Kjo vepër jo vetëm njohu disa ribotime radhazi në Francë në shekujt XVI-XVII, por u bë edhe vepra bazë për përkthimin e Barletit në krejt gjuhët evropiane, anglisht, spanjisht, portugalisht, suedisht e me radhë, deri në polonisht, si dhe shërbeu si burim frymëzimi për një letërsi dhe art të mirëfilltë të epopesë skënderbejane, në krejt gjinitë letrare, poezi, novelë e roman, por edhe në opera e opereta, e sidomos në artin e fuqishëm të pikturës e grafikës, ku lulëzuan portretet e Heroit kombëtar shqiptar dhe të figurave të rëndësishme të historisë kastriotine e shqiptare.
Nga ana tjetër vepra “Histori e Skënderbeut” e Barletit dhe e francezit Jacques de Lavardin, për vlerën e saj të çmuar, u përshëndet që në fillim nga poetë me emër të kohës, që ishin njëkohësisht edhe humanistë të shquar të Rilindjes europiane, latinistë, profesorë, retorikë, oratorë, si Vincentius Petrus Regulus e Patavinus Dominicus Alegzenano, e mbi të gjithë nga Pierre de Ronsard, i konsideruar “Princ i Poetëve” dhe “Poeti i Princërve të Plejadës franceze.
Njëmbëdhjetë poemat dhe poezitë për Skënderbeun nga autorë të shquar botërorë që po botojmë këtu përfaqësojnë në fakt tre epoka të ndryshme historike: periudhën e Rilindjes europiane me Gabiele Faernon e Luigi Groton, etj.; periudhën e luftës për pavarësinë greke në fillim të shekullit XIX, kur shkëlqyen Boçari me arvanitasit e tij dhe kur Bajroni përjetësoi shqiptarin historik të Skënderbeut me fustanellën e gjatë karakteristike; dhe më në fund periudhën e fillimit të luftës për pavarësinë shqiptare me Ligjen e Prizrenit dhe kur De Rada i shkruante Lamartinit të madh e Dora d’Istria në Amerikë i kërkonte Longfellout, poetit kombëtar amerikan, të shkruante për lavdinë skënderbejane. Fakti është se nga Rilindja europiane e gjer në ditët e sotme, figura e Skënderbeut ka qenë dhe mbetet simbol i përhershëm frymëzimi i vargut të ëmbël lirik e poetik.
LAVARDIN Jacques de (shek. XVI).
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, emër i pavdekshëm, shenjtëruar në tempullin e Kujtesës.
Pjesë nga Parathënia drejtuar Fisnikërisë franceze.
Do hasni këtu një Princ fetar, zemërbardhë, luftarak, armatosur me besë e zell të pabesueshëm, një ushtar besnik, unanim, i bindur. Do vëreni një bindje aq të përkryer të disiplinës ushtarake, sa fitoret e papërfillshme dhe bëmat e të tjerëve do t'ju duken më pak të denja për adhurim. Është këtu jeta e Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur nga turqit Skënderbe, Mbret i Shqipërisë, emri i pavdekshëm i të cilit është i denjë, pa kurrfarë kundërshtimi, për t'u shenjtëruar në tempullin e Kujtesës, përmbi, rastësisht, të gjithë të tjerët të rekomanduar kalorës e kampionë të Jezu Krishtit, prej tij gjallëruar në do vise të Levantit përballë sektit të Mehmetit, ku ai, më se një herë ka shfaqur krejt cilësitë dhe prerogativat e lëvdueshme, sikurse janë besimi, forca, zhdërvjelltësia trupore, shkathtësia mendore dhe praktikimi i armëve, zbatuar me një këmbëngulje aq të pazakontë sa bëmat e tij i tejkaluan meritueshëm, mund të thuhet, vetë misionet e paracaktuara; dhe prej tyre, unë nxora e mora, sipas historisë së vërtetë, shkrime nga ata që kanë folur, në mënyrë të veçantë nga Marin Barleci, Prift, lindur në Skutari të Shqipërisë, që mendova ta kem si ekzemplar e patron kryesor, si autor që, tek njihet për shumë zotësi e vërtetësi, për shumë seriozitet e gojëtari, meriton vend ndër Historianët latinë më në zë të shekujve të shkuar. [...]
VINCENTIUS, Petrus Regulus (1519-1581).
Poemth në ballinën e librit të Barletit për
“Historinë e Skënderbeut”, Romë, 1508-1510.
Skënderbeu, rrufe do t’ju shfaqet!
