazhorancës se studentët do të bëjnë ndryshimin me protestën e tyre, ndonëse po bëhet çdo përpjekje për t’i dëmtuar. Në fund, u ndal edhe te reforma territoriale që e quajti “masakër” pasi s’po merret në konsideratë interesi i qytetarëve dhe kundërshtimet e tyre për reduktimin e numrit të bashkive.
“Tani duhet ta quajmë arritje të madhe se disa nga këto dokumente do t’i publikojnë. E them disa se shumë të tjera, se lejen e zhvillimit nuk e publikon. Vijnë deputetët dhe mburren po takojnë qytetarët. Detyra A e deputetit është të takojë qytetarët, s’është arritje e madhe se po i takoni në të njëjtën orë. Çdo gjë propagandë, fiktivitet dhe asgjë që u përgjigjet qytetarëve e studentëve. Sot është dita e parë e vitit të ri akademik, dita e parë e revolucionit studentor. Të jeni të bindur që studentët do t’ju marrin përpara. Këtë protestë studentore do ta kthejnë në madhështore, do të jenë brezi që do të bëjnë ndryshimin. Sot ka 56 mijë studentë më pak, por juve s’ju bën përshtypje sepse po bëni çdo gjë që ta shpopulloni këtë vend që shtresa gri të largohet nga Shqipëria dhe të mbeten ata që mund t’i kontrolloni. Shqipëria sot nis një vit akademik ku studentët kanë në konviktet e tyre kushtet e mesjetës. Rama ishte sot në Durrës, por e pritën me protestë, u rrethua me polici sepse kudo shkon, shkon si tradhtar i kombit. Do të bëni një masakër tjetër. Jeni duke mos pyetur 225 mijë qytetarë shqiptarë, 15 këshilla bashkiakë që ju kanë votuar kundër, jeni duke injoruar interesin e qytetarëve vetëm sepse nuk i përgjigjet interesit tuaj. Uroj që të ketë ende deputetë për t’i dalë kundër partisë së tyre”, tha Zhupa.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Arresti i ish-kreut të SHISH, Berisha: Hyseni u rekrutua nga bandat, ju bëheni avokatë! ‘Territorialja’, Balla: Fokusi te shërbimet! Zhupa: Masakër







