Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda, gjatë vizitës në SHBA kanë takuar Presidentin amerikan Donald Trump, me të cilin kanë shkrepur edhe një fotografi.

Fotografinë kryeministri e ka publikuar në rrjetet sociale dhe ka ironizuar opozitën duke thënë se fotografi është bërë me Inteligjencë Artificiale.

"Meqë s’e takova dot, siç thanë ata që çfarë nuk thonë, po asgjë s’bëjnë e s’na bëjnë dot, u detyrova ta bëj me IA

Po thuajuni atyre të bëjnë kujdes, se dro del që s’është IA dhe dalin prap si kokrrat e kandarit", ka shkruar Rama krahas fotografisë.

Kryeministri Rama ishte në SHBA në një vizitë disaditore, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Gjatë vizitës, kryeministri Rama zhvilloi edhe disa takime me komunitetin shqiptar në shtete të ndryshme të SHBA-ve. Takimi i Ramës me Trump vjen në një kohë kur opozita ka ngritur pretendime se raportet e kryeministrit me administratën amerikane janë 'ftohur' ndjeshëm.

Teksa kryeministri ndodhej në SHBA, deputetja demokrate Ina Zhupa tha se Rama ka qenë i refuzuar në Asamblenë e OKB në New York pasi sipas saj s’ka takuar dot asnjë lider të rëndësishëm.

"Një javë në Nju Jork dhe Edi Rama nuk arriti të zhvillojë asnjë takim dypalësh me një lider të rëndësishëm rajonal, europian apo botëror", tha mes të tjerash Zhupa disa ditë më parë, ndërkohë që foto e kryeministrit sot, fakton krejt të kundërtën.