Lexuesit:
Armiqtë e besimit të shenjtë,
Përballë armëve ngadhënjimtare
Shfaqur Apostolike,
U mposhtën nga ligjet,
Në ndeshje me ata prijës të lartë mahnitës,
Që u admiruan aq shumë.
Skënderbeu, rrufe do t’ju shfaqet,
Shpirtmadh përherë në veprim
Aq të domosdoshëm e dimë,
Kur turqit e egër aq shpesh bënë masakra.
Besimin te Venediku s’e humbi ndonjëherë;
Si luan, i erdhi në ndihmë aq mirë,
Në emër të miqësisë,
Kur edhe vetë emri i tij
Me sa duket, do të thotë në gjuhën turke
Aleksandër i Madh,
Lexues mik, Përshëndetje.
PATAVINUS, Dominicus Alezegnano (shek. XVI).
Poemth në ballinën e librit të Barletit për
“Historinë e Skënderbeut”, Romë ~1508.
Një gjeni i lartë, me gjak të ndritur.
Me krenari të flasim, se ja ku lexuesi veprën
E një gjeniu të lartë po përshkon,
Emrin autori gjer në yje ia çon,
Skanderbegu, me gjak të ndritur lindi,
Me shpirtmadhësi u shfaq, ky prijës bëmash heroike,
S’binte më poshtë nga Kamiliusi në madhështi,
Cezari i pamposhtur nuk i afrohej dot për trimëri
Të madhit të Epirit, që aq ndritshëm ngadhënjen.
Krenar jam për bëmat e larta të këtij princi të paparë.
AMADIS, Jamin (1540-1593).
Skënderbeu, në radhën e Perëndive.
(Odë në librin e Lavardinit "Histori e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbe, mbret i Shqipërisë").
[...] I lumtur them bredharaku
Që Inditë shkon të kërkojë,
Që majë valëve endet,
A mbi tokë rendet.
Dëshira është zjarr i bukur,
Pa të, gjithçka do të ish e humbur.
Por, kush nga fisnikja dëshirë
Ndjen guximin e përtërirë,
Kush nga dashuri shembullore
Mbron tokën amëtore,
Ai është njeriu i lumturive,
Është i përzgjedhuri i Perëndive.
Virtyti në thelb përmban veprim,
Emulacion e nderim;
Fatlumi virtyt
Veprimin e keq e mbyt,
Siç na e mëson Skënderbe kjo tëndja histori.
Pas kujt të kapet, virtyti e di.
Dhe Skënderbeu gjithë trimëri,
I denjë për Përjetësi,
Gjak i kulluar mbretërish të Epirit,
Sikur të mos kish zgjedhë jetën në liri,
Ashtu si stërgjyshërit e tij,
A do qe vallë sot në radhën e Perëndive?
RONSARD, Pierre de, (1524-1585).
(Sonet në librin e Lavardinit "Histori e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbe, mbret i Shqipërisë").
O nder i shekullit tënd !
O shqiptar prej fatit sjellë !
Epiri veç në kuaj është i pasur,
Të aftë çmimin për t’ia zhvatë zemrës Olimpiane;
Pale në burra luftëtarë, gjak i
lashtë i të cilëve,
Krenohet që del i guximtë, prej trimit Akil.
Pirron kam për dëshmitar që shfarosi plot qytete,
E për varr pati murin e lashtë argjin,
Dhe Skënderbeun, fitimtar ndaj popullit skit,
Që nga tërë Azia dëboi Ungjillë.
O nder i shekullit tënd ! O shqiptar prej fatit sjellë !
Dora tënde, turqit mundi plot njëzet e dy herë,
Tmerr i radhëve të tyre, llahtarë e kështjellave të tyre;
Dhe prapë, i vdekur do ishe, prej fatit përpirë,
Sikur vepër fort e zgjuar e të diçmit Lavardin,
S’do kish ringritur bëmat e tua, vdekjen tek ta mposhti.
CHRESTIEN, Florient (1541-1596).
(Poemth në librin e Lavardinit "Histori e Gjergj Kastriotit të mbiquajtur Skënderbe, mbret i Shqipërisë").
Përkushtim: “Për Fisnikun Lavardin, Fisnik i Plessis-Bourrot, Fisnik fort i diçëm e i virtytshëm, mbi "Historinë e tij të turqve”.
Francez, imito Skënderbeun!
