Ministria e Arsimit shtyn për herë të dytë regjistrimin në shkolla, deri të dielën e 10 shtatorit, një ditë para nisjes së vitit të ri për arsimin para-universitar 2023-2024.

Ministria argumenton, se kjo shtyrje e dytë, pas asaj që u bë deri më 4 shtator, ka qëllim krijimin e mundësisë se regjistrimit për të gjithë nxënësit përmes sistemit e-Albania.

"Në vijim të shkresës së Ministrit të Arsimit dhe Sportit me numër 5131/2 prot datë 06.09.2023, për regjistrimet në institucionet e arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2023-2024, me qellim krijimin e mundësisë se regjistrimit për të gjithë nxënësit, sistemi e-albania do të qëndrojë i hapur deri më datën 10.09.2023. Ju lutemi të njoftoni prindërit ose kujdestarët e nxënësve që ende nuk janë regjistruar që të aplikojnë sa më shpejt për regjistrim”, thuhet në njoftim.

Afati i regjistrimeve ka qenë deri më datë 1 shtator, por për arsye se shumë fëmijë që nisin klasën e parë apo gjimnazin, kishin mbetur ende pa u regjistruar, u mor vendim të lihet afat deri më 10 shtator.

Për shkollën e mesme profesionale dhe gjimnazin me kohë të pjesshme mbi 18 vjeç, regjistrimi vijon të jetë i hapur deri më 30 shtator.