Një mik i imi më telefonoi në mesnatë, në një orë kur zakonisht telefoni bie vetëm për dy arsye, ose ka ndodhur diçka serioze, ose dikujt i ka rënë gabim numri. Nuk e hapa. Mendova se ndoshta ishte në kamion, si gjithmonë, duke udhëtuar nga një shtet në tjetrin, pa orar dhe kërkonte thjesht muhabet për të vrarë kohën. Por kur më shkroi dhe më kërkoi ta telefonoja patjetër, e kuptova menjëherë se diçka nuk shkonte.
E mora. Dhe vërtet nuk shkonte. Administrata Trump sapo kishte anuluar vizat për shqiptarët dhe ky vendim e kishte kapur drejtpërdrejt në hallin e tij personal. Pyetja e tij ishte e thjeshtë, por e rëndë, a ndikon ky vendim te çështja ime? A rrezikon viza e bashkëshortes, procesi i bashkimit familjar? Unë, pa qenë ekspert emigracioni, bëra atë që bëjnë zakonisht njerëzit kur sistemi nuk jep përgjigje. U përpoqa ta qetësoj, t’i them se ndoshta ky vendim nuk prek të gjitha kategoritë, se ka shumë gjasa që rastet e bashkimit familjar të mos preken, sidomos kur flasim për bashkëshorte të një shtetasi amerikan. Fjalë të buta për një realitet të fortë.
Mjaftonte për atë orë të vonë. Ai u qetësua disi, por unë jo, sepse nuk i thashë edhe një të vërtetë. Por ajo që nuk ia thashë, dhe ndoshta nuk kishte as kuptim t’ia thosha atë natë, ishte se gjithë këtë pasiguri ai e kishte marrë dhuratë nga administrata të cilës vetë i kishte dhënë votën. Ironia është se ai i përket atij grupi mbështetësish që çdo vendim të Trump e justifikojnë pa asnjë rezervë. Pra e përtypin pa pyetje, pa dyshim, pa mendim kritik, madje edhe atëherë kur vendimi u troket në derë në mesnatë. Por ky është një hesap tjetër. Pas këtij vendimi, Shqipëria u fut zyrtarisht në zonën gri, atë që ne e quajmë “listë e zezë”.
Një vendim i pazakontë që në Shqipëri hapi një debat të fortë. Opozita, si gjithmonë, gjeti fajtorin e gatshëm, qeverinë. Sipas kësaj logjike, gjithçka lidhet me korrupsionin dhe me faktin se Shqipëria qenka “në lupën” e administratës Trump. Pra, Trump paska hapur dosjet e Tiranës dhe qenka tmerruar nga ryshfetet shqiptare. Një përrallë e bukur për konsum të brendshëm. Sa qëndron kjo logjikë, mbetet për t’u parë. Por nëse do t’i qëndrojmë hamendjes, e cila, për fat të keq, shpesh ka më shumë sens se analizat zyrtare, atëherë një faktor tjetër nuk mund të anashkalohet, propaganda masive që qarkullon në rrjetet sociale. Portale dhe faqe anonime, sidomos në TikTok, në gjuhën shqipe, që ndërtojnë një narrativë absurde kundër vetë realitetit amerikan. Të krahasosh Amerikën me Shqipërinë është t’i biesh kokës me grushta, por kjo nuk i pengon. Njëra thotë se në SHBA nuk jetohet, se ka varfëri ekstreme dhe se mbijeton vetëm me sakrifica çnjerëzore. Një tjetër e përshkruan Nju Jorkun si një kosh plehrash me të pastrehë.
Të tjera flasin për pasiguri totale. Të tjerë ankohen se Amerika “nuk është shtet social”, sepse janë mësuar të jetojnë me ndihma, me përkrahje dhe me shtet-babë. Të gjitha këto nuk kalojnë pa u vënë re. Nëse më bien mua në sy, që nuk jam as aktiv në rrjete sociale, imagjinoni sa qartë i shohin ata që paguhen për të analizuar opinionin publik, për të mbledhur të dhëna dhe për t’i kthyer ato në statistika dhe raporte. Në këtë pikë, gjithçka ndikon te vendimmarrja. Sepse në fund të ditës, askush nuk ka arsye të ketë prioritet për qytetarë apo vende që shfaqen publikisht si mosmirënjohës ndaj ftesës për të jetuar, punuar apo qoftë edhe për ta vizituar atë vend. Në politikë, perceptimi shpesh vlen më shumë se realiteti. Dhe Shqipëria, fatkeqësisht, nuk po penalizohet për atë që është, por për atë që vetë ka zgjedhur të duket.
Komente