Nuk mundem, Lavardin, të rri -
Para bëmave lavdiplotë, të trimit Epirot,
Para virtytit të tij famëmadh,
Që ti na e dhe plot shkëlqim me këtë Histori,
Të bukur e të dëlirë -,
Pa qortuar më parë frëngjit tanë,
Trima të tërbuar;
Pa hequr thellë në shpirt për atë çka mund të kishim bërë ne më mirë,
A të paktën mos të harrojmë
Që sado pak territore do mund të kishim liruar
Nga i huaji Barbar, i fuqishëm e ngadhënjimtar.
I mjeri ti francez, në këtë liri servile,
Që këmbëngul ethshëm në luftën civile,
Shndërroje mjerimin tënd
Me anë të kësaj Historie;
Imito Skënderbeun dhe turp të të vijë
Që pabesi e Barbarëve
Të la në prapavijë,
Vepro në të kundërt, në qofsh
i Krishterë,
Dhe me sadopak vlerë.[...]
FAERNO, Gabriele (1510-1561).
« Sul sepolcro di Scanderbeg » in Paolo Giovio, « Gli elogi Vite brevemente sceritte d’huomini illustri di guerra antici e moderni… » [Në varrin e Skënderbeut, sipas librit të Pal Jovit « Shkurtore e jetës së njerëzve të shquar të luftës, të lashtë e modernë »], Pascia, 1559, f. 120, përktheu nga origjinali Moikom Zeqo 1.
Midis të gjallëve, ti përherë
me më shumë lavd e nder.
Brenda varrit tënd o Gjergj krejt u mbyll
Shkatërrimi i turqve dhe vetë mbrojtja e Epirit.
Por kockat e tua të shenjta pa marrëveshje kurrfarë
Në shumë vende u shpërndanë e depërtuan kudo.
Se gjymtyrët e tua heroike varri dot s’i mbajti,
Të dhunuan e varrin hapën armiqtë e tu.
Menduan se të çbënë – por si vetë emri yt i madh
U ndez Lavdia, që në botë u hap e u përhap.
Sepse duke e lënë këtë botë papritur,
Trupi yt ra pre e armiqve të egër,
Që hak donin të merrnin – por ishe ti që hak ndaj tyre more!
Sepse Virtytin që e ruan e ta jep varri,
Të tjerët ta hoqën – por kjo gjë e pazakontë,
Përherë të fali midis të gjallëve më shumë lavd e nder!
GROTO, Luigi 2 (1541-1585).
« Dell'Invittissimo Scanderbeg, in Gl' illustri e gloriosi gesti & vittoriose imprese contra Turchi del Signor Don Giorgio Castriotto detto Scanderbeg, principe d'Epiro3, Venetia, 1591. [Bëmat e shkëlqyera e të lavdishme dhe ndërmarrjet fitimtare të bëra kundër Turqve nga zoti Gjergj Kastrioti i quajtur Skënderbe, princ i Epirit].
Skënderbeu i pamposhtur.
Poemë për Skënderbeun nga Luigi Groto,
I verbëri i Adrias.
Aleksandër i Ri, jo i të hershmit Orient,
Por i të Madhit Sundimtar të të sotmit Orient,
Që shkëlqen gjithë krenari me ngadhënjimet e tua,
Plot guxim të paepur në bëma të shumta,
Kur tjetrit Aleksandër shkëlqimi i ka rënë,
Dhe penë lakmon i fuqishmi grek.
Ti jo, për Homer' pa sy s'ke nevojë,
Që, për varg të rremë, ja ku po e përgënjeshtroj.
I përtërirë veç je me bëmat e tua dhe kurorën e shenjtë,
Që kurrkush aq mirë s'do mund t'i përmendë,
Veç Engjëllit vetë, i gatshëm t’i ndrij e rinoj,
Ai Engjëll fatlum që të pa e zbuloi,
Të tillë Hero mes të lashtëve të tu, lum ai!
Aq i lartë e i ndritur, mes stërnipash, s'ka si ti!
SPENSER Edmund (1553-1599).
Sonnet in "Histoire of George Castriot, surnamed Scanderberg, King of Albania...". Newly translated out of French into English by Z.I. Gentleman, Imprinted for W. Ponsonby, 1596.
I madh në emër, i madh në forcë e pushtet,
Në altar të fitores zuri vend plot dinjitet.
Përse më kot e kaq fort Lashtësia u dashka mburrur,
Me monumente të moçme kreshnikësh mbrujtur,
Dhe tërë ata heronj të hershëm që botën çmerisnin,
Me bëmat e tyre edhe fëmijët i tororisnin?
Që veç mrekulloheshin kur himne u këndoheshin,
Tek këqyrnin statujat kolose plot dalldi,
Mbi harqe triumfesh ngritur në ajri,
Piramida gjigande që edhe qiejt sfidonin.
Po ja, erdh' Një, që kohë e mëvonë në dritë e nxori,
Me më të mëdhenjtë e të mëdhenjve i përngjashëm doli,
I madh në emër, i madh në forcë e pushtet,
Në altar të fitores zuri vend plot dinjitet.
Tmerr për turqit, gjëmë e llahtarë për të pafe,
Bëmat e tua ky libër larton, O Skënderbe.
D’AUBIGNÉ, Théodore Agrippa (1552-1630).
“Les Tragiques”, [Tragjiket], Paris, 1615, f. 07.
Sa shumë luftëra, sa shumë bëma, sa shumë lavdi!
Princër, që villni mëshirë të ndyrë,
Drejt qiellit ktheni kurrizin, drejt ferrit fytyrë;
Këtu, skllevër ju shohim tek mbretëroni,
Po as vetë nuk dini në do humbisni a do fitoni,
Këngët tuaja veç në tempuj buçasin,
Kur hundët të thyeni, lakejtë do ulërasin;
Sa herë mashtroni, gjithçka e bëni përshesh,
Po kur Zoti inat t’ju marrë, me gjak do t’ju veshë; [...]
Kështu, Skënderbeut iu rrëmbye fëmijëria
Nga të këtillë mësonjës, iu robërua lumturia
Në saraje mbushur gjithë ëmbëlsi;
Për qumësht thithi t’Orientit madhështi,
Myfti pas myfti, veshët ia grinë plot llafollogji,
Me bëma Mehmetësh dhe me do plakash mrekulli;
Por gjykim i tij i shëndoshë mposhti çdo kotësi,
Gjysmëhënat shpalosur i përbuzi gjithsesi,
(Po dhe armët që përkulnin tokën mbarë)
Që në emër të perandorit hapnin varr,
Për çdo kope të hallakatë e të ngratë.
Prijës u bë për ata që e njihnin pak.
Por sa shumë luftëra, sa shumë bëma, sa shumë lavdi,
Që kushdo mund t’i lexojë plot habi.
Për çdonjë nga krijesat tona qielli po ngushtohet,
Bujari e tij përherë po pakësohet,
Vetë soji ynë do ishte plot madhështi,
Sikur çdo mëmë e shekullit të mos kish mëkati.
BYRON, Gordon George (1788-1824).
“Childe Harold's pilgrimage” 1812-1818, [Shtegtimi i Çajld Haroldit], Kënga XXXVIII, Varianti frëngjisht nga A. Regaut, vëll. 1, Paris 1874, f. 73-74
Shqipëri, o nënë burrash të rreptë.
Vargje monumentale që e bënë të njohur në Perëndim Shqipërinë dhe shqiptarët, para luftës për pavarësinë e Greqisë, ku shqiptarët luajtën rol madhor e madhështor.
Kënga XXXVIII
[...] Tokë e Shqipërisë, ku lindi Iskanderi, [Aleksandri i Madh]
Tundim i rinisë, fanar i t’urtëve,
Po ku lindi edhe i përngjashmi i vet krenar, [Skënderbeu]
Që armiqtë tmerronte me bëmat kreshnike.
Shqipëri, lejomë të ulë sytë e mi
Mbi ty, o nënë burrash të rreptë, që u dhe jetë!
Kryqi po bie, minaretë po ngrihen,
Dhe gjysmëhëna e zbehtë ndrin lugajave,
Përmes pyjesh plot selvi në rrethinë të çdo qyteti.
LONGFELLOW, Henry Wadsworth (1807-1882)
“Skanderbeg, Tales of a Wayside Inn”,[Skënderbeu, Histori të një Hani Afër Udhës], Sudbury, Massachusetts, 1863, shqipëruar e botuar nga At Fan S. Noli, Libraria Popullore, Boston Mass. 1916.
(Fan S. Noli: "Kjo vjershë është nofta më e bukura që është shkruar në një gjuhë të huaj për trimin tonë kombëtar dhe meritonte vendin e parë në mes të vëllimeve që kam nër ment të nxier në shesh për këndonjësit shqiptarë"- 1916).4 – Kjo vjershë u shkrua nga Longfellow, i konsideruar si poeti kombëtar amerikan, nën nxitjen e Dora d’Istrias gjatë takimit me të në Amerikë.
[Po japim më poshtë vetëm episodin e kthimit të Skënderbeut në Krujë pas luftës së Nishit, nën penën e Longfellow].
