Vizita, Berisha dhe milionat
për lobimin në Uashington

Vizita, Berisha dhe milionat<br />për lobimin në Uashington
Balkan Insight ka siguruar të dhëna që tregojnë se partitë shqiptare kanë shpenzuar qindra e mijëra dollarë në vitet e fundit për firmat e lobimit në Uashington, për të siguruar akses tek zyrtarët e lartë amerikanë e mbulim nga mediat ndërkombëtare. Është e paqartë se çfarë kanë sjellë këto lobime kaq të shtrenjta për një nga vendet më të varfra në Europë, ndërkohë që burimet e financimit për shpenzimet mbeten të errëta. Të dhënat, të siguruara nga Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, FARA, tregojnë se disa nga firmat e lobimit më me ndikim në Uashington kanë punuar pa u lodhur për të siguruar takime mes liderëve shqiptarë dhe zyrtarëve amerikanë. Por provat e zbuluara nga Balkan Insight duket se sugjerojnë se të paktën në disa raste shqiptarët nuk përfituan asgjë përveç mundësisë për një foto.
Por në Shqipërinë pro-amerikanë, megjithatë këto takime të thjeshta, ku vetëm sa ka shkëmbime kortezie, prezantohen tek opinioni vendas si arritje të mëdha diplomatike.

UDHËTIME KOTI
Kur ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta kreu një udhëtim në SHBA në fund të marsit, ai s'ishte politikani më popullor në Shqipëri.
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, LSI, partneri i vogël në qeverisje, sapo i kishte mbijetuar një gjyqi për korrupsion në Gjykatën e Lartë, pas publikimit të një videoje sikletosëse të filmuar në fshehtësi. Shpallja e pafajësisë së Metës më 16 janar 2012 shkaktoi ngritje vetullash në Bruksel ku zyrtarët kishin kohë që i mëshonin nevojës së një vije më të ashpër kundër korrupsionit në Shqipëri, nëse kjo e fundit dëshironte të integrohej në BE. LSI tha se Meta kishte vizituar Uashingtonin për të marrë pjesë në një forum ekonomik dhe për të zhvilluar takime të nivelit të lartë me anëtarë të Kongresit dhe zyrtarë të Departamentit të Shtetit. Një takim që ra në sy ishte ai me kreun e agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, Michele Leonhart.
Në një deklaratë të partisë më 28 mars, thuhej se Leonhart e priti Metën në një takim ku dy zyrtarët diskutuan "marrëdhënien e shkëlqyer ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe luftën kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme". LSI tha se Meta kishte një listë të gjatë sugjerimesh për Leonhart se si të forcohej lufta kundër krimit të organizuar në Ballkan, nga hapja e një zyre rajonale të DEA-s në Tiranë, tek rehabilitimi i përdoruesve të drogës dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal. Megjithatë kur Balkan Insight kontaktoi Departamentin e Drejtësisë në SHBA, ky institucion e mpaku ndjeshëm rëndësinë e takimit. "Z.Meta u prezantua me znj.Leonhart dhe aty shkëmbyen shkurt fjalë të përzemërta, por nuk pati një takim të organizuar ku të jetë diskutuar gjësend me substancë," tha Laërence Payne, zëdhënësi i DEA-s. "Çdo sugjerim se ka pasur diçka më shumë se një prezantim i shkurtër është fals," tha ai.
Në një mënyrë të ngjashme, kur kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, vizitoi SHBA-në në janar, media proqeveritare pretendoi se ai kishte shkuar pas një ftese zyrtare nga kryebashkiaku i Uashingtonit, Vincent Gray. Një zëdhënës i kryebashkiakut amerikan, Dixie McCoy, i tha Balkan Insight se asnjë ftesë e tillë nuk ishte bërë. "Një vendas me origjinë shqiptare i kërkoi kryetarit Grey t'i pranonte një vizitë kortezie bashkiakut shqiptar dhe z.Grey pranoi duke qenë se shpesh ai kryen takime të tilla me zyrtarë që vijnë për vizitë," shpjegoi ai. Ashtu si Meta, edhe Basha është një figurë shumë e lakuar në Shqipëri, që ishte zgjedhur kryetar bashkie vetëm disa muaj përpara vizitës në SHBA, përmes një procesi zgjedhor të njollosur nga akuzat për mashtrim dhe parregullsi. Kryeministri Sali Berisha ishte i fundit i një serie vizitash në SHBA në 24 prill. Berisha u ftua në Amerikë nga shoqata historike shqiptaro- amerikane, Vatra, për 100 vjetorin e saj. Kur mbërriti, Berisha organizoi takime me zyrtarë të nivelit të lartë, duke përfshirë Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton. Megjithatë ishte e dukshme se disa javë përpara udhëtimit të Berishës, qeveria shqiptare i kishte dhënë Vatrës 3.6 imlion lekë, një dhurim për të mbuluar koston e aktiviteteve ku kryeministri do merrte pjesë.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë