Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato dhe delegacioni, kanë vizituar ambientet e rikonstruktuara të GJKKO. Gonzato ka vlerësuar faktin se rikonstruksioni është financuar nga BE, por 80% e kostos u mbulua nga paratë e konfiskuara nga krimi.

Ejon Bani e vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe theksoi rëndësinë e ripërdorimit të aseteve të konfiskuara nga veprimtaria kriminale për financimin e rikonstruksionit të godinës së gjykatës, si një praktikë me vlerë të shtuar për forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe sundimit të ligjit. 

Gjatë takimit, është diskutuar për përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore si prioritet. Gjithashtu është folur edhe për rolin e gjykatës në forcimin e besimit publik te drejtësia.

“Vizituam godinën e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila është financuar nga BE dhe së fundmi është rikonstruktuar për të përmbushur standardet më të larta të BE-së. Ne mirëpresim faktin që 80% e kostos së rikonstruksionit u financua përmes ripërdorimit të aseteve të konfiskuara.

Gjatë vizitës, Kryetari në detyrë i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, gjyqtari Erion Bani, dhe Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, diskutuan rolin e Gjykatës në forcimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë dhe në ruajtjen e standardeve të larta në vendimmarrje.

Ambasadori i BE-së theksoi gjithashtu se përmirësimi i standardeve të infrastrukturës gjyqësore duhet të mbetet prioritet në të gjithë Shqipërinë, për të garantuar siguri, transparencë dhe akses në drejtësi”, thuhet në postimin e ndarë në rrjetet sociale.