Skënderbeu – Yll mëngjesi i Shqipërisë.
Nga Kështjella shpejt ka rënë
Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vent të tij valon
Flamur’ i Skënderit n’erë
Shkab’ e Zezë me dy krerë.
Dhe një thirrje lart u-ngrit,
Se çdo zemër e çdo shpirt
U-mërzit nga Turku i lik,
Që e bëri atë Krujë
Zi, murtajë dhe rrëmujë.
Ay zë me gas me bujë
Q’oshëtin nga brek në brek
Është: “Rrofsh, o Skanderbeg!”
Ja kështu Skënderi trim
Mori Krujën me rrëmbim
Dhe lajma u-përhap
Si një flagë, si një zjarr
Q’i fryn era në behar
Dhe qytetet afër e lark,
Thotë Ben Isa Ben Miri
Në Qitap të tij fakiri
“Binin m’atë lehtësi
“Që zë burri veshn’ e tij.”
Shenime:
1 Këtë sonet e ka përkthyer më parë në gegërishte shumë të bukur edhe studiuesja Ledi Shamku me rastin e 541 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar (Dy tingëllima për Skënderbeun,"Gazeta shqiptare", 18 janar 2009).
2 Ky poet e dramaturg i shquar i Rilindjes italiane (1541-1585) është quajtur ndryshe i Verbëri i Adrias dhe ka shkruar poemën e famshme autoreferuese "Qani sytë e mi! " Pikërisht, një handikap të tillë të rëndë, ai e përmend edhe në këtë sonet të shkëlqyer për KryeTrimin tonë Gjergj Kastrioti, kur merr në mbrojtje Homerin pa sy që e "akuzonin" se nuk kishte shkruar një varg të vetëm.
3 Është fjala për veprën e Dhimitër Frangut Comentario de le cose de' Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg, principe d' Epyro [Komentar për punët e Turqve dhe të zotit Gjergj Skënderbeut, princi i Epirit], vepër e cila ka njohur rreth njëzet botime e përkthime në vitet 1539-1545, si dhe më pas, më 1560-1654. Vepra është përkthyer në shqip nga Hysen Hidri në vitin 2000 (Shtëpia botuese Globus R.), dhe më 2007 nga Lek Pervizi (Arbëria).
4 Në parathënien e tij, Noli vë në dukje ndër të tjera se këtë poemë, ai e ka "përkthyer lirisht… dyke u-përpjekur të mos largohem shumë nga teksti dhe dyke përdorur masën dhe rithmin e këngëve tona popullore."
Në botimin e kësaj poeme, Noli jep edhe burimet nga është frymëzuar kjo vepër e poetit kombëtar amerikan Longfellow, duke vënë në dukje si burim kryesor "Historinë e Skëngerbeut" të Barletit. MAURIN Paul, në studimin e tij Les sources de l'oeuvre de Henry Wadsworth Longfellow, [Burimet e veprës së Henri Longfellou-t], Paris, 1913, f. 526-534, nxjerr në pah edhe një autor tjetër si burim frymëzues i kësaj poeme, dhe konkretisht Rabinin COHEN Joseph ben Joshua ben Meir (Ben Isa Ben Miri – e shqipëron Noli emrin e tij), që shkroi në shekullin XVI nën titullin Sepher dibre Hajamin [Libri i Fjalëve të Ditëve] kronika të gjata dhe mjaft të errëta për bëmat e mbretërve të Francës dhe princërit e dinastisë së Turkut Otoman.
Kjo vepër u përkthye në anglisht nga Bialloblotzky dhe në këtë përkthim Longfellou gjeti Skënderbeun, një episod nga jeta e heroit shqiptar Gjergj Kastrioti. Na duhet të vërejmë se ai huazoi prej tij fjali të tëra si dhe rendin e vetë rrëfimit që ai bën. [...] Longfellou shfaq një interes të veçantë për faktin që Kruja ishte qyteti ku më parë komandonin etërit e Heroit. Dhe këtu ai tregohet origjinal." Gjë që vërteton, për mendimin tonë se ai e njihte në thellësi figurën e Skënderbeut nëpërmjet veprës së Barletit.
Shënojmë më në fund se ishte pikërisht DORA D'ISTRIA ajo që nxiti Longfellow-n të shkruante për Skënderbeun gjatë takimit të tyre në Amerikë, kur "e grishi" të shkruante vargje për Heroin kombëtar të shqiptarëve.
Marrë nga libri: “Skënderbeu, Album-Antologji, 1413-2017”
d.c./shqiptarja.com