Tiranë - Aktivitetet artistike në kuadrin e vizitës së Papa Françesku, në datën 21 shtator në Shqipëri, zyrtarisht do të fillojë në datën 16 shtator 2014.
Në kuadrin e kësaj vizite historike, nga e cila Papa ka nënvizuar shembullin e bashkëjetesës fetare mes myslimanëve dhe të krishterëve në vëndin tonë, përforcimin në besim të Kishës në Shqipëri, si dhe të dëshmojë inkurajimin dhe dashurinë e tij ndaj një vendi që ka vuajtur gjatë pasojat e një ideologjie të së kaluarës, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me institucionet e kulturës do të organizojnë një sërë eventesh kulturore dhe artistike.
Në një konferencë për shtyp, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe zëvëndësministri, Zef Çuni publikon sot detaje të reja lidhur me kalendarin e aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të kësaj vizitë historike.
Ministrja Kumbaro, njëherazi Kryetare e Komisionit Shtetëror për përgatitjen e vizitës së Papës në Shqipëri ritheksoi përsëri dimensionin shpirtëror të kësaj vizite ku ajo e përkufizoi si "një ngjarje të një rëndësie të madhe historike për Shqipërinë e rajonin tonë, siç është vizita e parë në Evropë e Papa Françeskut".
Kumbaro theksoi se "do të merren të gjitha masa për rehabilitimin e sheshit "Nënë Tereza" dhe qendrës historike, në Pallatin e Kongreseve si dhe Muzeut Historik Kombëtar, dhe se punimet do të mbarojnë në kohën e duhur" .
Ajo sqaroi edhe se punimet në Shesh po bëhen në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.
Disa nga detajet e zbuluara gjatë konferencës për shtyp ishin, koncerti me lexime dhe recitime të materialeve poetike nga autorë me profil religjioz, organizuar nga TKOB dhe TK i titulluar "Waiting for the Pope", koncert ky i cili do të komunikojë me publikun në disa qytete të Shqipërisë si Katedralja "Shën Luçia" Durrës, Katedralja "Shën Pali" Tiranë, Katedralja "Shën Shtjefnit" Shkodër.
Gjithashtu do të hapet ekspozita e piktorit Lin Delija "Historia e tij është takimi i Artit me Kishën" në GKA, Vox Baroque,një mbrëmje poetike me poezi të De Radës dhe me muzikë arbëreshe në TKE "Kujtim Spahivogli" në Tiranë, disa shfaqjesh dokumentarësh me temë besimin fetar nga AQSHF- ja, programe filmash të përzgjedhur nga Doku Fest si shfaqja e produksioneve të tri filmave religjiozë.
Ekspozita "Katolicizëm dhe kulturë", organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipër, e cila synon të hedhë dritë mbi një nga faktorët më të rëndësishëm të ngjizjes europianiste të kulturës sonë kombëtare, kontributi i personaliteteve dhe i formantes kulturore katolike brendashkruar asaj kombëtare,si dhe risjellja nè vëmëndje të publikut shqiptar e figurës së Abat Preng Doçit, rilindasit të madh, misionarit të dijes dhe kulturës kombëtare, ku Ministria e Kulturës do të organizojë në qytetin e Rubikut një tryezë të rrumbullakët./ATSH/