Vizita në muze ju zgjat jetën. Harrojeni obsesionin e ri për ta trajtuar pleqërinë si një sëmundje dhe industrinë miliardëshe farmaceutike që ushqehet prej saj: suplementet, testet për moshën biologjike, kontrollin e vazhdueshëm të nivelit të glukozës, matjet e cilësisë së gjumit, parabiozën, hormonet dhe gjithçka tjetër. Në vend të kësaj, shijoni ose angazhohuni me artin.

Një studim i University College London (UCL) pohon se një angazhim i rregullt në aktivitete kulturore dhe artistike e ngadalëson plakjen biologjike pothuajse po aq sa aktiviteti fizik. Nuk bëhet fjalë vetëm për vizita në galeri apo muze. Të njëjtin efekt e kanë edhe dëgjimi i një koncerti live, pjesëmarrja në promovime librash, ndjekja e kurseve të kërcimit apo pikturës.

Studimi, i kryer mbi një kampion prej 3.500 burrash dhe grash të rritur, tregon se njerëzit që angazhohen në këto aktivitete janë, mesatarisht, biologjikisht një vit më të rinj se ata që nuk i praktikojnë. “Është hera e parë,” thonë studiuesit e UCL-së, “që provohet se angazhimi në art dhe kulturë vepron në nivel epigjenetik dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndet. Këto aktivitete ulin stresin, reduktojnë inflamacionin dhe zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, njësoj si aktiviteti fizik.”

Sipas psikiatres Samantha Boardman, nga Weill Cornell Medical College në Nju Jork, “ajo që ndodh kur një njeri angazhohet me një formë arti është shumë më e thellë dhe më e gjerë nga sa mendohet zakonisht.”

Ajo shpjegon se stresi kronik mund t’ia shkurtojë jetën një personi me disa vite, duke rritur rrezikun e rënies së aftësive njohëse dhe duke përshpejtuar plakjen biologjike. “Tashmë jemi në gjendje të masim se sa shumë një aktivitet artistik mund t’i kundërvihet këtyre proceseve,” shton ajo.

Boardman sjell si shembull një mikeshë dhe paciente të saj, e cila që nga dita e 50-vjetorit vendosi të merrte pjesë çdo javë në një aktivitet artistik: hapjen e një galerie, një leksion, një shfaqje teatrale apo çdo aktivitet tjetër që i zgjonte interes. Që prej atëherë, psikiatrja ka vënë re një përmirësim të madh në humorin dhe energjinë e saj.

Një pacient tjetër, i dalë së fundmi në pension, u regjistrua në një shoqatë ku ndiqte kurse kërcimi dhe, sipas Boardman, muzika e transformoi plotësisht.

Psikiatrja thekson edhe rëndësinë e aspektit social. Një studim i zhvilluar në Manchester Art Gallery tregon se vizitorët që diskutonin me njëri-tjetrin për veprat ose ekspozitat që kishin parë krijonin më pas marrëdhënie më të shpeshta dhe zgjeronin rrjetin e tyre shoqëror.

“Arti jo vetëm na afron me bukurinë, por edhe na afron me njëri-tjetrin.”/ Corriere della Sera